Skip to main content

Trazim në familje

12 dhe 13 korrik 2025

SQUARE ~ Palais des Congrès ~ Mont des Arts – 1000 Bruxelles

Përkthim simultan në anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht

Argument nga Katty Langelez-Stevens

Nëse ekziston një dëshmi e trazimit në qytetërimin e epokës sonë, është ai i familjeve. Familja, ashtu si figura e babait, nuk është më e njëjta. Ndonjëherë, në dukje, ende tradicionale, atë e gjejmë të ripunuar dhe na vjen në forma të ndryshme dhe jashtëzakonisht të ndryshueshme: e ndarë, e rikrijuar me fëmijë nga bashkime të ndryshme për secilin  bashkëshort, me një prind, me prindër të të njëjtit seks apo edhe me tre prindër. Shpikjet nuk rreshtin të sajuari kur nevojitet një mënyrë për të bërë familje, sot, kur ligji ka vënë në pikëpyetje kodet e familjes, të cilat e kishin pozicionuar babanë si domosdoshmërisht baba të të gjithë fëmijëve lindur në një martese. Kjo rishpërndarje e roleve prek, përgjithësisht, përfaqësuesin atëror ; pa dyshim që u desh të ruhej diçka nga patriarkati, i cili gjithsesi mezi po iu reziston goditjeve që i bashkohen ligjërimit të shkencës dhe të kapitalizmit.

Familja është institucioni i parë njerëzor; pra, ajo është simbolike dhe jo natyrore. « Ta mendosh familjen si pjesë të natyrës është një tundim, pasi kjo lloj lidhjeje ekziston te kafshët […] [1] » Nëse ajo gjendet në themel të institucionit njerëzor, mund të supozohet edhe si pikënisje e të gjithë institucioneve të tjera, veçanërisht atyre të kujdesit. Zëvendësuese apo zgjatime të familjes, institucionet nuk mund të përjashtojnë punën me familjet. Ato mund të distancohen nga ideali familjar duke u mbështetur në klinikën e subjektit, por nuk mund ta ndajnë atë nga Tjetri i tij primordial, nga transmetuesi i tij i gjuhës, mishërimi i së cilës vjen gjithmonë nga familja, sado e reduktuar apo e munguar qoftë ajo.

Në tekstin e tij « Affaires de famille dans l’inconscient » (Çështje të familjes në të pavetëdijshme), Jacques-Alain Miller përditëson përkufizimin e familjes së sotme. Familja nuk e ka më origjinën e saj te martesa, por « familja e ka origjinën e saj te keqkuptimi, mostakimi, zhgënjimi, abuzim seksual apo krimi […] Familja është formuar nga Emri-i-Babait, nga dëshira e Nënës, nga objektet a […] Familjen e bashkon në thelb një sekret, një e pa-thënë […] është gjithmonë një sekret mbi ëndjen : me çfarë ënden babai dhe nëna ? [2] »

Familja është gjithashtu vendi i privilegjuar ku shprehet Trazimi në qytetërim [3]. Nëse familja është krijuar për të përmbushur Erosin, shpërthimi i Thanatosit ndaj saj, ashtu si ndaj gjitha krijimeve njerëzore, e ushtron kontrollin e tij nëpërmjet Mbiunit. Në tekstin e tij të njohur « Les complexes familiaux… », (Komplekset familjare…), Jacques Lacan lajmëronte tashmë zhdukjen e programuar të familjes patriarkale [4] dhe theksonte se kompleksi i Edipit ishte i lidhur në mënyrë të pariparueshme me të. J.-A. Miller thekson, veç të tjerash, që komplekset familjare, ashtu siç i paraqet Lacan, janë një përfytyrim i strukturalizmit të saj [5]. Pa familjen patriarkale, vendi ku formohet e pavetëdijshmja që strukturohet nga komplekset, mund të asistojmë në zhdukjen graduale të Edipit dhe të neurozave klasike. Përkufizimi i ri mbi të pavetëdijshmes që Lacan bën në vitin 1957 [6], e pavetëdijshmja është e strukturuar si një gjuhë, na lejon të dalim nga qorrsokaku i romanit edipian që zhvilloi Frojdi.

Trazimi në familje pasqyrohet në simptoma të shumta te fëmijët dhe adoleshentët: këtë e dëshmon numri gjithmonë e më i madh i rasteve që i drejtohen psi-ve për të trajtuar dys-et, ashtu si dhuna dhe substancat toksike që kanë pushtuar adoleshentët, pa harruar ankesat e shumta për ngacmime dhe abuzime seksuale. Nga ana tjetër e kësaj qasjeje klasike mund të ngrejmë pyetjen se ç’ndodh me adoleshentët dhe fëmijët e sotëm kur ata ngrihen kundër strukturave të familjes për t’i shkatërruar ato. Kështu mund të identifikojmë vendin që zë psikanalisti në takimin me këto subjekte të reja dhe mënyrat e tyre të ndryshme të të qenit.

Shënjuesi madhor i dashurisë rregullon formimin dhe ndarjen e çifteve dhe si rrjedhim të familjeve, por çmimi i kësaj lirie të përbashkët, të cilën as nuk do të imagjinonim ta kundërshtonim më, është i lartë për t’u paguar nga familjet. Atje ku mbizotëronte premtimi i një dedikimi me konotacionin e tij moral dhe ku, diku tjetër, mund të mbretëronte mbyllja nën një rend të hekurt udhëhequr nga morali fetar, sot kemi një dashuri endacake që i hedh çiftet dhe pasardhësit e tyre në kapriçiot e zënkave dhe ndarjeve të pronës. Të jesh një familje, sot, kërkon të shpikësh mënyra të reja për të krijuar lidhje, për të jetuar së bashku, për të ekzistuar në një hapësirë dhe kohë që janë më tepër se kurrë të përkohshme.

Por në metropolet tona, bashkëekzistojnë dhe familje që nuk kanë përjetuar efektet e transformimeve që rezultojnë nga oponenca e të rinjve, luftës për barazi gjinore, etj. Ato vijnë nga cepa të ndryshëm të botës dhe funksionojnë sipas strukturave tradicionale, që shpesh lidhen ngushtë me praktika fetare. Në këtë heterogjeneitet dhe diversitet që shoqëria jonë ka lejuar të zhvillohet si rrjedhojë e globalizimit dhe hapjes ndaj të tjerëve, ndaj Tjetrit të ndryshëm, vërejmë se subjektet gjenden shpesh mes dy ligjërimesh padroni: atij të familjes së tyre dhe atij të vlerave të shoqërisë, si për shembull ligjërimit woke.

Angështia është, sot, simptoma mbizotëruese që lidhet me familjen. Ajo zë kryesisht vendin e simptomave trupore dhe fajësisë. Ajo bën që një numër i caktuar subjektesh të vendosin të mos krijojnë familje, duke u ndjerë të pafuqishëm përballë së ardhmes. Ata nuk dinë ku të gjejnë mbështetje për sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë, në përpjekje për të rregulluar atë që ëndja njerëzore nuk rresht së prodhuari si hedhurina pa fund dhe shpërthim luftërash.

Paraqitja e atij që mund ta quanim një Tjetër i pakufizuar (interneti dhe aplikacionet e tij), i çrregulluar (me kodet e veta dhe duke i shpëtuar legjislacionit që lufton për të rregulluar përdorimin e tyre) dhe gjithëditur (inteligjenca artificiale) në zemër të familjeve ndihmon çorganizimin e lidhjeve. Të mbiinformuar, të keqinformuar, vazhdimisht të lidhur me lajmet e botës, subjektet ndeshen me një ëndje të pakufizuar, të cilën nuk janë përgatitur për ta përballur. Ky mjet, ashtu si çdo krijim njerëzor, mbart më të mirën dhe më të keqen dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në Trazimin në familje.

Por familja është, po ashtu, një-për-një e atyre që përbëjnë atë – gjyshërit, prindërit, fëmijët, kushërinjtë, etj. – dhe e asaj që secili prej tyre vë në lojë nga neuroza apo çmenduria e vet, gjë që diku mund të qetësojë, diku tjetër, mund të sjellë më të keqen.

PIPOL 12 do të jetë mundësia për të studiuar atë që sot shënjon konceptin e familjes, çfarë përmban ajo apo jo, në një konfigurim të ri të familjeve ku përshpejtimi i ndryshimeve në lidhjet shoqërore nuk mund të mos manifestohet në kërkesat dhe modalitetet e një klinike që rinovohet dhe që ne e vërejmë në praktikën tonë.

Përktheu Eva Filaj

[1] Jacques-Alain Miller, “Affaires de famille dans l’inconscient”, in Enfants terribles et parents exaspérés, Institut psychanalytique de l’enfant du Champ freudien, Paris, Navarin éditeur, 2023, p. 161.

[2] Ibid., f. 163.

[3] Frojdi i kushton një kapitull në esenë e tij Malaise dans la civilisation, PUF, 1971, p. 49-59.

[4] Kështu e përshkruan Jacques Lacan në tekstin e tij “Les complexes familiales dans la formation de l’individu”, Autres écrits, Seuil, 2001, p. 56.

[5] Jacques-Alain Miller, « Lecture critique des ‘complexes familiaux’ de Jacques Lacan », La Cause freudienne, no 60, juin 2005, p. 33-51.

[6] Jacques Lacan, « L’instance de la lettre dans l’inconscient ou la raison depuis Freud », Écrits, Le Seuil, 1966, p. 193-528.