I huaji
Eva Filaj
Më 24 shkurt 2018 u mbajt në Romë Forumi Europian i Psikanalizës me temën «I huaji», një temë që bëri bashkë psikanalizën dhe politikën, në një kohë kur lëvizjet migratore drejt Europës trazojnë çdo ditë ujërat, që edhe më parë nuk kanë qenë aq të qeta. Kur them politikën, nuk kam aspak parasysh politikanët (të cilët mblidhen në forume të tjera), por ligjërimin politik, si një ligjërim që lidhet me shoqërinë e organizuar.
Kjo temë mbi të huajin më prek shumë, ashtu siç besoj se prek edhe shumë shqiptarë. I huaj, për ne shqiptarët, është një fjalë që ka mbartur magjepsjen e atyre viteve kur gjithçka e huaj ishte e lakmuar, kaq e lakmuar sa, sapo na u dha rasti, u hodhëm në anën tjetër të detit, në anën tjetër të botës, për të zënë vendin e të huajit, të atij që ishte jashtë, duke rrezikuar jo pak. Ky vrap ndihet sot në të gjithë Europën, madje edhe më gjerë. Janë njerëz që vrapojnë për t’i shpëtuar mjerimit, luftës, shkatërrimit, vdekjes, dhe për të cilët dera është rrallëherë e hapur.
U habita kur hapa fjalorin e shqipes dhe nuk gjeta atë përkufizimin neutral, gati-gati poetik, që ne i kemi dhënë kësaj fjale. I huaj, sipas fjalorëve, është dikush ose diçka që nuk ka të bëjë me ne, që ka një përkatësi të ndryshme nga e jona, që vjen nga një bark tjetër, nga një vend tjetër, nga një kulturë tjetër. Një i huaj përkufizohet si një i panjohur, dikush larg nesh, larg ideve, pikëpamjeve dhe mendimeve tona. Madje, kur themi i huaj, nënkuptojmë edhe dikë të ftohtë, me të cilin nuk kemi lidhje afektive.
Në psikanalizë, në fakt, i huaji nuk na është dhe aq i huaj. Kemi mundësinë ta ndeshim atë pak kohë pasi kemi zënë vend në divan. Por më parë, le të kujtojmë ç’ishte i huaji për psikanalizën frojdiane, në fillimet e saj.
Jemi në hapat e parë të Freud-it, në kohën kur ai përpiqej të kuptonte funksionimin e aparatit psikik, të cilin më vonë do ta përshkruante, në topikën e tij të parë, përmes të pavetëdijshmes, të paravetëdijshmes dhe të vetëdijshmes. Në studimet e hershme mbi histerinë, Freud-i dhe Breuer-i e përshkruanin traumën psikike si një trup të huaj[1], që vazhdonte të vepronte edhe shumë kohë pas ngjarjes që e kishte shkaktuar. Në atë periudhë, trajtimi synonte të çlironte subjektin nga efektet e traumës përmes rikthimit të kujtimit traumatik dhe shprehjes së afektit të lidhur me të. Por përvoja klinike do ta çonte Freud-in drejt një kuptimi gjithnjë e më kompleks të simptomës dhe të asaj që mbetet e panjohur për vetë subjektin.
Në vitin 1919, në tekstin L’inquiétante étrangeté[2], Freud-i shqyrton atë ndjesi të çuditshme dhe shqetësuese që lind kur diçka, në dukje e huaj dhe e panjohur, na shfaqet si çuditërisht familjare. Është ajo që duhej të kishte mbetur e fshehur, por që rikthehet, duke e vendosur subjektin përballë diçkaje që e tejkalon atë. Kjo përvojë na kujton edhe pohimin e Freud-it se uni nuk është zot në shtëpinë e vet[3]. I huaji nuk vjen domosdoshmërisht nga jashtë; ai mund të shfaqet në vetë intimitetin e subjektit, deri në atë pikë sa të bëhet tmerrues për të.
Me zhvillimin e teorisë psikanalitike dhe formulimin e koncepteve të tjera kyçe, ndër të cilat ai i narcisizmit[4], Freud-i e thellon gjithnjë e më shumë mënyrën se si e kupton simptomën dhe punën psikanalitike. Nuk bëhet më fjalë thjesht të nxjerrim jashtë këtë trup të huaj, por të njohim këtë të huaj që është pjesë e jona, këtë të huaj që jam unë, sado frikësuese të na duket kjo.
Kaq për këtë rrugëtim të shkurtër në mendimin frojdian. Por edhe kur e ndeshim në intimitetin e të pavetëdijshmes sonë, i huaji mbetet i huaj. As koha e kaluar në divanin për të cilin folëm pak më parë nuk mjafton për ta bërë plotësisht të njohur, pavarësisht atyre çarjeve të rrufeshme që na ndodhin herë pas here, duke na surprizuar (surpriza është më e pakta që mund të thuhet).
Ndërkohë, psikanaliza vazhdon të bëjë rrugën e saj dhe ligjërimi ndryshon. Më 17 korrik 1949, në Kongresin Ndërkombëtar të Psikanalizës në Zyrih[5], Jacques Lacan rimerr konceptin e stadit të pasqyrës, të cilin e kishte paraqitur trembëdhjetë vjet më parë. Për Lacan-in, ky stad lidhet me formimin e unit te fëmija, afërsisht nga mosha gjashtë deri në tetëmbëdhjetë muaj. Në këtë periudhë, përvoja e trupit është ende e fragmentuar, ndërsa imazhi që fëmija ndesh në pasqyrë i paraqitet si një tërësi. Identifikimi me këtë imazh shoqërohet me një ngazëllim, edhe pse fëmija nuk e zotëron ende plotësisht trupin e tij. Kështu, uni formohet përmes një identifikimi me një imazh që vjen nga jashtë, në marrëdhënie me të ngjashmin (le semblable), me atë që Lacan-i e quan tjetri i vogël.
Në Seminarin II, më 25 maj 1955[6], Lacan-i shpjegon dallimin midis tjetrit të vogël (petit autre) dhe Tjetrit të madh (grand Autre). Ai thekson se tjetri i vogël është uni, ose më saktë imazhi i tij, me të cilin subjekti mban një marrëdhënie pasqyrimi.
Lidhur me këtë dallim, Lacan-i shprehet: « Ju kam treguar disa herë deri në ç’pikë ky dallim është thelbësor dhe burim i gjithfarë dykuptimësish gjatë analizës. Duhet të dini se ka dy të tjerë për t’u dalluar, të paktën dy: një Tjetër, me A të madhe, dhe një tjetër me a të vogël, që është uni. Dhe sa i përket Tjetrit, për të flasim kur bëhet fjalë për funksionin e fjalës. »[7]
Lacan-i flet për këtë Tjetër të madh si për një Tjetër që nuk mund të reduktohet te uni apo te marrëdhënia me të ngjashmin. Ai e vendos Tjetrin në regjistrin simbolik, si vendin ku shpaloset fjala dhe ku subjekti merr një pozicion në raport me atë të cilit i drejtohet. Këtë e ilustron me shembullin e dikujt që, duke i thënë një gruaje « Ti je gruaja ime! », e vendos njëkohësisht veten në pozicionin e bashkëshortit të saj[8].
E parë në këtë mënyrë, nga një këndvështrim psikanalitik, kufijtë midis nesh dhe tjetrit apo të huajit janë të butë, të ndërlikuar, mbartin rrezikun e të cekurit, të prekurit, të ndeshurit dhe, ndonjëherë, edhe të shkelurit. E për këtë arsye më duken kaq aktualë.
P.S. Një falënderim të sinqertë dhe shumë të ndjerë për piktorin Agim Sulaj, që më lejoi të ilustroj shkrimin tim, me bujarinë dhe lehtësinë e një artisti.
[1] Breuer, Josef dhe Freud, Sigmund (1895), Études sur l’hystérie, në Œuvres complètes. Psychanalyse, vëll. II, 1893–1895, Paris, PUF, 2009, f. 9–332.
[2] Freud, Sigmund (1919), « L’inquiétante étrangeté », në L’inquiétante étrangeté et autres essais, Paris, Gallimard, 1985, f. 213–263.
[3] Freud, Sigmund (1917), « Une difficulté de la psychanalyse », në Œuvres complètes. Psychanalyse, vëll. XV, 1916–1920, Paris, PUF, 1996, f. 41–51.
[4] Freud, Sigmund (1914), « Pour introduire le narcissisme », në Œuvres complètes. Psychanalyse, vëll. XII, 1913–1914, Paris, PUF, 2005, f. 213–245.
[5] Lacan, Jacques (1949), « Le stade du miroir comme formateur de la fonction du Je telle qu’elle nous est révélée dans l’expérience psychanalytique », kumtesë e mbajtur në Kongresin XVI Ndërkombëtar të Psikanalizës, Zyrih, 17 korrik 1949, në Écrits, Paris, Seuil, 1966, f. 93–100.
[6] Lacan, Jacques (1977), Le Séminaire, livre II. Le Moi dans la théorie de Freud et dans la technique de la psychanalyse (1954–1955), botimi i përgatitur nga Jacques-Alain Miller, Paris, Seuil, kapitulli XIX, « Introduction du grand Autre », seanca e 25 majit 1955.
[7] Te Lacan-i, tjetri i vogël (autre, i shënuar me a) i përket regjistrit imagjinar dhe marrëdhënies pasqyrore, ndërsa Tjetri i madh (Autre, i shënuar me A) përcakton vendin simbolik të fjalës dhe të gjuhës. Shih Lacan, Jacques, Le Séminaire, livre II, vep. cit., kapitulli XIX.
[8] Lacan, Jacques, Le Séminaire, livre II, vep. cit., f. 372. Shembulli « Tu es ma femme » (« Ti je gruaja ime ») ilustron mënyrën se si fjala që i drejtohet tjetrit angazhon njëkohësisht edhe pozicionin simbolik të atij që flet.






