Skip to main content

E pavetëdijshmja si pulsim

Nga Eva Filaj

Seminari i fundit i Rrethit Lakanian Shqiptar, i mbajtur të shtunën, më 15 prill 2017, në Tiranë, pati të ftuar psikanalisten Myriam Mitelman, e cila trajtoi temën «Nga e pavetëdijshmja si tekst, në të pavetëdijshmen si pulsim».

Ky përkufizim i të pavetëdijshmes si pulsim më nxiti një reflektim që do të doja ta ndaja me të gjithë ju.

Ç’është pulsimi? Nëse i referohemi shqipes, pulsimi është një dridhje, një goditje ritmike, diçka që ndodh në një çast të caktuar. Por një pulsim nuk ekziston i shkëputur nga koha. Ai shënon një moment, një ndërprerje, përpara se të përsëritet. Ka gjithmonë një para dhe një pas. Kështu, pulsimi na çon te ideja e një vazhdimësie që merr ritëm pikërisht prej ndërprerjeve të saj.

Vazhdimësia është një nocion i njohur në psikanalizë. Nëse i referohemi Jacques-Alain Miller-it, në mësimin e tij «1, 2, 3, 4», të 14 nëntorit 1984[1], ajo mund të na çojë te vetë përvoja analitike: te seancat e para dhe ato që i pasojnë, te fjalët e para dhe ato që rrjedhin prej tyre, te asocimet e para, do të shtoja, dhe lidhjet që krijohen mes tyre. Por a nuk është pikërisht pulsimi, me ndërprerjet e tij, ai që na lejon ta mendojmë ndryshe këtë vazhdimësi?

Kjo vazhdimësi nuk është e rastësishme. Ajo i nënshtrohet një logjike për të cilën subjekti nuk ka domosdoshmërisht dijeni. Në përvojën analitike, ngjarjet që subjekti sjell përmes fjalës mund të lidhen me momente, data apo fakte që, në pamje të parë, duken të shkëputura nga njëra-tjetra. Por ndonjëherë mjafton një fjalë, një lapsus, një ndërprerje, që diçka e papritur të shfaqet. Një lidhje që deri atëherë i kishte shpëtuar subjektit, një kuptim që për një çast bëhet i mundur, por që nuk mund të mbahet plotësisht. E pavetëdijshmja shfaqet dhe tërhiqet, hapet dhe mbyllet, duke lënë pas gjurmën e asaj që sapo është shfaqur[2].

Vazhdimësia është e lidhur ngushtë me nocionin e kohës, apo, për të qenë më të saktë, me atë të kohëve. Mund të përfytyrojmë një moment t, që paraprihet nga momente të tjera, t−1, t−2, dhe pasohet nga t+1, t+2. Por a është kjo koha e të pavetëdijshmes? Në përvojën analitike, koha nuk matet vetëm me atë që vjen përpara apo pas. Një çast mund t’i japë një kuptim tjetër asaj që e ka paraprirë. Për mua, momenti t është pikërisht çasti i pulsimit, kur diçka shfaqet dhe ndërpret rrjedhën, pa u lënë domosdoshmërisht të kapet në një kuptim. Ndoshta është pikërisht kjo ndërprerje që na lejon ta mendojmë ndryshe vazhdimësinë, duke i dhënë kohës një dimension subjektiv, madje ekzistencial. Dhe dua të besoj se nuk gaboj.

Pulsimi, me rrahjet dhe ritmikën e tij, më sjell ndër mend humbjen e formës, çmbështjelljen dhe shtendosjen e elementeve të trysnuara brenda një kubi. Një kub që duket sikur kërkon ta mbajë qenien brenda kufijve të tij, duke i mohuar mundësinë për të qenë ndryshe.

Por mjafton një pulsim, një ndërprerje, që ajo që dukej e palëvizshme të lëkundet.

Ja pse të menduarit e të pavetëdijshmes si pulsim m’u duk kaq frymëzues.

[1] Miller, Jacques-Alain (1984–1985). L’orientation lacanienne. 1, 2, 3, 4, mësimi i 14 nëntorit 1984, Departamenti i Psikanalizës, Universiteti Paris VIII. Mësim i pabotuar zyrtarisht (inédit).

[2] Lacan, Jacques (1973). Le Séminaire, livre XI, Les quatre concepts fondamentaux de la psychanalyse (seminari i vitit 1964), tekst i vendosur nga Jacques-Alain Miller, Paris: Éditions du Seuil. Veçanërisht mësimi i 15 prillit 1964, mbi pulsimin kohor dhe hapjen e mbylljen e të pavetëdijshmes.