Skip to main content

GRATË NË PSIKANALIZË

16 dhe 17 nëntor 2019

Pallati i Kongreseve Paris, Porte Maillot

Argumenti

Të pakrahasueshme

Analiste, të analizuara, protagoniste të historive të analizave … Në psikanalizë, ka gra! Sepse gratë kanë një afrimitet të veçantë me shkencën e dashurisë, me seksualitetit, dëshirën dhe ëndjen. Femërorja është çfarë synohet në një analizë, për këdo që kërkon ta thotë mirë ëndjen që i rëndon.

Frojdi përpara se të merrte në konsideratë të vërtetën e grave histerike, vuri re se « refuzimi i femërores »(1) ishte pika e ndalimit në një analizë, e thënë ndryshe « shkëmbi i origjinës » i kastrimit. Ky shkëmb është bastioni i fundit që i reziston efekteve të trajtimit. Duke u afruar gjithnjë e më shumë pranë murit që e kyç njeriun në logjikën fallike, Frojdi dëshiroi të kuptonte anën tjetër, të kontinentit të errët (2). Vetëm se prapa këtij muri nuk rroket asnjë përmbajtje e qenësishme e Gruas. Është pikërisht kjo çfarë ka dashur të thotë Lacan-i në formulën e tij : Gruaja nuk ekziston.

Formulë që shkaktoi skandal e debat, por që nxjerr në pah vendin e zbrazët nga pikëpamja e kuptimit dhe e përmbajtjes, i cili i reziston përkufizimeve universale « ato janë të gjitha … si kjo ose si ajo ». Gratë nuk janë « të gjitha ». Më saktësisht, secila është jo-e-gjitha, secila është një version unik dhe i pakrahasueshëm që përpiqet të vendoset në vendin e zbrazët të Gruas. Ato mblidhen (+) në një seri të hapur të elementeve njëjës që priren drejt pafundësisë. Nëse pyetja Çfarë dëshiron një grua? ka mbetur e paprekur për Frojdin, kjo ndodh sepse nuk ekziston asnjë përgjigje rreth dëshirës së një gruaje që të mund të jetë e vërtetë për gjithë-secilën.

E parrëfyeshme, e përjetuar

Duke e zhvendosur çështjen nga dëshira drejt ëndjes, Lacan-i na fton ta trajtojmë femëroren përtej kufirit fallik. Ëndja femërore përjetohet me raste, thotë ai, por është e pamundur të rrëfehet(3). Nëse e sforcojmë thënien e saj, nëse dëshirohet « të thuhet » gruaja, do ta baltosësh(4). Megjithatë, ai u kishte drejtuar grave psikanaliste një pyetje eksplicite – të thonin diçka nga kjo e parrëfyeshme që përjetohet, sepse Lacan-i këmbëngulte në një motivimin të mirë, pa të cilin psikanaliza nuk ka arsye të ekzistojë.

Nëse nga njëra anë ëndja femërore nuk mund të rrëfehet, nga ana tjetër është krejtësisht e mundur të dëshmohet se si kjo përvojë e përjetuar e shënjon trupin.  Kjo ëndje suplementare është pikërisht çfarë, te një grua, nuk ka lidhje me kërcënimin e kastrimit(5), gjë që e përshenjon gruan me një cilësi të pafundësisë. Gruaja mund të kërkojë strehim në anën fallike për t’i vënë kufinj pafundësisë së kësaj ëndjeje dhe të stoliset me xhinglat e të zotit. Gjithsesi ajo mund të takojë një partner të dashur, i cili mishëron një relé dhe e shndërron në « Tjetër për vetveten, ashtu siç është ajo për të »(6).

Atëherë do të shfaqet një dashuri e pafundme për të, që nuk i drejtohet konkretisht një objekti dashurie, por një tjetërsie absolute në lidhje me këtë objekt. Nga ky “ Tjetër ” përtej partnerit, një grua do të presë atë që nuk e ka, një fjalë ose një shenjë, duke i dhënë kësaj dashurie një nuancë erotomaniake. Sepse erotizmi femëror nuk shkon kurrë pa dashurinë. Shumë peripeci të dashurisë femërore mund të lexohen duke u nisur nga adresimi ndaj këtij Tjetri që Lacan-i e quan i dashuri i tredhur(7). Për një grua, një burrë mund të jetë shkaktari i një shkatërrimi, i një hidhërimi, i një ëndjeje pa pengesa: i një sakrifice dhe dhurate absolute, i një identifikimi me objektin kurrgjë, i një përhumbjeje në humnerën e pritjes së përjetshme, i një zemëratë dhe hakmarrjeje të pakufijshme, deri sa të arrihet shpimi i një vrime te burri-i-gjithë.

Gil Caroz
Përktheu Ina Islamaj

 

_____________________________

1) Freud, S. « Analiza e përfunduar dhe analiza e papërfunduar », Rezultate, ide, probleme, vol. II, Paris, PUF, 1985, f. 266 (versioni frëngjisht) 2) Freud, S. « Çështja e analizës profane », Paris, Gallimard, 1998, f. 75 (fr.) 3) Lacan J., Le séminaire, livre XX, Encore, Paris, Seuil, 1975, p. 69. 4) Në frëngjisht Lacan-i përdor një lojë fjalësh nga ku e fut “gruan” tek fjala: diffâme. Ibid. p. 79. 5) Lacan J., « Propos directifs pour un Congrès sur la sexualité féminine », Écrits, Paris, Seuil, 1966, p. 733 6) Ibid., p.732. 7) Ibid., p. 733.