Skip to main content

Argumenti i PIPOL 13, Kongresi i EuroFederatës së Psikanalizës

Nga Yves Vanderveken, drejtor i Kongresit

Të thuash gjithçka? Kjo është pyetja që shtron titulli i kongresit të ardhshëm të EuroFederatës së Psikanalizës, PIPOL 13.

Qëllimi i tij do të jetë të studiojë dhe të interpretojë atë që mund të veçojmë nga ideali, madje nga imperativi i mirëfilltë bashkëkohor i transparencës, i cili përcakton epokën tonë: Të thuash gjithçka. Ky imperativ do të vihet në pikëpyetje në këtë kongres, si në klinikë, ashtu edhe në ligjërime, në dritën e përvojës psikanalitike.

Transparencë / Mbikëqyrje

A është transparenca një iluzion i ri? Efektet e saj, gjithsesi, janë krejt reale. Në shumë fusha, është koha e zbulimit, e gjurmimit të asaj që fshihet, të së pathënës, të së padukshmes, të sekretit, të së vërtetës, por edhe e ekspozimit të intimes në të gjitha format e saj: rrëfime publike, zbulime, bërje publike informacionesh, coming out të të gjitha llojeve, sinjalizime të shkeljeve, shpërndarje të shfrenuara në rrjetet sociale etj. Gjithçka thuhet, gjithçka tregohet. Gjithçka dihet ose duhet të dihet. Çdo ndjenjë drojeje lihet mënjanë dhe çdo turp kapërdihet.

Në të njëjtën kohë, mbizotëron angështia nga mbikëqyrja algoritmike e përgjithësuar, si dhe kërkimi i strategjive jetike për të bërë të mundur që diçka nga sfera private dhe intime t’i shpëtojë kërkesës për gjurmueshmëri.

Çfarë të thuash?

Në një kohë kur oferta e një hapësire për fjalën është përgjithësuar, ndonjëherë lind prej saj një shtysë e mirëfilltë për të thënë.

E konsideruar si terapia e parë dhe si një e drejtë e patjetërsueshme, fjala e vendos çështjen e të thënit të gjithçkaje në shumë fusha.

Si të njoftohen dhe si të flitet për ngjarjet e rënda, qofshin ato personale, publike apo të aktualitetit? Çfarë duhet thënë, çfarë duhet treguar, për çfarë duhet folur dhe si duhet thënë?

Në politikë, çfarë duhet t’u thuhet qytetarëve, apo, siç thonë disa të tjerë, « popullit »? A është përhapur rrëfimi, që vjen nga fetarja, përtej kufijve të kësaj fushe, duke ndryshuar kështu edhe natyrën e tij? Çfarë vendi zë akti i pranimit? A e ka ai vendin vetëm në gjykata apo në dëshmitë autobiografike?

E pavetëdijshmja

Shprehja Të thuash gjithçka na sjell gjithashtu ndër mend një sërë paragjykimesh lidhur me rregullin themelor që Freud-i vendosi për kurën psikanalitike: eliminimin e çdo censure, e asaj që do të ishte e fshehur, e mohuar, e refuzuar, me qëllim zhbërjen e ndrydhjes dhe zhdukjen e simptomave që rrjedhin prej saj.

Ky rregull, i njohur në psikanalizë si rregulli i asocimit të lirë dhe që mbart një formë të të thënit të gjithçkaje, përbën themelin e praktikës psikanalitike dhe synon të prodhojë efekte të së vërtetës, të afta për të çliruar nga pesha e kësaj censure. Për çështjen që do të trajtojë PIPOL 13, do të na duhet të nxjerrim mësime nga një opacitet themelor që përcakton të pavetëdijshmen. Nuk bëhet fjalë për opacitetin e një të pathëne, të një jo-të-gjithe që mund të thuhet, por për diçka të pathënshme, për një të pamundur për t’u thënë, që ka të bëjë me vetë strukturën si të tillë.

Do të na duhet, pra, të jemi të saktë për të treguar se të gjitha ideologjitë e ashtuquajtura të vetëdijes së plotë (pleine conscience) përbëjnë po aq forma të refuzimit të logjikës së vetë të pavetëdijshmes.

Statuset e fjalës

Shprehja Të thuash gjithçka, si e tillë, nuk është një koncept psikanalitik. Por Gjithçka dhe Të thuash trajtohen dhe artikulohen gjerësisht në mësimet e Lacan-it. Çfarë mund të nxjerrim prej tyre?

Psikanaliza mbështetet mbi fjalën. Por fjala merr statuse të ndryshme. Kemi fjalën boshe dhe fjalën e plotë, llomotitjen dhe fjalinë që lë gjurmë, të thënën dhe të thënit, thënien (énoncé) dhe thëniezimin (énonciation), detajin e padëgjuar më parë dhe të kotën, intimen dhe të pahijshmen, gënjeshtrën dhe të vërtetën gjysmë-të-thënë. Le t’u shtojmë këtyre taktin dhe fyerjen, si edhe ndjenjën e turpit.

Është interpretimi ai që do të mundësojë dallimin e statuseve të fjalës. Nëse Lacan-i thotë se interpretimi duhet të jetë ekuivok në praktikën analitike, a nuk është pikërisht për t’i lënë vend një të thëni jo-të-gjithë, sepse ai nuk mund të thotë gjithçka?

Rezonanca klinike

Do të na duhet kështu të shqyrtojmë shfaqjet e të thënit të gjithçkaje që gjejnë rezonancë në klinikë.

Le të kujtojmë se Lacan-i e konsideronte themelues për vënien në funksion të një të pavetëdijshme të tipit neurotik momentin kur fëmija zbulon se Tjetri nuk di gjithçka për mendimet e tij — me gjithë fantazitë e parrëfyeshme, ëndërrimet dhe, për rrjedhojë, mendimet e ndrydhura. Pa këtë moment vendimtar, ai do të mbetej i ekspozuar ndaj shpërthimit të një dijeje që pretendon të njohë gjithçka për të, një dijeje pushtuese dhe persekutuese, që do t’ia pengonte hyrjen në çdo përmasë të hapësirës së tij të brendshme, të intimes, e kështu edhe në përvojën e drojës. A nuk gjejnë vend te zërat e halucinacioneve si e pahijshmja, ashtu edhe  pamundësia që diçka të mos thuhet? Në fushën e logjikës së psikozës, a nuk duhet psikanalisti të ruhet nga dëshira për ta nxjerrë lakuriq të vërtetën? — aty ku « në psikozë realja i thotë, i shpall subjektit të vërtetën e tij »[1]. A nuk ndriçohet kjo edhe nga ajo që pohon Jacques-Alain Miller-i, sipas të cilit « babai është […] ai që nuk thotë gjithçka, duke ruajtur kështu mundësinë e dëshirës. Ai nuk pretendon ta mbulojë realen» [2]?

Të thënit dhe dëshira

Po në fushën e dashurisë, të dëshirës dhe të ëndjes seksuale, si qëndron çështja? A i thuhet gjithçka partnerit? A duhet t’u thuhet gjithçka edhe fëmijëve? Çfarë e themelon, në këtë nivel — përfshirë atë seksual — shenjën e dëshirës dhe vetë mundësinë e saj?

Si ta kuptojmë rëndësinë e asaj që Lacan-i thotë për Freud-in — se pika e tij e verbër qëndronte në faktin se kishte dashur që gruaja t’i thoshte gjithçka — në atë që ai e cilëson si « pastrimin e oxhakut » të talking-cure[3]? Cilat janë, gjithashtu, efektet e zbulimeve të pakontrolluara?

Të gjitha këto pyetje, shtjellime, dallime dhe pika hyrjeje do të duhej të hapnin shtigje për punën e qartësimit, drejt së cilës na fton PIPOL 13 me temën e tij.

 

Përktheu Eva Filaj

 

[1] Miller J.-A., « L’orientation lacanienne. Choses se finesse en psychanalyse », mësim i hapur në departamentin e psikanalizës të universitetit Paris 8, mësimi i 3 dhjetorit 2008, i pabotuar.

[2] Miller J.-A., « L’orientation lacanienne. L’Un tout seul », mësim i hapur në departamentin e psikanalizës të universitetit Paris 8, mësimi i 6 prillit 2011, i pabotuar.

[3] Lacan J., Seminari, libri X, L’Angoisse, tekst i hartuar nga J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2004, f. 153.