Reale
Nga Eva Filaj
Ju ka qëlluar të shihni ndonjë sekuencë nga filmat e fillimeve të kinemasë, si ato të vëllezërve Lumière, ku, nën tingujt e një pianoje që kumbon deri diku hareshëm, një kovaç rreh hekurin me gjithë fuqinë e tij? Duket absurde! Sikur imazhi dhe muzika të ndiqnin secili rrugën e vet, pa arritur të takoheshin.
Një mbrëmje isha ulur pranë një dritareje dhe vështroja kalimtarët në rrugë. Ndiqja lëvizjet e tyre, përpiqesha t’i interpretoja, imagjinoja nga një histori për secilin, ndërsa dëgjoja muzikë, nga ajo që mua më pëlqen. Dhe papritur, në një fraksion sekonde, u gjenda në të njëjtin absurditet. Nuk kishte lidhje të mundshme midis meje dhe kalimtarëve, midis historive që imagjinoja dhe lëvizjeve të tyre, të cilat kishin pa dyshim një kuptim, por një kuptim që mbetej i kyçur brenda tyre, i papërshkueshëm për mua. Muzika vazhdonte, kalimtarët vazhdonin rrugën e tyre, por diçka ishte shkëputur. Ajo muzikë që deri pak më parë shoqëronte gjithçka që shihja, tani më shkëpuste nga çdo lloj kuptimi apo koherence. Më linte përballë një zbrazëtie, më bënte një vrimë të thellë.
Një ditë tjetër, gjatë një udhëtimi me avion, ndërsa kishim filluar zbritjen, ndjeva papritur një lloj nxehtësie të përzier me një padurim të pazakontë për t’u ngritur e për të ecur. Por sinjalet e kuqe ishin ndezur dhe nuk mund të lëvizja nga vendi. Sa më shumë ndieja nevojën për t’u ngritur, aq më i padurueshëm bëhej qëndrimi ulur. Ato njëzet minuta, deri në uljen e avionit dhe fikjen e sinjaleve, mbetën për mua të pashpjegueshme.
Çfarë mund të kenë të përbashkët këto dy përvoja kaq të ndryshme? Ndoshta pikërisht atë çast kur diçka na shpëton, kur ajo që deri atëherë na dukej e njohur dhe e kuptueshme, papritur nuk është më e tillë. Nuk është se gjithçka humbet kuptimin, por se diçka mbetet jashtë tij, diçka që nuk arrijmë as ta shpjegojmë, as ta përfshijmë në atë që dimë për veten dhe botën përreth.
A mund të na ndihmojnë këto çaste t’i afrohemi asaj që Jacques Lacan e quan Reale?
Reale është një fjalë që e përdorim shpesh në të folurën tonë të përditshme, për të treguar diçka që ekziston vërtet, apo që përputhet me atë që ne e konsiderojmë realitet. Por kur flasim për Realen në psikanalizë, nuk rrahim realisht në të njëjtin vend. Për Lacan-in, Realja nuk është sinonim i realitetit.
Më 8 korrik 1953, në konferencën e tij « Le symbolique, l’imaginaire et le réel », Jacques Lacan prezanton tri regjistrat që do të bëhen themelorë për mësimdhënien e tij: Simboliken, Imagjinaren dhe Realen. Kjo treshe konceptuale përbën tri pika reference themelore për klinikën psikanalitike[1].
Shumë vite më vonë, Lacan-i do t’i rikthehet marrëdhënies mes këtyre tri regjistrave përmes nyjës borromeane. Tri unaza të lidhura në mënyrë të tillë që, nëse njëra prej tyre këputet, edhe dy të tjerat çlirohen. Nuk bëhet fjalë thjesht për një paraqitje grafike, por për një mënyrë të re të të menduarit të lidhjes mes Reales, Simbolikes dhe Imagjinares, ku secili regjistër ruan veçantinë e vet, pa qenë i shkëputur nga dy të tjerët[2].
Në këtë ndërthurje të tri regjistrave, Realja zë një vend të veçantë. Aq sa, në Seminarin XXI, Les non-dupes errent, në mësimin e 11 dhjetorit 1973, Lacan-i shprehet: « Je te baptise Réel parce que si tu n’existais pas, il faudrait t’inventer » (Të pagëzoj Reale, sepse nëse nuk do të ekzistoje, do të duhej të të shpikja). Dhe shton: « C’est bien pourquoi je l’ai inventé » (Pikërisht për këtë arsye e shpika)[3].
Duke rimarrë formulën e famshme të Voltaire-it, « Si Dieu n’existait pas, il faudrait l’inventer »[4], Lacan-i na lë përballë një paradoksi: Realen, së cilës i jep një vend kaq të rëndësishëm, ai thotë se e ka shpikur vetë.
Por çfarë është kjo Reale që Lacan-i thotë se e ka shpikur? Si mund ta përkufizojmë?
Lacan-i shpesh i afrohet Reales duke u nisur nga ajo që ajo nuk është, apo nga ajo që i shpëton çdo përpjekjeje për ta përkufizuar. Ai e lidh Realen me të pamundurën, me atë që i reziston kuptimit dhe simbolizimit, me atë që, në takimin me subjektin, mund të bëhet edhe e padurueshme. Sikur sa herë që përpiqemi ta kapim përmes fjalëve, diçka të na shpëtojë. Por Realja nuk është thjesht ajo që ende nuk kemi arritur ta themi apo ta kuptojmë. Ajo nuk është një e panjohur që pret të zbulohet, por diçka që i reziston vetë përpjekjes për ta simbolizuar.
Në Seminarin XXIII, Le sinthome, Lacan-i shprehet: « Le vrai réel implique l’absence de loi. Le réel n’a pas d’ordre. »[5](Realja e vërtetë nënkupton mungesën e ligjit. Realja nuk ka rend.) Kjo nuk do të thotë se Realja është thjesht kaos. Ajo nuk i nënshtrohet rendit që përpiqemi t’i japim botës përmes fjalëve dhe marrëdhënieve që krijojmë mes tyre.
Realja nuk është, pra, një enigmë që pret zgjidhjen e saj. Nuk mjafton të dimë më shumë apo të gjejmë fjalët e duhura për ta shpjeguar. Ajo që i shpëton simbolizimit nuk zhduket vetëm sepse ne përpiqemi t’i japim një emër.
Ndoshta këtu mund të kuptojmë edhe përse takimi me Realen mund të jetë i padurueshëm. Fjalët na lejojnë t’i japim një formë asaj që përjetojmë, ta vendosim në njëfarë distance, të krijojmë një hapësirë mes nesh dhe asaj që na ndodh. Por çfarë ndodh kur kjo distancë nuk është më e mundur? Kur diçka na imponohet pa arritur ta vendosim në fjalë, pa mundur as ta kuptojmë, as të shkëputemi prej saj?
Kjo marrëdhënie mes Simbolikes dhe Reales merr një rëndësi të veçantë në mënyrën se si Lacan-i u qaset psikozave.
Në Seminarin III, Les psychoses[6], Lacan-i jep një shpjegim gjenial (kështu m’u duk!) mbi fenomenet halucinatore, veçanërisht halucinacionet verbale. Duke rimarrë termin Verwerfung të Freud-it, ai përpunon konceptin e forclusion, për të treguar se ajo që është përjashtuar nga Simbolikja rikthehet në Reale.
Por këtu nuk bëhet fjalë për një kujtim të harruar apo për diçka që subjekti nuk ka dashur ta thotë. Ndryshe nga ndrydhja (refoulement), ku ajo që është ndrydhur mbetet e lidhur me rendin simbolik, në forclusion kemi të bëjmë me mosregjistrimin e një shenjuesi themelor në këtë rend. Është pikërisht ky dallim që i jep kuptim formulës së Lacan-it mbi rikthimin në Reale.
Halucinacioni verbal na tregon kështu një mënyrë të veçantë se si mund të shfaqet Realja në klinikën e psikozave. Por Realja nuk i përket vetëm psikozës.
Për ta mbyllur, do të doja të bëja një kalim të shkurtër në Seminarin II të Jacques Lacan-it, Le moi dans la théorie de Freud et dans la technique de la psychanalyse, ku ai analizon, ndër të tjera, ëndrrën e Freud-it, të njohur si ëndrra e Injeksionit të Irmës. Është ëndrra që Freud-i e vë në dispozicion të lexuesit, në dispozicion të Tjetrit, në librin e tij Interpretimi i ëndrrave. Lacan-i i kushton asaj një vëmendje të veçantë. Edhe vetë Freud-i i jep një vend të rëndësishëm. Kjo ëndërr vjen e rivjen përgjatë librit të tij, atij që u quajt nga shumë «libri i shekullit».
Pa ia hequr lexuesit dëshirën për ta zbuluar vetë këtë libër, po bëj një përmbledhje të shkurtër të ëndrrës, duke u ndalur tek ajo që më intereson këtu: ajo që Lacan-i na lejon të dallojmë nga Realja në këtë ëndërr.
Freud-i sheh në ëndërr një nga pacientet e tij, Irmën, e cila ankohet për dhimbje në fyt, bark dhe hundë. Ai vendos ta ekzaminojë, me gjithë rezistencën e saj. Por pamja që sheh thellë në fytin e Irmës është e tmerrshme: njolla të bardha, formacione të çuditshme, membrana[7]. Pikërisht në këtë çast ndalet Lacan-i. Në leximin e tij, ajo që shfaqet përpara Freud-it nuk është thjesht një imazh i frikshëm, por një zbulim i Reales, i asaj Realeje të fundme, të papërshkueshme, përballë së cilës subjekti gjendet pa fjalë. Lacan-i e lidh këtë pamje me angështinë, duke e përshkruar si « l’objet d’angoisse par excellence »[8] (objekti i angështisë par excellence).
Por ëndrra nuk përfundon këtu. Pas kësaj pamjeje të tmerrshme, në skenë shfaqen tre kolegë të Freud-it, të cilët ekzaminojnë Irmën dhe kërkojnë një shpjegim për gjendjen e saj. Është sikur, përballë asaj që sapo është shfaqur, ëndrra të kërkojë një rrugëdalje, një solution. Dhe kjo fjalë nuk është pa interes, sepse në ëndërr bëhet fjalë edhe për një solucion kimik, për një injeksion.
Lacan-i ndalet te këto figura që hyjnë në skenë, por edhe te ajo që shfaqet më pas: formula e trimetilaminës, e shkruar me shkronja të trasha. Në leximin e tij, përmes figurave të kolegëve mund të dallojmë lojën e identifikimeve imagjinare, ndërsa formula e trimetilaminës nxjerr në pah dimensionin simbolik të ëndrrës.[9].
Ajo që më tërheq në këtë ëndërr është se, pas takimit me atë pamje të papërshkueshme, ëndrra vazhdon. Në vend të një përgjigjeje që do ta shpjegonte gjithçka, shfaqet një formulë. Jo një kuptim përfundimtar, por një shkrim.
Në njëfarë mënyre, kjo më kthen te dy përvojat nga të cilat nisa.
Nuk e di nëse mund t’i quaj takime me Realen. Ndoshta ajo që më kishte mbetur prej tyre ishte pikërisht ajo që nuk kisha arritur ta kuptoja, diçka që vazhdonte të më shpëtonte sa herë përpiqesha t’i jepja një kuptim.
Ndoshta edhe unë, duke u përpjekur të shkruaj për Realen, nuk kam bërë gjë tjetër veçse jam përpjekur t’i afrohem asaj që më shpëton. Ta prek me fjalë, pa pretenduar se mund ta mbaj brenda tyre.
Tiranë, 25 prill 2018
[1] Lacan, J. (1953). « Le symbolique, l’imaginaire et le réel ». Konferencë e mbajtur më 8 korrik 1953, në Société française de Psychanalyse.
[2] Lacan, J. (1974–1975). Le Séminaire, livre XXII, RSI. Mësimi i 10 dhjetorit 1974, mbi nyjën borromeane dhe lidhjen e tri regjistrave: Reales, Simbolikes dhe Imagjinares. Transkript i seminarit.
[3] Lacan, J. (1973–1974). Le Séminaire, livre XXI, Les non-dupes errent. Mësimi III, 11 dhjetor 1973. Transkript i seminarit.
[4] Voltaire. (1768). Épître à l’auteur du livre des Trois Imposteurs.
[5] Lacan, J. (2005). Le Séminaire, livre XXIII, Le sinthome (1975–1976). Teksti i hartuar nga Jacques-Alain Miller. Paris: Seuil. Mësimi i 13 prillit 1976, « Le vrai réel implique l’absence de loi. Le réel n’a pas d’ordre. »
[6] Lacan, J. (1981). Le Séminaire, livre III, Les psychoses (1955–1956). Teksti i hartuar nga Jacques-Alain Miller. Paris: Seuil. Veçanërisht mësimet e 16 nëntorit 1955, 7 dhjetorit 1955 dhe 4 korrikut 1956, mbi Verwerfung, rikthimin në Reale të asaj që është përjashtuar nga Simbolikja dhe konceptin e forclusion.
[7] Freud, S. (1900). Die Traumdeutung. Kapitulli II, « Die Methode der Traumdeutung », ëndrra e injeksionit të Irmës. Përkthimi shqip: Interpretimi i ëndrrave. Tiranë: Plejad, 2014.
[8] Lacan, J. (1978). Le Séminaire, livre II, Le moi dans la théorie de Freud et dans la technique de la psychanalyse (1954–1955). Teksti i hartuar nga Jacques-Alain Miller. Paris: Seuil. Mësimi i 16 marsit 1955, analiza e ëndrrës së Irmës.
[9] Lacan, J. (1978). Le Séminaire, livre II, Le moi dans la théorie de Freud et dans la technique de la psychanalyse (1954–1955). Paris: Seuil. Mësimet e 9 dhe 16 marsit 1955, mbi identifikimet imagjinare dhe formulën e trimetilaminës.






