Rrethi Lakanian Shqiptar – Grupi i Fushës Frojdiane në Shqipëri

Aktivitetet e RrLSh dhe kujt i adresohen ato:

Rrethi Lakanian Shqiptar – Grupi i Fushës Frojdiane në Shqipëri – Iniciativa Shqipëri, kontribuon në njohjen, studimin dhe përhapjen e psikanalizës lakaniane në Shqipëri nëpërmjet organizimit të Seminareve të Fushës Frojdiane në Tiranë, me pjesëmarrjen e të ftuarve, psikanalistë të Shkollave të Shoqatës Botërore të Psikanalizës. Seminaret pasohen nga diskutime me pjesëmarrësit dhe përkthehen gjithmonë në shqip. Organizohen po ashtu konferenca të hapura për një publik të gjerë, të cilat trajtojnë çështje thelbësore të psikanalizës dhe të civilizimit të sotëm. Rrethi Lakanian Shqiptar mirëpret në aktivitetet e tij profesionistë të shëndetit mendor, psikologë, mjekë, punonjës socialë, mësues dhe edukatorë por dhe prindër dhe kujdestarë që interesohen rreth psikanalizës dhe qasjes së saj unike në punën me subjekte në vështirësi. Në dispozicion të anëtarëve të tij dhe profesionistëve që ai mbledh, ekziston biblioteka FIBOL (Federata ndërkombëtare e Bibliotekave të Orientimit Lakanian), me tekste psikanalitike në gjuhë të ndryshme, seminare të Jacques Lacan-it dhe tekste të orientimit lakanian.

Rrethi Lakanian Shqiptar ka publikuar veprën e Jacques Lacan-it “Mësimet e mia”, duke iu ofruar lexuesve shqiptarë të parin  botim në shqip të psikanalizës lakaniane. Ne mirëpresim interesimin e studentëve, kërkuesve, profesionistëve dhe të kujtdo tjetër që dëshiron të njohë apo të zbulojë psikanalizën.

Krijimi dhe orientimi

Rrethi Lakanian Shqiptar është një shoqatë e krijuar në 23 tetor 2013, nën emrin Grupi i Fushës Frojdiane në Shqipëri dhe e rregjistruar në Prefekturën e Parisit (Francë), sipas ligjit të 1 korrikut 1901. Qëllimi i krijimit të kësaj shoqate është mësimi, formimi dhe kërkimi në psikanalizë. Kjo shoqatë është pjesë e lëvizjes së Fushës Frojdiane, të krijuar në qershor të vitit 1964, nga Jacques Lacan-i. Rrethi Lakanian Shqiptar u krijua falë dëshirës së vendosur të dy themelueseve të tij, Jolka Nathanaili, e cila e drejtoi atë deri në vitin 2019 dhe Judith Miller, vajza e Jacques Lacan-it dhe anëtare nderi e tij.

Prej mëse dhjetë vitesh, aktivitetet e Rrethit Lakanian Shqiptar janë pjesë e punës së rrjeteve ndërkombëtare të Fushës frojdiane. Rrethi Lakanian Shqiptar është, që prej 2019, iniciativé e Shkollës së Re Lakaniane (NLS), e cila është një nga shkollat e Shoqatës Botërore të Psikanalizës (AMP). E krijuar nga Jacques-Alain Miller, ajo përfaqëson psikanalizën lakaniane në botë. Psikanalistët e AMP janë pjesë e orientimit lakanian dhe vazhdojnë të interpretojnë botën në të cilën ne jetojmë, duke u nisur nga mësimet e Frojdit dhe të Jacques Lacan-it.