Humbja e realitetit te neuroza dhe te psikoza
Alma Hasalami
Frojdi ka treguar në shkrimin e tij “Neuroza dhe psikoza” se një nga veçoritë që dallon neurozën nga psikoza është fakti se në neurozë Uni, duke u varur nga realiteti, shtyp një pjesë të Es-it , ndërsa në psikozë, i njëjti Un, i vendosur në këtë rast në shërbim të Es-it, shkëput një pjesë të realitetit. Kështu për neurozën faktori vendimtar do të jetë mbizotërimi i ndikimit të realitetit, ndërsa në psikozë do të jetë mbizotërimi i Es-it. Në psikozë, humbja e realitetit është domosdoshmërisht e pranishme, kurse në neurozë mund të duket sikur kjo humbje mund të shmanget.
Por kjo gjë nuk përkon plotësisht me vëzhgimet në praktikën klinike ku vihet re se çdo neurozë turbullon në njëfarë mënyre marrëdhënien e pacientit me realitetin. Pra mundëson deri në një farë mase shkëputjen nga realiteti dhe, në rastet më të rënda, realizon fugën nga jeta reale. Kjo kontraditë duket serioze, por zgjidhet lehtë dhe shpjegimi i saj do të na bëjë të kuptojmë neurozat.
Kontradita ekziston për aq kohë sa ne fokusohemi në situatën e fillimit të neurozës, në të cilën Uni, në shërbim të realitetit, bën shtypjen e pulsionit. Megjithatë, kjo nuk është akoma neurozë. Neuroza konsiston më tepër në proçeset të cilat sigurojnë një kompensim të pjesës së Es-it që është dëmtuar, domethënë në reagimin kundër ndrydhjes dhe në dështimin e ndrydhjes. Humbja e marrëdhënies me realitetin është pasojë e këtij hapi të dytë në formimin e neurozës dhe nuk duhet të çuditemi nëse një ekzaminim i hollësishëm do të tregonte se humbja e realitetit i referohet pikërisht atij fragmenti të realitetit i cili ka kërkuar shtypjen e pulsionit.
Shembull: Nje femër e re dashuronte kunatin e saj. Duke qëndruar pranë shtratit të vdekjes së motrës, ajo u tmerrua nga mendimi “Tani ai është i lirë dhe mund të martohet me mua”. Kjo skenë u harrua në mënyrë të menjëherëshme dhe kështu u vu në lëvizje proçesi i regresionit i cili çoi në dhimbjet e saj histerike. Ky rast na lejon të shohim me përpikmëri se në çfarë mënyrash neuroza tenton të zgjidhë konfliktin. Reagimi psikotik do të kishte qenë një mohim i faktit që motra e saj ka vdekur.
Ne presim që edhe në psikozë të ndodhë diçka analoge me neurozën, por patjetër mes operatorëve të ndryshëm të mendjes, pra presim qe edhe në psikozë të dallohen dy hapa si në neurozë ku: I pari largon Unin, këtë herë nga realiteti, ndërsa hapi i dytë do të përpiqet të rregullojë dëmin e bërë dhe të rivendosë marrëdhënien e subjektit me realitetin në kurriz të Es-it. Edhe në psikozë kemi dy hapa, ku i dyti ka karakterin e riparimit, pra korrigjimin e humbjes së realitetit, por këtë herë jo në kurriz të Es-it, por në një mënyrë më autokratike, përmes krijimit të një realiteti të ri i cili nuk ngre më të njëjtat kundërshtime si realiteti i mëparshëm prej të cilit është hequr dorë. Edhe në neurozë edhe në psikozë hapi i dytë i shërben dëshirës së Es-it për pushtet, i cili nuk lejon të diktohet nga realiteti. Të dyja janë shprehje të rebelimit të Es-it kundrejt botës së jashtme, e mungesës së vullnetit apo e paaftësisë për ta përshtatur veten me realitetin e vështirë. Neuroza dhe psikoza ndryshojnë më tepër në hapin e parë sesa në përpjekjen pasuese për riparimin e saj.
Diferenca fillestare shprehet në rezultatin final: në neurozë një pjesë e realitetit shmanget apo injorohet përmes një lloj fuge, ndërsa në psikozë rimodelohet ex nove. Ose mund të themi: në psikozë, fuga fillestare pasohet nga një fazë aktive e rimodelimit; në neurozë, bindja fillestare pasohet nga një përpjekje e vonuar fuge. Ose e shprehur ndryshe: neuroza nuk e mohon realitetin, vetëm e injoron atë; psikoza e mohon dhe përpiqet ta zëvendësojë. Ne e quajmë sjelljen “normale” ose “të shëndetshme” nëse kombinohen disa tipare të të dy reaksioneve: nuk mohon realitetin ashtu si neuroza, por më pas, përpiqet ta modifikojë ashtu si psikoza. Kjo sjellje normale dhe e përshtatshme çon në realizimin e një pune në botën e jashtme dhe nuk ndalon, si në psikozë, me ndryshimet e brendshme. Nuk është më autoplastike (subjekti përpiqet të ndryshojë mjedisin e brendshëm) por është alloplastike (subjekti përpiqet të ndryshojë mjedisin e jashtëm).
Në psikozë, transformimi i realitetit mbështetet mbi depozitimet psikike të subjektit të ardhura nga marrëdhëniet e mëparshme me realitetin, pra mbi gjurmët e kujtesës, ideve dhe gjykimeve të cilat kanë ardhur nga realiteti dhe në të cilat realiteti është përfaqësuar deri tani në jetën psikike. Por kjo marrëdhënie nuk ka qenë kurrë përfundimtare, vazhdimisht është pasuruar dhe tjetërsuar nga perceptime të reja. Kështu psikoza përballet me detyrën e sigurimit të perceptimeve të tilla që do t’i korrespondojnë një realiteti të ri; dhe haluçinacioni është rruga më radikale për të arritur këtë qëllim. Fakti që në shumë forma dhe raste të psikozës paramnezia, deliret dhe haluçinacionet që ndodhin janë të karakterit tepër shqetësues dhe gjenerojnë angështi, kjo është pa dyshim një shenjë se i tërë proçesi i rimodelimit kryhet duke luftuar forcat që e kundërshtojnë dhunshëm. Në neurozë ne shohim se një reaksion ankthi shfaqet atëherë kur pulsioni i shtypur ngre kokë dhe se rezultati i konfliktit është thjesht një kompromis i cili nuk siguron një kënaqësi të përmbushur. Me sa duket në psikozë pjesa e mohuar e realitetit kthehet në mënyrë të vazhdueshme në jetën psikike, ashtu si pulsioni i shtypur në neurozë, prandaj në të dy rastet pasojat janë të njëjta.
Ekziston një tjetër analogji mes neurozës dhe psikozës, në atë që puna e ndërmarrë në hapin e dytë është pjesërisht e pasuksesshme. Pulsioni i shtypur nuk mund të sigurojë dot një zevëndësues të denjë dhe përfaqësimi i realitetit nuk mund të rimodelohet në forma të kenaqshme. Por ndryshon çështja në psikozë, ku problemi qëndron te stadi i parë, i cili është patologjik në vetvete dhe çon në mënyrë të pashmangshme në sëmundje. Këto diferenca, ndoshta dhe shumë të tjera, të cilat janë pasoja të ndryshimeve që karakterizojnë në nivel topik, pikënisjen e konfliktit patogjen, janë kështu pasojë e fatit që Uni heq dorë, përgjatë kursit të konfliktit, nga lidhja e tij me realitetin, ose heq dorë nga varësia ndaj Es-it.
Edhe në neurozë nuk mungojnë tentativat për të zëvendësuar realitetin e padëshirueshëm me një realitet që përmbush dëshirat. Kjo mund të arrihet përmes botës së fantazisë, një mbretëri e cila ndahet nga realitetit i jashtëm, kur themelohet principi i realitetit dhe që nga ajo kohë asaj i janë kursyer kërkesat e jetës, si një lloj “territori i mbrojtur”, jo i padepërtueshëm nga Uni, por i lidhur në mënyrë fleksibël me të. Nga kjo botë fantazie neuroza merr material për ndërtimin e dëshirave të reja dhe përgjatë regresionit e gjen atë material në një të shkuar reale më të pasur me kënaqësi.
Nuk ekziston asnjë dyshim se bota e fantazisë luan në psikozë të njëjtin rol, pasi edhe për psikozën ajo është arka nga ku merret materiali apo modeli me të cilën ndërtohet realitetit i ri. Bota fantastike e jashtme e psikozës tenton të zërë vendin e realitetit të jashtëm, ndërsa në neurozë fantazia sillet si një lojë fëmijësh, duke u ngjitur në një fragment të realitetit, i ndryshëm nga ai prej të cilit duhet ta mbrojë veten dhe t’i japë atij fragmenti një rëndësi të veçantë dhe një kuptim sekret të cilin (jo gjithmonë në mënyrë të përshtatshme) e quajmë kuptim simbolik. Kështu si për neurozën ashtu dhe për psikozën ekziston jo vetëm rreziku i humbjes së realitetit por edhe problemi i zëvendësimit të tij.
_______________________________________________________ Das Es, është vatra e pulsioneve ose thënë ndryshe e pavetëdijshmja. Das Es në anglisht përkon me temrin the Id.