Skip to main content

« Klinika e Vështrimit »

Prezantimi i temës nga Daniel Roy

Klinika e vështrimit ka një origjinë krejt modeste në fushën tonë. Me ndonjë përjashtim që duhet konsideruar, ajo nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ajo përkon me kohën e fillimit të një analize, me momentin kur, ndërsa shtrihet në divan, pacienti, që në këtë moment bëhet një i analizuar, nuk mund të mbështetet më në vështrimin e analistit dhe ky i fundit gjendet jashtë fushës së vështrimit të të analizuarit.

Një ndërprerje – një dëshirë

Pikërisht nga ky moment vështrimi shfaqet si një objekt i ndarë, i ndarë nga shkëmbimet që dodhin gjatë një  marrëdhënieje në pasqyrë.

Kështu lindi objekti i vështrimit nga dëshira e Frojdit, në momentin kur ai shpiku dispozitivin analitik. Në çdo analizë është dëshira e analistit ajo që implikohet për të krijuar atë vend ku vështrimi mund të izolohet si objekt më vete.

Kështu objekti i vështrimit lind nga një privim, madje më shumë akoma, nga një ndëperje.

Me të drejtë mund të pyesim nëse këtë kusht të dyfishtë – dëshirë e mishëruar në akt dhe modalitet i pakthyeshëm i ndërprerjes –, që izolon shikimin si objekt në fushën tonë, mund ta gjejmë edhe në fusha të tjera: në teoritë estetike të filozofëve dhe historianëve të artit, në praktikën artistike, në praktikën e dashurisë, etj.

Njollë e neveritshme dhe shkëlqim verbues

Për t’u rikthyer në fushën tonë, këtë shfaqje të vështrimit si objekt, ne mund ta verifikojmë gjatë një kure sa herë që i analizuari e sheh veten si një njollë në tablo, shpesh si një njollë jo shumë të qartë, apo anasjelltas kur fillon të shkëlqejë fort, me fjalë të ndezura për të mahnitur, madje edhe për të verbëruar, vështrimin e supozuar të analistit. Kjo lëvizje është shumë e pranishme në kurën me fëmijët, kur, për të plotësuar atë që nuk funksionon në fushën e Tjetrit dhe me të cilën fëmija duhet të përballet, ne iu bëjmë thirrje vizatimeve, lojërave, pantomimave, nga bota e gjërave të dukshme. Po ashtu, në seancat me të ashtuquajturit subjekte të rritur, anekdotat, historitë shumëngjyrëshe, intrigat e rafinuara, që përçohen nga zëri, nuk kanë funksion tjetër përveçse ngjalljes së kureshtjes së Tjetrit dhe ezaurimit të vëmendjes së tij, të dy pasardhës të pulsionit sipas Frojdit, pulsioni skopik për kuriozitetin[i] dhe pulsioni i dijes për  vëmendjen[ii].

Katër këndvështrime klinike

Efekti i rikthimit të vështrimit të objektit në trupin që flet, i hap studimit tonë katër këndvështrime klinike.

Kemi një klinikë të tërë të kthimit të vështrimit në fushën e Tjetrit, që synon të ndeshet me efektin e ndërprerjes dhe që zë fill tek transferenca[iii]. Është kjo klinikë e vështrimit të Tjetrit, për të cilën Lakani thotë se « duhet ta konceptojmë si të brendësuar nga një shenjë […]. Ein einziger Zug[iv] », është klinika e idealit të unit, I(A), ku subjekti mund ta shohë veten si të pëlqyer apo të urryer, të përshtatshëm apo të papërshtatshëm. Kjo klinikë është ajo e neurozës, nëse nuk harrojmë që ajo shoqërohet me një klinikë të vështrimit tek fantazma, ku fiksohet si një objekt ëndjeje që ia zbresim apo ia shtojmë Tjetrit: në këtë vend Lakani vendos dy trajta pervesioni, vojerizmin dhe ekzibicionizmin[v].

Këtë nyjëtim të ëndjes me Tjetrin që e realizon këtu objekti i vështrimit, Lakani e trajton në mënyrë shumë ekspilciste tek « Télévision », ndërsa i referohet Dantes dhe Beatriçes: « Një vështrim, ai i Beatriçes, një pesë me hiç, një përplasje qepallash dhe mbeturina e lezeçme që rezulton nga kjo: ja ku shfaqet Tjetri, të cilin ne duhet ta identifikojmë vetëm në raport me ëndjen e saj, të asaj ëndje të cilën, ai, Dante, nuk mund ta përmbushë, pasi prej saj ai s’mund të ketë gjë tjetër përveç këtij vështrimi, vetëm këtë objekt, për të cilin ai na dëshmon se vetëm Zoti e përmbush[vi] ».

Do të na duhet, po ashtu, të eksplorojmë edhe një klinikë të kthimit të objektit të vështrimit në trup, vështrimin si zëvendësim të imazhit të pasqyruar, i cili e mban të bashkuar ose përkundrazi e depersonalizon, e shënjon, madje e gris këtë imazh. Këtu lind një tjetër pyetje klinike: ku duhet pozicionuar vështrimi dhe funksioni i tij në rastet e dukurive psikosomatike, që Lakani i quan ndryshe « disfunksione epistemo-somatike »?

Ekziton edhe një klinikë e kthimit të objektit të vështrtimit tek realja, ku ai shfaqet si i shkëputur realisht nga trupi: « vështrime bredharake » të delirit të përndjekjes, që e kërkojnë subjektin në çdo cep rruge, në çdo takim – teksti i Frojdit « Raportimi i një rasti paranoje në kundërshtim me teorinë psikanalitike »[vii] është, në këtë pikë, paradigmatik – apo kur gjithë universi shndërrohet në një vështrim, të cilin subjekti nuk mund ta durojë më – kujtojmë këtu përshkrimin e rastit të një pacienteje skizofrenike të Prof. Bobon, të cilin Lakani e evokon në seminarin e tij L’Angoisse[viii]: një pemë, trungu i së cilës është i mbuluar nga një seri vertikale sysh që vështrojnë, « me një shirrit shenjash të vizatuata që formojnë një fjali korrekte, e para pas shumë vitesh, fjalia kyçe e delirit të saj – « Io sono sempre vista – Mua më vështrojnë gjithë kohën »[ix].

Vështrimi si substancë ëndjeje që i shtohet botës

Është mbreslënëse se si këto dy lëvizje të fundit – kthimi i vështrimit në trup dhe kthimi i vështrimit të realja – imponohen sot në mënyrë masive jashtë kurës analitike. Ato janë vektorë në trupin social të aktivizimit të vështrimit si një substancë e pastër ëndjeje, e shkëputur nga trupi i gjallë dhe që, në këmbim, e afekton atë.

Fillimet e kinematografisë dhe të kinetoskopit, në të njëjtin moment si në kontinentin e vjetër europian ashtu dhe në Botën e Re, në Shtetet e Bashkuara, i paraprinë lindjes së pulsionit skopik në shkrimet e Frojdit, i cili bashkë me pulsionin e mizorisë, « fillojnë të ndihen gjatë fëmijërisë si tendenca autonome, të ndryshme nga aktiviteti seksual erogjen[x] ». Perversionet e vojerizmit dhe ekzibicionizmit janë të kësaj epoke: ashtu si kinemaskopia ato, për ëndjen e tyre, i marrin vështrimit këtë « tendencë autonome » përmes një dispozitivi të ndërlikuar, duke iu bërë  thirrje trupave të tjerë për të prodhuar vështrimin.

Po kështu, lindja e vështrimit si objekt (a) në mësimet e Lakanit përkon me të njëjtën epokë të televizionit, dispozitiv që bën që imazhi i projektuar në ekran të zhduket, në favor të një imazhi që del nga ekrani për ti prezantuar telespektatorit gjithçka që e vështron atë, për të mos i treguar atë që nuk e vështron … Lakani, në seminarin XI[xi], e nxjerr vështrimin nga ky kurth që është  shumë më i rrezikshëm se tabloja e piktorit, e cila, nga ana e saj, nuk mund të ekzistojë pa dëshirën e artistit. Në fakt, ky kurth nuk është më ai i ëndjes së perversit, por ai i teprisë së ëndjes që i shërben « padronit të së nesërmes », atij që thotë dhe tregon atë që duhet parë dhe dëgjuar sot.

Sot, objekti i vështrimit është në xhepin tonë, në formën e celularit, të smartfonit – në xhep ose në çantë, pasi ekziston një farë ndryshimi në raport me gjininë, të paktën sipas boomers-ave. Për gjeneratat e reja është më e thjeshtë: ai është në dorë, i pandarë nga trupi që me të drejtë mund të thotë: io sono sempre visto!

Sot, psikanalistët dhe prakticienët përballen një tjetër klinikë të vështrimit, një klinikë të vështrimit real, pa ekran, i pandarë nga trupi imagjinar; lidhje kjo që e bën Tjetrin një shënjues të dobët, konfuz, të çrregullt, ose krejtësisht të huaj dhe persekutues kur ajo që nuk ndahet, duket se nuk mund të ndahet. Kjo është klinika e adoleshentëve të shekullit tonë, logjikën e së cilës ne duhet ta mësojmë bashkë me ta, duke u mbështetur në ato grimca rëre që përbëjnë trajtat bashkuese që shënjojnë secilin prej tyre, por edhe që i dallojnë ata nga njëri-tjetri. Është detyra jonë ti dallojmë ato në gjuhën e tyre për të bërë atë që na takon të bëjmë.

Përktheu Ina Islamaj dhe Eva Filaj

[i] Freud S., Trois essais sur la théorie sexuelle, Paris, Gallimard, 1987, p. 121.

[ii] bid., p. 123 et p. 137.

[iii] Miller J.-A., « D’un regard, l’étrangeté », La Cause du désir n°102, Navarin éditeur, Paris, 2019, p. 45- 55.

[iv] Lacan J., Le Séminaire, livre VII, Le transfert, Paris, Seuil, p. 418.

[v] Lacan J., Le Séminaire, livre VI, D’un Autre à l’autre, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2006, chap. XVI.

[vi] Lacan J., « Télévision », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 526-527.

[vii] Freud S., « Communication d’un cas de paranoïa en contradiction avec la théorie psychanalytique », Névrose, psychose et perversion, Paris, PUF, 1981.

[viii] Lacan J., Le Séminaire, livre X, L’angoisse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2004, p. 90.

[ix] Bobon J. « Leçon inaugurale (extraits) », Ornicar ? Revue du Champ freudien, n° 29, avril-juin 1984, Navarin éditeur, p. 162-165.

[x] Freud S., Trois essais sur la théorie sexuelle, op. cit., p. 119.

[xi] Lacan J., Le Séminaire, livre XI, Les quatre concepts fondamentaux de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1973, chap. VI à IX, p. 65-109. (Du regard comme objet petit a).