Konferenca e psikanalizës
Tiranë, 10 nëntor 2023
Të gjithëve mund të na ketë ndodhur të jemi ndjerë të lënë mënjanë nga një tjetër, nga një person i dashur, nga një prind, nga një mësues. Mund ta gjejmë logjikën e kësaj lënieje mënjanë në kohën kur jemi duke kryer analizën personale, atje ku analisti shërben për të dhënë idenë e Tjetrit dhe të ëndjes që na dallon nga të tjerët, atje ku rënia e një vështrimi mund të bëhet forca lëvizëse e një rruge të gjatë analize dhe motori i një jete të tërë, siç mund të na ndodhë që në momentin kur vijmë në këtë botë.
Një vështrim, pikërisht kur ai na mungon, mund të na bëjë të kuptojmë nëse ndihemi të admiruar apo të mbytur në turp dhe pikërisht për këtë arsye ai na tregon se me cilin Tjetër, jo me cilindo, ne ndërtohemi si subjekt.
Kështu, gjatë analizës sime kuptova se ajo që më lëvizte në këtë botë nuk ishte dhe aq një shkak biologjik, fiziologjik, pra nuk ishte një shkak fizik, por një mungesë. Gjatë viteve të para të analizës sime, një pulitje e syve të analistes sime mjaftonte për rënë, herë pas here, në një lloj parehatie. Kështu mësova se kuptimi, kërkimi i kuptimit në jetën time, nuk ushqehej vetëm nga fjalët, por nga mungesat e vogla, mungesa e një cope trupi që shkaktonte dëshirën time. Fjalët nuk mjaftonin për të më vënë në lëvizje, por ishte mungesa e një cope trupi që më zgjonte nga apatia ime, nga frenimet e mia. Ajo që ishte më intime tek unë lindte tek Tjetri, nisur nga mungesa e tij. Kjo është arsyeja pse ne besojmë verbërisht te të tjerët, sepse atë që mendonim se e kishim humbur, ia atribuojmë Tjetrit, atë e ka tjetri. Dhe kjo mund të na bëjë të mendojmë se tjetri mund të na i marrë përsëri, ose që na ka hequr vërtet diçka thelbësore që ne mendonim se ishte e jona.
Imagjinarja
Iu drejtova një analisti kur ndjeva se, nuk mund të vazhdoja më, të tërhiqesha përballë turpit. Turp që, për t’u ndjerë i dashuruar, vazhdoja të rrija në një marrëdhënie që e përjetoja si mashtrim dhe për të mos e lënë veten të ndihesha jashtë vështrimit të asaj që kisha zgjedhur si partnere, gënjeja.
E gjeta veten në paradoksin se nuk mund të thosha të vërtetën time, nëse nuk gënjeja.
Çfarë duhet të bëja për të dalë nga ky ngërç?
I thashë analistes sime se do ta gënjeja, edhe atë, ashtu siç bëja me të gjitha gratë e tjera.
Mirësevjen e vërteta jote! – mu përgjigj – duke më futur, kështu, menjëherë në dispozitivin analitik: një dispozitiv i ndarë nga paradoksi se nuk mund të thoja të vërtetën, përveçse duke gënjyer. Por tani e tutje çfarëdo që do të thoja do të kishte një efekt të vërtete.
Pa këtë manovër të analistes sime, nuk e di nëse do të kisha mundur të ndërtoja ndonjëherë skenën e fantazmës që i dha kuptim dhe kënaqësi ekzistencës sime.
Kur nuk ndihesha i dashuruar, e gjeja veten gjithmonë të hedhur në të njëjtin vend, atje ku merrte formë obsesioni im i të ndjerit i refuzuar, jo i besuar, i të qenit asgjë për Tjetrin dhe nëse do të ishte kështu, atëherë isha i lirë të shkatërroja çdo marrëdhënie të gënjeshtërt.
Kështu përsërisja simptomën e shkatërrimit së marrëdhënieve; një simptomë që paraqitej në formën e kërkimit të sinjaleve të vogla, që më tregonin se Tjetri më kishte lënë mënjanë vështrimit të tij. Pas kësaj do të inskenoja arratisje që mund të shkaktonin prishjen e asaj marrëdhënieje përgjithmonë dhe verifikoja se sa do të mundohej tjetri për të më mbajtur.
Nëse nuk më pengonin të largohesha, kisha konfirmimin që tjetri nuk më donte.
Por, nga ana tjetër, nëse tjetri nuk më linte të ikja, vazhdoja ta jetoja atë marrëdhënie në turp pasi bëja të vuante atë që më dëshironte dhe më dashuronte nga lartësia e pastërtisë së saj, pavarësisht se nuk isha sjellë si zotëri. Çfarë mund të dëshironte një grua prej meje, që të më pengonte të ikja duke më rimarrë mbrapsht edhe pse e ndjeja që isha i pavlerë?
Por, surprizë!
Një ditë të bukur Tjetri nuk më mbajti më dhe duke mos u ndjerë më i dëshiruar, një afekt që nuk gënjen, ankthi, i thirri pavetëdijes sime: diçka kishte bërë vend atje pa dijeninë time dhe jehonte në trupin tim.
Në nivelin e ëndjes, ishte një takim i suksesshëm. Në fakt, pa maskën e simptomës, fantazma ime u lëkund dhe e ndjeva veten vetëm, në heshtjen e ëndjes sime të të qenit i braktisur.
Duke menduar se isha tradhëtuar, u ndjeva i shënjestruar në ekzistencën time si subjekt dhe i dobët.Lamtumirë zotnillëkut.
Sa turp!
Simbolikja
Ku ishte kjo ëndje para se të thirrej nga rastësia e kësaj braktisjeje të papritur?
A ishte atje edhe më parë?
Duke rigjurmuar analizën time, kuptoj se si operoi ajo në këtë eksteriorizim. Eksteriorizimi i shënjuesve, imazheve, fotografive, pra skenave, si ëndrra, të cilat në mënyrë metonimike qepën qënien e refuzuar.
Skenari i mendimeve të mia që lindën përgjatë rrugës së analizës u kondensua në ca kujtime të një fëmije që nuk ndihet i pranuar nga babai i tij, por që ekziston për të vetëm nëse kapet mat, shtyhet, rrihet, derisa vendos të bëjë ndryshimin për jetën e tij dhe si rrjedhojë edhe për vdekjen.
Dhe ja një skenë: një baba që nxjerr në det fëmijët e tij të vegjël, me një gomone, me qëllimin që tu mësojë notin dhe i hedh në det duke u thënë të notojnë nëse nuk duan të mbyten.
Nuk mësova të notoja atë ditë, por i paralizuar nga frika, u kapa pas litarëve që vareshin përqarkgomones, nën vështrimin gjykues të babait tim. I kapur pas litarëve u ndjeva i turpëruar dhe u mbylla brenda meje për shumë vite të ardhshme.
Në fakt një apo dy ditë pas këtij episodi mësova të notoja. Dhe e bëra vetëm, por, mund të them sot, jo pa shoqërinë e fantazmës sime: prindërit dhe motra kishin dalë për një lundrim me barkë, me disa miq. Unë gjeta mënyrën për të qëndruar në breg, duke i akuzuar ata, pasi ishin larguar, se sa pak interesoheshin për mua.
Si mund të më linin, në moshën 6-vjeçare, në një plazh të mbushur me njerëz, në një vend të huaj? Pavarësisht kësaj dhe pa e vrarë mendjen për këshillat e tyre, e armatosa veten me syze noti, tubin e frymëmarrjes dhe lopatat portokalli për këmbët, duke i dhënë guxim vetes të zhytem në ujë. Notoj dhe më duket sikur po fluturoj, por ç’e do, duke rrëshqitur drejt detit të hapur, kuptoj se jam prerë thellë në kyçin e dorës.
O Zot! Peshkaqenët mund të nuhasin erën e gjakut dhe mund të më sulmojnë në çdo moment! Ndryshoj kursin tim dhe nxitoj në breg. I sigurt, i gjallë, e gjej veten vetëm në një plazh të panjohur, mes njerëzve të huaj. Janë ata që kujdesen për plagën time: me kafe – më thoshin – plaga do të cikatrizohet shpejt, por shenja do të mbetet përgjithmonë.
Ndërsa filsja, gjatë analizës sime, për plagët që më qëndisin trupin, arrita të kuptoj se prerja, thyerja, ndodh ndërsa ndihem nën një vështrim që më kap mat dhe atëherë vonohem apo hezitoj të hidhem.
Realja
Kërce! Hidhu në det, mos ki frikë nga shkëmbinjtë, nuk është aq lart. Shiko motrën. Ajo po hidhet. Çfarë po pret? Epo atëherë ti nuk qenke një nga tanët!
Dhe kështu, andej nga fundi i analizës, duke ndjekur fillin e asocimeve të lira që marrin hov nga tregimi i këtij episodi, rishfaqet kujtimi i pashlyeshëm, kur, fëmijë, mësuesja më mbante në derën e shkollës fillore, duke pritur që nëna ime të vinte të më merrte. Jam atje dhe ndihem i turpëruar sepse të gjithë e shohin që mbaj në dorë qesen me ndërresa. Duhet të kem bërë kakën në brekë – them.
Mjaft pra – interpreton analistja – e vure veten nën vështrimin e Tjetrit si hajvan. Mund ta lëshosh atë qese kur pret të dashurohesh ose të dashurosh.
Pas daljes nga seanca, më shfaqet kujtimi i një fotoje timen, në të cilën fëmijë, buzë detit, pikërisht gjatë atyre pushimeve verore kur mësova notin, objektivi i aparatit fotografik të babait më ka kapur ndërsa bëj kakën.
Ja ku jam, i fiksuar në fantazmën time, në një skenë ku e shoh veten si subjekt dhe në të njëjtën kohë si objekt të degraduar; një grisje në kanavacën e fantazmës që bën një vrimë dhe jo një zinxhir.
Seancën e ardhshme shkoj në analizë më i lehtësuar dhe i argëtuar nga ideja që mund të tregoj një ëndërr: e gjej veten ulur në tavolinë përballë një pjate supë ku ka rënë pak kakë. Sigurisht që mund të kisha mbushur plot me të. E trazoj, e shtyp, mundohem të shkrij copëzat, me sikletin për të kënaqur Tjetrin që është munduar aq shumë për ushqimin tim, derisa nuk mund ta mbaj më veten të them: mjaft! Boll hengre m… dhe boll bëre të tjerët të hanë m… Më mirë asgjë!
Ndërprerja e seancës vjen menjëherë dhe, duke u ngritur nga krevati, them i kënaqur: sigurisht që kur nuk bëj si i menderosur, ndihem i gjallë.
U deshën disa seanca të tjera për të mbërritur tek ëndrra që më shtyu të paraqes kërkesën time të dytë për përfundimin e analizës.
Ëndërroj prindërit e mi, në korridorin e shtëpisë së vendlindjes, që më kanë bllokuar daljen nga shtëpia dhe më thonë se janë shumë të shqetësuar për mua. Ata kanë zbuluar që gruaja ime ka një burrë tjetër dhe po më tradhton. U përgjigjem se nuk besoj më në këtë version të jetës, sepse kështu i bie të mbyllesh brenda dhe të mos dalësh më.
Dhe dal. Nuk bëhet më fjalë që Tjetri të më mbajë apo që ta mbaj unë atë.
Përktheu Eva Filaj