Ajo që s’po mund të thuhet
Nga Eva Filaj
Prej disa kohësh, rrugët e Tiranës dhe të shumë qyteteve të tjera në Shqipëri janë kthyer në skenën e një zemërimi që kërkon të dëgjohet. Zërat ngrihen, protestat pasojnë njëra-tjetrën, tensionet dalin në hapësirën publike. E megjithatë, ndërsa ligjërimet shumëfishohen, vetë mundësia për të folur me njëri-tjetrin duket se po bëhet gjithnjë e më e brishtë.
Më shumë se tridhjetë e pesë vjet më parë, Shqipëria dilte nga një prej regjimeve më të mbyllura të Europës. Me rënien e komunizmit lindi shpresa për një të ardhme tjetër: liria, demokracia, mundësia për të zgjedhur qeverisësit dhe për t’i ndryshuar ata përmes votës. Që atëherë, Shqipëria ka ndryshuar shumë, por jo gjithmonë në drejtimin e shpresuar. Tranzicioni, kjo fjalë që duhej të shënonte një kalim, duket se është kthyer në një gjendje të përhershme. Sikur të ishim ende në rrugë drejt diçkaje që vazhdimisht na rrëshqet nga duart.
Kanë kaluar më shumë se tri dekada, janë ndërruar qeveritë, por nuk është zhdukur ndjesia se historia nis gjithmonë nga e para. Premtimet për një fillim të ri përsëriten, ndërsa mosbesimi ndaj institucioneve, dyshimet për korrupsion dhe ndjenja e padrejtësisë vazhdojnë të përshkojnë shoqërinë. Sot, pas më shumë se një dekade qeverisjeje nga e njëjta shumicë, hetimet gjyqësore që prekin nivelet më të larta të shtetit po e tronditin edhe më tej besimin e publikut. Drejtësia, e pritur prej kohësh si një premtim, zë tashmë një vend qendror në pikëpyetjet që trazojnë vendin.
Në këtë skenë, personazhet njihen prej kohësh: një pushtet i rrënjosur prej vitesh, një opozitë që e ka të vështirë të mishërojë mundësinë e ndryshimit, institucione të cilave u kërkohet të japin llogari dhe qytetarë që nuk e gjejnë më veten në ligjërimet që u drejtohen. Veçanërisht të rinjtë e shohin të ardhmen e tyre me pasiguri, ndërsa premtimet politike nuk duket se u japin më shpresë.
Kështu, protesta bëhet pjesë e një historie më të gjatë se ajo e manifestimeve të sotme. Në rrugë shprehen pakënaqësi dhe ngrihen kërkesa. Më pas vijnë përplasjet, ndërhyrjet e forcave të rendit, pamjet e dhunës. Rruga kthehet në vendin ku ndeshen, ndonjëherë ashpër, fjalë që duket se nuk arrijnë më të takohen.
Pushteti flet, opozita kundërpërgjigjet, protestuesit kërkojnë përgjigje, mediat komentojnë, qytetarët reagojnë. Çdo ngjarje sjell shpjegime të reja, çdo deklaratë ngjall një kundërpërgjigje, çdo akuzë pasohet nga një përgënjeshtrim. Flitet pa pushim. Pikërisht duke ndjekur këtë rrjedhë pothuajse të pandërprerë fjalësh, m’u rikthye pyetja që do të na mbledhë vitin e ardhshëm në kongresin e EuroFederatës së Psikanalizës, PIPOL 13: «Të thuash gjithçka?»
Pyes veten atëherë se çfarë ndodh me të thënën në këtë vërshim fjalësh. Ndërsa fjalët shtohen, grumbullohen e mbivendosen, duket se diçka u shpëton gjithsesi.
Ajo që më bie në sy është gatishmëria e pushtetit për të pasur gjithmonë një përgjigje. Shpjegon, premton, përgënjeshtron, justifikohet. Asgjë nuk duket se mbetet pa një shpjegim, madje as ajo që ende nuk është pyetur. Mendoj për këmbënguljen e kryeministrit për të na çuar në Europë. Sikur të mos mjaftonte të na tregonte rrugën, por të duhej të dinte edhe dëshirën që na shtyn drejt saj. Në këtë rrjedhë të pandërprerë deklaratash, krijohet përshtypja se gjithçka është dëgjuar, gjithçka është kuptuar dhe gjithçka ka marrë përgjigje. Çfarë mbetet për t’u thënë, kur edhe dëshira e tjetrit duket se dihet tashmë?
Por përtej vështirësisë për të dëgjuar, shtrohet një pyetje ndoshta edhe më shqetësuese: ajo e vetë dëshirës për të dëgjuar. Të dëgjosh do të thotë të mos e dish paraprakisht çfarë do të thotë tjetri, të lësh të hapur mundësinë që fjala e tij të tronditë disa prej bindjeve tona. Duke dashur të shpjegojmë gjithçka, rrezikojmë të ndeshemi vetëm me përgjigjet që i kemi përgatitur tashmë.
Në këtë varg ligjërimesh, pra, nuk është heshtja ajo që mbizotëron. Mbetet të kuptojmë se çfarë bëhet me një kërkesë kur ajo ndeshet jo me mungesën e përgjigjes, por me një përgjigje që duket se vjen gjithmonë përpara se kërkesa të ketë pasur mundësinë të dëgjohet.
Megjithatë, kërkesat që shprehen në rrugë janë reale. Ato kërkojnë përgjigje, veprime dhe përgjegjësi. Do të ishte e gabuar ta reduktonim protestën te përplasjet dhe dhuna që mund ta shoqërojnë. Pas një revolte qëndrojnë kërkesa dhe pritshmëri të ndryshme, ndonjëherë edhe kundërthënëse. Por aty mund të shprehet edhe një këmbëngulje për të mos u dorëzuar, për të mos e pranuar të ardhmen si të paracaktuar dhe për të mbajtur të hapur mundësinë e ndryshimit.
E megjithatë, kur qëndrimet ngurtësohen, përballja fiton gjithnjë e më shumë terren. Pamjet e dhunës, që për një çast dalin në plan të parë, kthehen menjëherë në shkak për akuza, komente dhe justifikime të tjera. Kështu, fjala dhe forca duket se ia lënë vendin njëra-tjetrës, në një lëvizje së cilës është e vështirë t’i gjesh fundin.
Ajo që më shqetëson, përtej vetë përplasjeve, janë pasojat që mund të ketë një përsëritje e tillë mbi lidhjen shoqërore. Kur të njëjtat skena përsëriten, kur secili duket se zë sërish vendin që ka pasur më parë, dhuna rrezikon të kthehet në një mënyrë të zakonshme për t’iu përgjigjur njëri-tjetrit. Dhe ajo që kishte lindur si një kërkesë drejtuar tjetrit rrezikon të humbasë në këtë përballje që përtërihet pa fund.
Në një bisedë të para disa ditëve, një kolege psikanaliste më pyeti se si mund të mbështetet dëshira përballë pulsionit të vdekjes. Pyetja e saj më rikthehet përpara këtyre skenave ku zemërimi, fjala dhe dhuna duken ndonjëherë të përfshira në të njëjtën lëvizje. E megjithatë, ajo që mund të shprehet në një revoltë nuk mund të ngatërrohet me atë që, në përsëritjen e përplasjeve, rrezikon t’ia shuajë forcën. Ajo që lind si kërkesë për ndryshim mund të përfundojë e mbërthyer në përsëritjen e së njëjtës përballje. Çfarë është atëherë ajo që vazhdon të këmbëngulë?
Mendoj atëherë për formulimin e Lacan-it, në Seminarin e tij VII, Etika e psikanalizës: «Të mos lëshosh pe në dëshirën tënde». Ky formulim merr një jehonë të veçantë kur ajo që ndodh nuk mbetet jashtë derës së kabinetit tonë, por përshkon rrugët e qytetit ku jetojmë, bisedat e përditshme, shqetësimet për të ardhmen.






