Nga Eva Filaj
Tiranë, 6 maj 2020
«… dhe pastaj, janë ca ëndrra që e bëjnë më keq gjithë këtë që jam duke kaluar», – më thotë zëri i pacientit në telefon. Në këtë kohë kufizimesh, kjo është mënyra që bashkëbiseduesi im ka gjetur për të punuar mbi atë që e mundon, duke më vënë në anën tjetër të lidhjes telefonike.
Zëri mbërrin, trupi jo. Por fjala vazhdon të kërkojë dikë që ta dëgjojë.
Është ora 18:00. Covid-19 ka ditë që ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rrugët janë të shkreta dhe qyteti ngjan me një skenë filmi horror. Duket sikur jeta e ka braktisur. Qepenat e dyqaneve janë të gjitha të ulura dhe kafenetë të zbrazura, megjithëse në tarracat e tyre tavolinat kanë mbetur në vendet e zakonshme, sikur presin të okupohen, të mbajnë sipër gotat dhe filxhanët e zakonshëm, të ndiejnë duar t’u mbështeten sipër, ujin t’u derdhet aksidentalisht.
Ora po shkon 22:00 dhe nata ka mbuluar qytetin. Asgjë nuk e prish qetësinë e saj, me përjashtim të ca dritave reklamash të mekura që pulsojnë pa tërhequr më vëmendjen e askujt. Në televizione ka ca kohë që ka filluar numërimi. Është ora e zërave dramatikë në çdo kanal televiziv. «Më shani mua», – në ekran, kryeministri, me përulësi, propozon zgjidhjen e tij të vetme për angështinë që ka pushtuar njerëzinë. Sikur kjo të ndreqte gjithçka!
Mesnatë. Tani është ora e pagjumësisë, ora kur trupat, të lodhur nga pasiviteti i ditës, fillojnë rrotullimet, përpjekjet, mundimet dhe stërmundimet për të harruar, të paktën për disa orë, makthin nga i cili nuk po munden të zgjohen. Në këto thërrime harrimi fillojnë, në mënyrë të parashikueshme, të thuren copëza ëndrrash nga më të ndryshmet, nga më të guximshmet, nga më të çmendurat, boll të jenë ëndrra! Nga ato që plotësojnë vetëm një nevojë, nevojën për gjumë.
Ora 5 e mëngjesit. Heshtjen e thyen ndezja e motorit të një automjeti. Pastaj edhe një tjetër ndizet në garazhin poshtë apartamentit tim. Paskam lënë dritaren hapur! E sapozgjuar, nuk po kuptoj më se çfarë po ndodh.
Zgjohem për të vazhduar ëndërrimin, atë të të gjithë qytetit. Nga ëndrra në zhgjëndërr!
Ja një fjalë e thesarit të shqipes që më tërheq veçanërisht. Një fjalë që duket sikur na nxjerr nga ëndrra, pa na siguruar se jemi zgjuar vërtet.
Më kujtohet atëherë një fjali nga Seminari XXV i Jacques Lacan-it, një fjali që u komentua shumë vitin e kaluar, në Torino, gjatë një konference psikanalize: « Nuk ëndërrojmë vetëm kur flejmë. »[1]
Njerëzit fillojnë të dalin në rrugë me motivin më absurd në një orë kaq të hershme mëngjesi: të bëjnë pazarin! Mezi kanë pritur të përdorin autorizimin e vetëm të ditës për të dalë nga shtëpia. Dhe sa më parë, aq më mirë! Në dyqane nuk gjejnë atë radhën e tmerrshme që ndonjëherë i vjen rrotull pallatit ku gjendet dyqani, shitësit janë më të qetë (ndoshta sepse nuk u ka dalë mirë gjumi), ajri është më i pastër… Virusi fle ende, ndoshta?
Dhe dita vazhdon njëlloj, me një këmbëngulje repetitive që nuk i bindet asnjë parimi kënaqësie![2]
[1] Lacan, J. (1977). « Une pratique de bavardage », mësimi i 15 nëntorit 1977, Le Séminaire, livre XXV, Le moment de conclure (1977–1978), botuar në Ornicar ?, nr. 19, 1979, f. 5. Formulimi në frëngjisht: « On passe son temps à rêver, on ne rêve pas seulement quand on dort. L’inconscient, c’est très exactement l’hypothèse qu’on ne rêve pas seulement quand on dort. »
[2] Freud, S. (1920). Jenseits des Lustprinzips (Përtej parimit të kënaqësisë), veçanërisht kapitujt II–III, mbi përsëritjen e përvojave të pakëndshme dhe detyrimin për përsëritje (Wiederholungszwang).






