Skip to main content

Rrethi Lakanian Shqiptar & Biblioteka Kombëtare Takim mbi librin e Jacques Lacan ‘Mësimet e mia’

Forum nga psikanaliza tek arti dhe anasjelltas 21 Nëntor Ora 17 Salla franceze e leximit

 

Të kalosh fijen në vrimën e gjilpërës, ky është imazhi më i përafërt me atë çfarë i ndodh zakonisht një lexuesi me natyrën e tekstit të Lacan-it, psikanalistit më të rëndësishëm pas Frojdit. Cilësimet si i vështirë, hermetik deri dhe mistik janë variacione të të njëjtit refren, të lidhura me çështjen e gjuhës, e cila e brejti atë gjatë gjithë jetës. Për këto arsye tek libri Mësimet e mia ai i përmbys klishetë apo idetë e përgjithshme të gjuhës si mjet komunikimi dhe sjell një thyerje nga brenda subjektit sepse “[…] çfarë është duke thënë tjetri asnjëherë nuk përkon me çfarë thotë..”. Ky citim nuk është një lojë fjalësh apo një shkarje por një qëndrim radikal i Lacan-it, i cili që në pikënisje “nuk ngatërron subjektin me mesazhin” (fq.110), ose mëton në 1967 në konferencën në Lyon rreth të mirës së përbashkët se psikanalistëve “përvoja u ka mësuar se t’u duash njerëzve të mirën shpesh shkakton efekt të kundërt” (fq.20).

Pasojat e gjurmimit që ai i bëri çështjes gjuhësore lexohen qartësisht dhe në tekstet e tij por ‘Mësimet e mia’ pësoi njëfarë lëmimi nga Ardian Vehbiu, i cili në këtë rast nuk ndërmorri thjesht një gdhendje të fjalës shqipe por pësoi një “gdhendje” në rrugë e sipër nga gjimnastika lakaniane, ajo e shënjuesit. Lacan-i sqaron se subjekti pëson një operacion dyzimi, mes rrafshit të pavetëdijshëm dhe atij të vetëdijshëm. Njëfarë pengese që vjen me gjuhën. Kështu Lacan-i (fq.107-109) pohon :

kur ju flisni, gjithnjë duhet të dini se kur duhet të ndaloni […] Gjumi i arsyes – kjo është e gjitha. Po çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që arsyeja na nxit të vazhdojmë që të vazhdojmë të flemë […]Çfarë do të donim ne që të hiqnim qafe, të përjashtonim, pra mbretëria e gjumit, e sheh veten të aneksuar tek arsyeja […] nëpërmjet zgjedhës së ligjërimit, ose faktit që njeriu banon në gjuhë, siç ka thënë tjetri. Është vallë irracionalizëm të vësh re, ose të ndjekësh linjën e të menduarit të arsyes brenda vetë tekstit të ëndrrës? Në fakt psikanaliza mund të përfundojë e tëra, para se të ndodhë çfarë mund të ndodhë, ose kur të arrijmë pikën e zgjimit.

Si prakticien përsiatjet e Lacan-it i kanë rrënjët në analizat që ai u bëri fenomeneve si ankthi, ndjenja e fajit, simptoma, haluçinacionet etj. të cilat deri në atë kohë qëndronin më së shumti të strukura thellë në të pavetëdijshmen e njeriut dhe sa herë ngrinin krye i referoheshin vetëm psikiatrisë. Në këto rrethana ai ndërmerr një operacion revolucionar duke hapur një gropë në zemër të psikiatrisë klasike falë hapjes nëpërmjet gjuhës që ai i bën psikanalizës. Lacan-i hap dyert analizës së fenomeneve psikike duke i trajtuar si krijesa gjuhësore që edhe pse burojnë nga e pavetëdijshmja marrin trajtën e shkronjës. Bëhet fjalë për operacionin saussurian (njësinë linguistike) të cilën ai e përmbys duke i dhënë përparësi shënjuesit përkundrejt të shënjuarit (s1/s2), pra imazhit akustik të fjalës që i mbivendoset kuptimit të saj.

Ky operacion sillet njëfarësoj si Uliksi dinak, i cili për ti shpëtuar Cikllopit iu desh të fshihej nën dele. Ky është dhe operacioni i metamorfozës që ndodh gjatë ëndrrës ku vetëm në sajë të rrëfimit, pra kalimit nga trajta figurative (imazhet e ëndrrës) në trajtën e të folurit, mund të kapërcehet çensura dhe ëndërruesi mund të zbërthejë gjëegjëzën e së pavetëdijshmes. Kahu i kësaj lëvizjeje shkon nga trajta imagjinare (figurative) tek trajta gjuhësore. Lacani diti të shkëmbejë me bashkëkohësit e tij në disiplina nga më të skajshmet si linguistika, matematika, artet, mjekësia ligjore apo antropologjia duke e ripërtërirë psikanalizën sipas prurjeve të kohës. Si mik i Picassos, Levi-Strausse-t, Sartre-t, Dalisë, Soury-s, etj. ai e hapi psikanalizën ndaj çështjeve të epokës së tij duke futur në rend të ditës absurdin, bizarre-n, nyjen topologjike etj.

Në të njëjtën venë Forumi synon të prekë përsiatjet artistike tek disa krijues, artistë shqiptarë si variacione të shtysave të brendshme të dëshirës së pavetëdijshme prej rrafshit gjuhësor tek ai artistik (pamor, zanor etj) ose anasjelltas. Një shkrimtar, një artiste, një muzikant do të shkëmbejnë rreth objekteve të tyre libidinalë që prekin lëmin e gjuhësisë, vizatimit, muzikës apo poezisë.

Jolka Nathanaili-Penotet