Prezantimi i temës së Kongresit të NLS-së, 2027
nga Éric Zuliani
Ju propozoj që, gjatë këtij viti, të interesohemi për skenarët fantazmatikë.
Bëhet fjalë për një qasje klinike ndaj fantazmës, e cila zë një vend paradoksal në fushën e psikanalizës: ne i referohemi rrallëherë fantazmës gjatë përvojës analitike apo në aktivitetet tona – por vërejmë që numri i fundit i revistës La Cause du désir, titullohet Fantazma. Nëse në fund të analizës, fantazma merr rëndësi të madhe kur i referohemi mënyrës se si kemi kaluar nëpër të, çfarë forme merr ajo apo cili është funksioni i saj gjatë punës analitike?
Nuk do të nisemi nga formula e fantazmës $ ◇ a, e cila është e njohur tashmë, por nga shqyrtimi i skenarëve fantazmatikë si në analizë ashtu edhe në qytetërim. Kjo do të na japë mundësinë të mësojmë më shumë mbi subjektin e të pavetëdijshmes në marrëdhënie me këtë objekt a.
Një imazh që merr funksion brenda strukturës shenjuese
Skenari, në kuptimin kinematografik të fjalës, është një strukturë e detajuar dhe e shkruar, me ndarje të parapërgatitura të rrjedhës së ngjarjeve, të cilat i japin filmit strukturë përpara se montazhi të japë një version të caktuar. Skenari fantazmatik nuk mund të reduktohet thjesht në një produkt të imagjinatës: imazhi merr funksion brenda strukturës shenjuese[1] sipas përkufizimit që Lacan-i jep për fantazmën në shkrimin « La direction de la cure et les principes de son pouvoir » (Drejtimi i kurës dhe parimet e forcës së saj), përkufizim që të lejon të orientohesh brenda prodhimeve imagjinare të një Hans-i[i], për shembull.
Kështu, fantazma mund të kuptohet, siç nënvizonte Jacques-Alain Miller me rastin e botimit të Seminarit La Logique du fantasme (Logjika e fantazmës), si një ëndërrim vetmitar, si ëndërr me sy hapur që ndonjëherë ka funksion ngushëllues; dhe së dyti si një « mjet ëndjeje – edhe kjo vetmitare »[2]. Në këtë rast, imazhi, fjala, fjalia, skenari janë në dispozicion të subjektit dhe vijnë si mbështetje për masturbimin, një veprimtari seksuale së cilës Freud-i i kushtoi një vëmendje të veçantë dhe që pësoi ndryshime me shfaqjen e pornografisë. Por J.-A. Miller dallon edhe një kuptim të tretë, i cili është « më kompleks: fantazma e pavetëdijshme, e ashtuquajtura fantazma themelore, [e cila] kornizon gjithë jetënmendore të subjektit dhe që del në pah gjatë kurës »[3]. Këta skenarë fantazmatikë, të përjetuar në mënyrë vetmitare, komunikohen me vështirësi gjatë analizës, pasi subjekti është më i prirur të flasë për simptomat e tij; fakti që fantazma zbulohet gjatë kurës do të thotë se ajo nuk lidhet vetëm me të thënat dhe interpretimet e tyre: për Freud-in fantazma ndërtohet.
Të interesohesh për fantazmën do të thotë të hedhësh dritë, përtej asaj që i përket algoritmit shenjues S1 → S2, mbi atë që rrjedh nga formula e fantazmës, $ ◇ a.
Shtrirja e skenarëve fantazmatikë
J.-A. Miller rikujton në kongresin e fundit të AMP-së (Shoqatës Botërore të Psikanalizës), se kemi një ide mbi fantazmën, që në çastin kur një subjekt vjen të na takojë. Përse? Sepse diçka nga kjo fantazmë është tronditur dhe e ka vendosur subjektin në një pozicion ku ai kërkon interpretim. Le të marrim për shembull, momentet e para të kurës në rastin « Njeriu i minjve »[ii], për të kuptuar shtrirjen e asaj që nënkuptojmë me skenar fantazmatik.
Fillimisht, « Njeriu i minjve » përballet me një skenar të parë, me trajta perverse, atë të torturës me miun, që ka një efekt të fuqishëm mbi të. Një skenar i dytë, po aq fantazmatik, është ai i qarkut labirintik të një borxhi të pamundur për t’u shlyer. Së fundmi, i treti, luhet në skenën transferenciale dhe përfshin Freud-in përmes figurës së kapitenit mizor.
Mund të themi kështu se kemi të bëjmë me një vënie në akt të realitetit seksual të pavetëdijshëm. Freud-i është i vëmendshëm kur vëren se Njeriu i minjve « vetëm përgjatë rrugës së dhimbshme të transferencës, arriti të bindej se marrëdhënia me të atin nënkuptonte vërtet ndjenja [veçanërisht urrejtje] të pavetëdijshme[4] ». Ja përse Lacan-i thoshte: « Ta çosh pacientin te fantazma e tij zanafillore nuk do të thotë t’i mësosh atij ndonjë gjë, por të mësosh prej tij se si duhet vepruar. Për sa i përket objektit a, në raportin e tij me ndarjen e subjektit, është pacienti ai që di si të veprojë, ndërsa ne jemi në vendin e rezultatit, për aq sa kontribuojmë që ai të arrihet.[5] »
Pikasur dhe nënkuptuar
Që në fillim, Freud-i interesohet për simptomat që lidhen me seksualitetin, pa neglizhuar atë që ai e cilësonte si fantazi apo fantazmë, e cila paraqitet si mbështetje e këtij seksualiteti. Në Letrat drejtuar Fliess-it, ai i shqyrton këta skenarë në lidhje me ëndrrën; ai shkon deri te rrënjët e tyre infantile; i nxjerr ato në pah si te neuroza ashtu edhe te paranoja. Përcaktuese është se ai i lidh ato me dëshirën, përpara se t’i lidhë me realitetin. Braktisja e Neurotica-s së tij i jep, në fakt, fantazmës një vend qendror në raport me realitetin efektiv: realiteti psikik bëhet kështu përcaktues, vendi ku ngjarja dhe fantazma ndërthuren[6].
Për sa u përket rrënjëve të tyre infantile, Freud-i thekson rëndësinë e asaj që është dëgjuar dhe asaj që është parë, në formimin e tyre, duke parathënë kështu dy objektet pulsionale që janë në lojë: zërin dhe vështrimin. Më saktësisht, këta skenarë fantazmatikë përmbajnë atë që është e pikasur dhe e nënkuptuar, domethënë diçka që tejkalon atë që është parë ose dëgjuar, si në fetishizëm apo në skenën primitive. Këto formëzime fantazmatike mbeten të fiksuara në jetën psikike të subjektit dhe e kanë të vështirë të shfaqen gjatë seancës analitike. Të interesohesh për fantazmën do të thotë të fokusohesh përtej simptomës, e cila strukturon praktikën klinike. Duke marrë në konsideratë përveç saj, edhe skenarët fantazmatikë, mund të gjurmojmë marrëdhëniet midis fantazmës dhe simptomës në raport me kënaqësinë pulsionale, prej nga vjen dhe titulli i mësimit të orientimit lakanian të J.-A. Miller: « Du symptôme au fantasme et retour »[7] (Nga simptoma te fantazma dhe mbrapakthehu).
Përballja me dëshirën e Tjetrit
Fantazma na afron më pak me çështjen e realitetit, sesa me atë që mund të manifestohet brenda tij: dëshira e Tjetrit, madje vullneti i tij për ëndje. Është pikërisht kjo strukturë e një përtej, ajo e dëshirës së Tjetrit, ndaj së cilës mbrohet neurotiku dhe që sinjalizohet nga angështia e fobikut, ikja e histerikut apo vrasja e dëshirës nga obsesivi. Dëshira e Tjetrit është një përballje[8] ndaj së cilës subjekti mbrohet përmes të gjithë llojeve të skenarëve fantazmatikë. Histeriku fut në lojë një të tretë, i cili do të dinte t’i përgjigjej kësaj dëshire të Tjetrit, ndërsa ai vetë provon ëndje nga dëshira e tij e papërmbushur. Obsesivi i ofron Tjetrit, i cili kërkon dhe për rrjedhojë dëshiron, spektaklin e dëshirës së tij të pamundur dhe për rrjedhojë të frenuar.
Si lakohet fantazma në mashkullore apo në femërore? Një pyetje që hap fushën e jetës dashurore, ku fallusi rreh ritmin e pantomimave të qenësishme të komedisë së sekseve.
Seminari VI[iii] do të jetë një referencë e rëndësishme për temën tonë. Sipas J.-A. Miller-it, pikërisht aty Lacan-i prodhon logjikën e tij të parë mbi fantazmën: « Më vonë do të vijë Seminari XIV, i cili do të mbajë titullin « La logique du fantasme » (Logjika e fantazmës). Kjo logjikë e dytë e fantazmës […] do të mbështetet në artikullin […] « Position de l’inconscient » (Pozicioni i të pavetëdijshmes), […] të cilin Lacan-i e komenton në Seminarin XI[9] ».
Pikërisht në Seminarin VI fantazma cilësohet si themelore, pasi ajo përqendrohet mbi atë që lidh subjektin dhe objektin, ku objekti është ende objekt dëshire dhe akoma jo objekt pulsioni. Dëshira e Tjetrit nuk është Tjetri, por mungesa e tij, të cilës subjekti i përgjigjet përmes regjistrit të objektit. Përveç përgjigjeve që dëshira e Tjetrit sjell në neurozë, psikozë apo perversion, mund të kapim rëndësinë e funksionit që merr dëshira e analistit, në drejtimin e kurës. Le ta ilustrojmë këtë me një element klinik tipik që na jep J.-A. Miller: çdo përfitim terapeutik mbi simptomën implikon një shfaqje fantazmatike prej së cilës manifestohet dëshira e Tjetrit për subjektin[10]. A nuk tregon ky cikël, përmes vetë lëvizjes së tij, një rikthim në pikën e ngërçit të subjektit dhe funksionin që luan aty dëshira e analistit për të gjetur një kalim?
Gjithmonë, në Seminarin VI, por edhe në punime të tjera, duke u nisur nga fakti që shtigjet e dëshirës janë perverse, Lacan-i zhvillon një klinikë diferenciale të fantazmës në raport me perversionin, ku ose kërkohet objekti ose vihet në shënjestër subjekti dhe ndarja e tij. Hyrja në « boudoir-in sadian »[11], do të hedhë dritë mbi përmbysjen etike që bën Freud-i në lidhje me ëndjen, si dhe mbi një klinikë diferenciale të fatit të fantazmës, që mbetet për t’u sqaruar, kur Lacan-i nënvizon se « Sade nuk mashtrohet nga fantazma e tij, për aq sa rigoroziteti i mendimit të tij kalon në logjikën e jetës së tij »[12].
Fantazma në vendin e reales
Fantazma zë një pozicion paradoksal në lidhje me realen, pikë të cilën Lacan-i e nënvizon kur flet për të si për një ekran: « skema e fantazmës funksionon në raport me realen. Realja mbështet fantazmën, fantazma mbron realen»[13]. Lacan-i nuk thotë « mbron ndaj reales », sepse fantazma mbyll dhe hap aksesin te realja, aty ku është në lojë objekti i pulsionit. Në Seminarin XIII[iv] ndërsa i referohet piktorit Magritte, ai vë në pah serinë e tij të tablove që paraqesin një tablo brenda një dritareje: « Është […] imazhi, të cilit iu drejtova për të shpjeguar se cili është funksioni i fantazmës[14] ». Përse? Sepse fantazma është po aq kornizë sa edhe dritare, dhe rasti i Njeriut të ujqve[v], përbën një ilustrim veçanërisht domethënës të kësaj.
Në jetën e tij, ëndrra e ujqve rikthehet tre herë, çdo herë në lidhje me këtë dimension të dyfishtë të kornizës dhe dritares. Kjo tablo në dritare, herë mbron nga realja dhe herë nuk mbron prej saj: atëherë shfaqet aty një vullnet dashakeq. Si fillim kemi ëndrrën zanafillore të fëmijërisë së tij, në të cilën vetëm një imazh katatonik, katatoni e vetë subjektit, fikson brenda një kornizë të dyfishtë — imazh dhe dritare — një prani kërcënuese që sinjalizon angështinë. Më vonë, në fillimet e trajtimit me Ruth Mack Brunswick, në një episod paranoje subjekti rrëfen një ëndërr tjetër, ku një tufë ujqish gri e kërcënojnë. Një mur i ndan, por në çdo çast ai mur mund të kapërcehet. Në fund të trajtimit, Brunswick vëren një riekuilibrim të subjektivitetit të Njeriut të ujqve përmes rifillimit të veprimtarisë së tij si piktor, shenjuar nga një ëndërr në të cilën ai sheh, edhe një herë përmes dritares, një peizazh qetësues me pemë – pa ujqër -, të cilin do të dëshironte ta pikturonte.
Fantazma, nga ëndërrimi tek aksioma që organizon gjithë jetën e subjektit, duke përfshirë kënaqësinë që ajo mund t’i sigurojë atij, ndonjëherë, më shumë sesa partneri i jetës, e gjen paradigmën e saj në atë që Freud-i veçon: Një fëmijë është rrahur[vi]. Ai i bën asaj një artikulim edipian, të kyçur nga dashuria për atin, skicon gramatikën e asaj që e koncepton si një fjali duke përfunduar në mazokizëm. Lacan-i i rikthehet asaj shumë herë. Këto rikthime kërkojnë një studim të mëtejshëm, pa lënë mënjanë ndjenjën e turpit që shoqëron pohimin, kaq të vështirë, të kësaj fantazme. Çfarë ndodh sot, në një kohë paturpësie të përgjithësuar?
Fantazmat në botë
Në fund të Seminarit VI, vërejtjet e Lacan-it mbi sublimimin do të na japin një drejtim të ri për të eksploruar atë që arti i detyrohet fantazmës. Ai e përkufizon « si vetë formën në të cilën rrjedh dëshira », ku « pulsioni mund të reduktohet në një lojë të pastër të shenjuesit. […] Sublimimi […] është ai përmes së cilit dëshira dhe shkronja mund të jenë të barasvlershme. [Ai] zë vend si i tillë në nivelin e subjektit logjik, atje ku merr shkas dhe zhvillohet gjithçka që përbën, në kuptimin e ngushtë të fjalës, punën krijuese në fushën e logos. Nga këtu, integrohen pak a shumë në shoqëri […] veprimtaritë kulturore, me të gjitha ndikimet dhe rreziqet që ato mbartin, deri në rishikimin e konformizmave të vendosur më parë. »[15]
Një drejtim tjetër hapet drejt zakoneve, mënyrave të ëndjes që ekzistojnë, për shkak të raportit seksual që nuk ekziston: gjithfarë fantazmash vijnë për ta zëvendësuar atë. Kështu, J.-A. Miller na tregon se « nuk ka norma seksuale, por norma shoqërore ». Por « aty ku ka norma shoqërore, ka edhe kundër-norma shoqërore, jashtë-norma shoqërore, të cilat janë pjesë të të njëjtit sistem »[16]. Ky është një saktësim i rëndësishëm për të eksploruar, në fushën shoqërore « daljen nga shinat të ëndjes sonë »[17], të cilës i përgjigjen fantazmat kolektive: kërkimi i shfrenuar i një identiteti në të cilin «Tjetri është trupi »[18]. Po në të njëjtin kapitull, Lacan-i pohon gjithashtu se « e pavetëdijshmja është politika », duke shtuar se « ajo që i lidh njerëzit mes tyre, si dhe ajo që i kundërvë, duhet të shpjegohet duke u nisur nga ajo, logjikën e së cilës përpiqemi ta artikulojmë […] domethënë, nga fantazma »[19].
Për çfarë politike flet Lacan-i? Për atë të simptomës, e cila, në fund të një analize, nuk përshkohet, ndryshe nga fantazma. Të përshkosh fantazmën dhe, përtej saj, të dish ç’të bësh me mbetjet simptomatike: a nuk lidhet fundi i një analize me « këtë shqetësim për Shkollën », të cilin J.-A. Miller-i e përmendte së fundmi, për aq sa kjo aftësi për të ditur se ç’të bësh me to, kjo sinthome, mund të vihet në shërbim të Shkollës?
Përktheu
Klodiana Bardhoshi
[1]Cf. Lacan J., « La direction de la cure et les principes de son pouvoir », Écrits, Paris, Seuil, 1966, p. 637
[2] Miller J.-A., « Propos sur La Logique du fantasme », La Cause du désir, no 114, juin 2023, p. 69.
[3] Ibid.
[4] Freud S., « Remarques sur un cas de névrose obsessionnelle (L’Homme aux rats) », Cinq Psychanalyses, Paris, PUF, 1985, p. 235
[5] 5. Lacan J., Le Séminaire, livre XII, Problèmes cruciaux pour la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil & Champ freudien Éd., 2025, p. 297.
[6] Cf. Miller J.-A., « Le Séminaire de Barcelone sur Die Wege der Symptombildung », Le Symptômecharlatan, Paris, Seuil, 1998.
[7] Miller J.-A., « L’orientation lacanienne. Du symptôme au fantasme et retour », enseignement prononcé dans le cadre du département de psychanalyse de l’université Paris 8, 1982-1983, inédit & Miller J.-A., « Symptôme – Fantasme », La Cause du désir, no 114, juin 2023, p. 72
[8] Cf. Lacan J., « La signification du phallus », Écrits, op. cit., p. 693.
[9] Miller J.-A., « Une introduction à la lecture du Séminaire VI, Le désir et son interprétation », La Cause du désir, no 86, mars 2014, p. 63.
[10] Cf. Miller J.-A., « Symptôme – Fantasme », op. cit. p. 75.
[11] Lacan J., « Kant avec Sade », Écrits, op. cit., p. 765.
[12] Ibid., p. 778.
[13] Lacan J., Le Séminaire, livre XI, Les Quatre Concepts fondamentaux de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1973, p. 41. Italique mis par l’auteur.
[14] Lacan J., Le Séminaire, livre XIII, L’Objet de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, p. 337.
[15] Lacan J., Le Séminaire, livre VI, Le Désir et son interprétation, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2013, p. 571.
[16] Miller J.-A., « Propos sur la logique du fantasme », La Cause du désir, no 114, op. cit., p. 70 & 71.
[17] Lacan J., « Télévision », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 534.
[18] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasme, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil & Champ freudien Éd., p. 311.
[19] Ibid., p. 317-318.
[i] Freud S., « Analyse d’une phobie chez un petit garçon de 5 ans (Le petit Hans) », Cinq Psychanalyses, Paris, PUF, 1985, p. 93-198.
[ii] Freud S., « Remarques sur un cas de névrose obsessionnelle (L’Homme aux rats) », Cinq Psychanalyses, Paris, PUF, 1985, p. 199-229.
[iii] Lacan J., Le Séminaire, livre VI, Le Désir et son interprétation, texte établi par J.-A. Miller, Paris, La Martinière/Le Champ freudien, 2013.
[iv] Lacan J., Le Séminaire, livre XIII, L’Objet de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil & Le Champ freudien, 2026.
[v] Freud S., « Extrait de l’histoire d’une névrose infantile (L’homme aux loups) », Cinq Psychanalyses, Paris, PUF, 1985, p. 325-405.
[vi] Freud S., « Un enfant est battu, contribution à la connaissance de la genèse des perversions sexuelles », Névrose, psychose et perversion, PUF, 1973, 3e tirage, juillet 2005, p. 219-243.






