Skip to main content

Hyrje në Ditën e 8-të të Institutit Psikanalitik të Fëmijës të Fushës frojdiane[1]

Nga Daniel Roy

Kam kënaqësinë t’ju paraqes temën e Ditës së ardhshme të studimit të Institutit Psikanalitik të Fëmijës të Fushës frojdiane. Si çdo dy vjet, ajo është rezultat i një shkëmbimi me Jacques-Alain Miller dhe këtë vit, ndër temat që qarkulluan, preferenca shkoi për: « Ëndrrat dhe fantazmat te fëmija ».

Një dallim

Pse kjo zgjedhje? Në këtë titull mund të kapim një dallim fenomenologjik midis ëndrrës dhe fantazmës, dallim mbi të cilin na takon të hedhim dritë.

Në të vërtetë, thuhet shpesh që një fëmijë ëndërron; në disa raste kjo e magjeps rrethin e tij familjar, apo mund të sjellë shqetësim në rastet kur ëndrra merr formën e makthit. Vetë fëmijët flasin shumë herët për ëndrrat e tyre. Në praktikën tonë me fëmijët, ne i pyesim shpesh nëse ëndërrojnë, si dhe për përmbajtjen e ëndrrave të tyre.

Nga ana tjetër, qoftë në ligjërimin e zakonshëm, qoftë në atë të dijes, nuk thuhet se një fëmijë fantazmon. Termi fantazmë, në gjuhë, është përpirë nga semantika e fantazmave seksuale, deri në pikën ku, sot, ato duken se janë kondensuar në një katalog erotiko-pornografik në internet. Le ta konsiderojmë këtë fakt si tregues të një zhvendosjeje dhe të një kondensimi të një vlere të ëndjes mbi një përfaqësim imagjinar.

E megjithatë, një psikanaliste e vendosi shumë herët fantazmën në qendër të jetës psikike të fëmijëve dhe të kurës së tyre. Ajo ishte Melanie Klein, një « grua gjeniale[2] », siç e cilëson Lacan-i, e cila diti të dallonte vlerën e ëndjes te disa përfaqësime imagjinare. Në një tekst të vitit 1936, me titull « Shkëputja nga gjiri » (Sevrage), ajo shkruan: « Puna analitike ka treguar se foshnjat vetëm disa muajshe angazhohen në mënyrë të padyshimtë në ndërtimin e fantazmave. Mendoj se kjo është veprimtaria mendore më primitive dhe se fantazmat e popullojnë mendjen e fëmijës shumë të vogël pothuajse që nga lindja.[3] » Radikaliteti i këtij pozicioni kleinian nuk e step Lacan-in. Përkundrazi, ai sheh në të një rrugë të mundshme për ta konceptuar fantazmën si një lloj makinerie të vogël, ku kryhet nyjëtimi midis gramatikës së tëpavetëdijshmes dhe dimensionit të saj pulsional, gjë që e dëshmojnë referencat e tij të shumta për Melanie Klein në Seminaret IV, V dhe VI.

Rrugët e ëndrrës, ato që e bëjnë subjektin të lindë në realitet dhe në dëshirë

Në lidhje me ëndrrën, ndodh që një fëmijë të kalojë lehtësisht nga rrëfimi i ëndrrës së tij në një rrëfim që na duket i huazuar nga histori të dëgjuara, përralla, filma apo edhe videolojëra; të gjitha këto histori mund t’i konsiderojmë si material asociativ, forma e zgjeruar e të cilit shpesh emërtohet me termin zhvlerësues trillim.

Çfarë tregon kjo? Së pari konstatojmë se rrëfimi i ëndrrës dhe asociacionet e tij, që formojnë një rrëfim të dytë, kanë të njëjtën strukturë: një strukturë « fiksioni ». Megjithatë, jo të gjitha asociacionet janë të së njëjtës natyrë: disa ndjekin gjurmën e shënjuesve që veçohen në rrëfimin e ëndrrës, i nënvizojnë ata dhe punojnë që t’i bëjnë të marrin kuptim në fushën e subjektivitetit, domethënë atë të dëshirës; disa të tjera shpërndajnë efektin e kuptimit, duke e bërë të pamundur rigjetjen e rrugës së një dëshire, gjë që quhet trillim, madje mitomani. Në rastin e dytë, nuk gjejmë më gjurmë të lexueshme e të deshifrueshme, por drejtime që hapen drejt diçkaje që, me sa duket, i shpëton punës së ëndrrës, punës për t’i bërë « të paraqitshme » gjërat « pak të paraqitshme », por që mund të tregojnë gjithashtu një mënyrë të parë për të rrethuar, për të kapur të papërfaqësueshmen: atë që Freud-i e quajti kërthiza e ëndrrës. Për këtë ju referoj te përgjigja që Lacan-i i jep Marcel Ritter-it[4].

Pra, nga materiali shënjues hapen dy rrugë për punën e ëndrrës: rruga e dëshirës, përmes së cilës ndërtohet realiteti, dhe rruga që hap vrimën përmes së cilës çdo realitet rrëshqet drejt një të pamundure për t’u përfaqësuar.

Vërejmë se vetë fëmija zë këto dy vende: dëshirën për ta bërë të paraqitshme në realitet dëshirën e prindërve të tij; dhe frikën se mos bëhet ai vetë një grisje në thurjen e idealeve të tyre. Janë dy anët e së njëjtës monedhë, me të cilën paguhet çmimi i angështisë.

Përmes këtyre dy anëve, rruga e shënjuesit, që hapet përmes ëndrrave të fëmijës, na lejon të kuptojmë këtë fjali të Lacan-it, vlerën e së cilës J.-A. Miller e ka nxjerrë në pah: « Ja rruga që përshkoi Freud-i. Ai konsideroi se asgjë nuk është tjetër veç ëndërr dhe se […] të gjithë janë të çmendur, domethënë delirantë[5] ». Me « asgjë nuk është tjetër veç ëndërr », unë kuptoj këtu një sugjerim për të marrë në konsideratë fjalët e fëmijës si bartëse të së njëjtës vlerë me shënjuesit e ëndrrës, vlerën për ta bërë subjektin të lindë njëkohësisht në realitet dhe në dëshirë.

Rruga e objektit: fantazma si ankorim i trupit folës

Në kapitujt e parë të Seminarit XIV, Logjika e fantazmës, botuar së fundmi nga Éditions du Seuil dhe Le Champ freudien éditeur, Lacan-i ndërton, sipas një logjike të caktuar, për fantazmën, një sipërfaqe prêt-à-porter[6]. Ai thotë se kjo sipërfaqe ka dy emra: « dëshirë dhe realitet [7]». E metaforizon atë si një « pëlhurë […] të endur në mënyrë të tillë që mund të kalohet, pa e kuptuar, nga njëra anë në tjetrën, pasi nuk ka as prerje, as tegel ». Ja mbi çfarë sipërfaqe shënjuese lëviz fëmija kur rrëfen ëndrrën e tij dhe jep « expliques »-t e veta. Explique është një fjalë e bukur, një neologjizëm – ipropozuar nga Lacan-i në Konferencën e Gjenevës mbi simptomën – e cila kondenson explication (shpjegim) dhe réplique (përgjigje), domethënë atë që i përgjigjet thirrjes së shënjuesve që janë formuar në ëndërr. Përmes këtyre expliques, shënjuesi « gjeneron [atë] që nuk është aty, në zanafillë, [domethënë] vetë subjektin[8] ».

Në këtë lëvizje, marrim nga goja e fëmijës njëkohësisht gjurmët që do të formojnë rrugët e dëshirës së tij — domethënë shënjuesit që vendosin kufij në udhëkryqe, që përshkruajnë një peizazh, që nënvizojnë tiparet e një personazhi apo të një kafshe gllabëruese, që veçojnë vështrimin ose zërin që dëgjohet — dhe të njëjtët shënjues që do të shënojnë realitetin në të cilin trupi i tij zë vend. Ky realitet « njerëzor » nuk është tjetër veçse një montazh i simbolikes dhe imagjinares[9], semblantët që përcaktojnë kornizën brenda së cilës qarkullon dhe fiksohet dëshira. Lacan-i e përkufizon atëherë realitetin si « prêt-à-porter-le-fantasme ». Realiteti ndërtohet kështu mbi të njëjtët semblantë si dëshira, por është një kornizë që ka rrjedhje dhe lë mbetje, të cilat formojnë « bërthamën e përpunueshme të ëndjes[10] », të cilës fantazma i jep vend.

« Subjekt i ëndjes »

Këtë punë të fantazmës e gjejmë në lojërat e fëmijës, në pantomimat dhe vizatimet e tij, dhe do të ishte me vlerë t’i trajtonim ato me të njëjtin rigorozitet gramatikor që dëshmojnë Freud-i, Lacan-i dhe J.-A. Miller në analizat e tyre të fantazmës Një fëmijë është rrahur. Atëherë do ta shohim të shfaqet edhe më qartë objekti në fjalë, pikërisht teksa ai është në procesin e humbjes. Edhe një herë, Hansi i vogël do të jetë udhërrëfyesi ynë: le të kujtojmë këtu fantazmën e dy gjirafave, të madhes dhe të voglës, ku këtë të fundit Hansi e « zhubros[11]» dhe i ulet sipër, gjë që shkakton britmat e së madhes. Le të vërejmë gjithashtu burimin që djali i vogël gjen te mbiemri i tij, Graf, për ta bërë atë boshtin e kësaj fantazme.

Në fund të Seminarit XIV, Lacan-i e përkufizon fantazmën kështu: « fantazma ka dy karakteristika – praninë e një objekti a dhe, nga ana tjetër, asgjë tjetër përveç asaj që gjeneron subjektin si $, domethënë një fjali[12] ». Një fëmijë e bën gjirafën e madhe të bërtasë, e bën të atin të bërtasë, dhe atëherë shfaqet zëri, ai që fëmija e thërret me dëshirën e tij, për të gjetur vendin e vet në dëshirën që e çon drejt nënës, tashmë inter-dit (e ndaluar/e ndër-thënë), që prej ëndrrës së angështisë që shënoi hyrjen në fobinë e tij, ku nëna shfaqej si një maman partie[13] (nënë e larguar), tashmë e paarritshme.

Këtë objekt a, « të pamundur për t’u eliminuar[14] », do ta shohim kështu të shfaqet përgjatë zinxhirëve shënjues që fëmija artikulon në ëndrrat dhe lojërat e tij, mjafton që ne t’i japim vendin që i takon: atë të bartësit të kësaj « vlere të ëndjes [që] qëndron në themel të ekonomisë së të pavetëdijshmes[15] ».

Kundër përjashtimit të fëmijës nga bota e semblantëve

Qoftë në kurat që drejtojmë, qoftë në institucionet ku presim dhe shoqërojmë fëmijët për t’i edukuar apo për t’u ofruar kujdes, veçanërisht ata që vuajnë më shumë, këto udhëzime të Lacan-it janë një ftesë për t’u formuar në këtë logjikë të fantazmës. Kjo është mundësia jonë dhe njëkohësisht mundësia që duhet t’u japim fëmijëve që takojmë. Mundësia për të lëvizur brenda ligjërimeve të dominimit që kërkojnë t’i nënshtrojnë dhe mundësia për t’u gjetur një vend objekteve-gadget që qytetërimi ynë ua ofron me bollëk. Si? E pra, duke eksploruar me secilin fëmijë shënjuesit-padron që e bëjnë subjekt; dhe ëndrra mbetet këtu « rruga mbretërore[16] », për aq sa i japim vendin e vet « asaj pjese të rezervuar të trupit ku ëndja mund të gjejë strehë[17] », e cila quhet objekti a.

Bëhet fjalë, në fakt, për të farkëtuar mjetet që na mundësojnë t’i kundërvihemi përjashtimit të fëmijëve nga bota e semblantëve – në mënyrën si këta artikulohen midis ëndrrave dhe fantazmave – përmes normave dhe vlerësimeve; përjashtimit përmes identiteteve të imponuara; përjashtimit përmes shpërfilljes së fjalës së fëmijës, për aq sa ajo endet midis enigmës dhe fiksimit të ëndjes.

Në tregun e ligjërimeve të kohës sonë, ligjërimi analitik sjell diçka të re, për të cilën ne jemi përgjegjës. Për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie, na imponohet një formim solid, analizë personale dhe shkëmbime me « ca të tjerë », për të mbajtur parasysh se një fëmijë, si çdo parlêtre (qenie folëse), është « subjekt i ëndjes », ashtu siç Lacan-i thotë diku se ne jemi « subjekt i mendimit, ose subjekt i marramendjes[18] ».

Instituti Psikanalitik i Fëmijës vazhdon të pozicionohet në këtë perspektivë, e cila është njëherësh klinike, epistemike dhe politike.

Përktheu Eva Filaj

 

[1] Introduction à la 8e journée de l’Institut psychanalytique de l’Enfant du Champ freudien, qui aura lieu en mars 2025, prononcée en clôture de la 7e, 18 mars 2023. Texte établi avec Romain Aubé et Ève Miller-Rose.

[2] Lacan J., « La psychanalyse et son enseignement », Écrits, Paris, Seuil, 1966, p. 448.

[3] Klein M., « Sevrage », in Thomas M.-C., Lacan, lecteur de Melanie Klein, Toulouse, Érès, 2012, p. 338.

[4] Lacan J., « “L’ombilic du rêve est un trou”. Jacques Lacan répond à une question de Marcel Ritter », La Cause du désir, n102, juin 2019, p. 35–43.

[5] Lacan J., « Lacan pour Vincennes ! », Ornicar ?, n17/18, printemps 1979, p. 278, nous soulignons. Cf. Miller J.-A., « “Tout le monde est fou”. AMP 2024 », La Cause du désir, n112, novembre 2022, p. 54–57.

[6] Cf. Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasme, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil / Le Champ freudien, 2023, p. 16–20.

[7] Ibid., p. 17.

[8] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasmeop. cit., p. 23.

[9] Ibid., p. 20.

[10] Lacan J., « La Troisième », in Lacan J., La Troisième & Miller J.-A., Théorie de lalangue, Paris, Navarin, 2021, p. 26.

[11] Freud S., « Analyse d’une phobie chez un petit garçon de 5 ans (Le petit Hans) », Cinq psychanalyse, Paris, PUF, 2003, p. 116 & sq.

[12] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasmeop. cit., p. 419.

[13] Cf. Freud S., « Analyse d’une phobie… », op. cit., p. 106.

[14] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasmeop. cit., p. 419.

[15] Ibid., p. 273.

[16] Freud S., Cinq leçons sur la psychanalyse, suivi de Contribution à l’histoire du mouvement psychanalytique, Paris, Payot, 1972, p. 36.

[17] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasmeop. cit., p. 421.

[18] Ibid., p. 397.