Klinika dhe Kritika e Patriarkatit
Kthimi i PatriarkatitNëse tema e patriarkatit është konsideruar deri tani e vjetëruar, sot ajo po rikthehet me forcë dhe madje konsiderohet si përgjegjësja kryesore për shqetësimin që përjetohet në ditët e sotme. Studimet e universiteteve amerikane na i konfirmojnë këtë dhe mediat i bëjnë jehonë, por këtë temë e hasim edhe në ligjërimin e psikanalistëve. Ne do ti qasemi kësaj çështjeje nisur nga ky këndvështrim, klinik, për ta zgjeruar atë më pas me implikimet e saj në aktualitetin e shoqërisë së sotme. |
I konsideruar si një sistem social, kulturor dhe ekonomik, i ndërtuar për të mundësuar dominimin dhe shfrytëzimin e grave nga burrat; pakicave racore, minoriteteve klasore apo gjinore nga shumica e bardhë, kolonialiste, borgjeze dhe heteronormative; patriarkati bashkon kundër tij betejat feministe, të ashtuquajturat ideologji woke apo aktivizmin e komunitetit LGBTQIA +.
Psikanaliza, që prej shpikjes së saj nga Frojdi, ka vënë gjithmonë në diskutim rendin patriarkal. Sot, në mënyrë krejtësisht paradoksale, ajo akuzohet si bashkëpunëtore në mbrojtjen e patriarkatit, pasi vendos figurën atërore në qendër të subjektivitetit njerëzor. Në vitin 1971 – gjatë valës së dytë të lëvizjes feministe – Lakani do të shprehej se Edipi, « me demek […] mbështet supremacinë e babait, gjë mund të konsiderohet një lloj qëndrimi pro patriarkal »[i].
Mangësia e babait
Në fakt, Frojdi, që te « Interpretimi i ëndrrave », tregon se plotfuqia e babait « ka dalë tashmë jashtë loje »[ii]. Nga ana e tij, Lakani, te « Komplekset familjare », e lidh këtë shfronëzim të babait, personaliteti i të cilit është « gjithmonë i mangët, i papranishëm, i poshtëruar, i ndarë apo i rremë »[iii], me lindjen e psikanalizës.
Figurën e babait të plotfuqishëm, xheloz, që kërkon ëndjen dhe i mban të gjitha gratë për vete, e ndeshim vetëm nëpër mite, si ai që Frojdi shpiku me Totem dhe Tabu[iv], një baba të vdekur që, për më tepër, e gjen vdekjen nga vetë djemtë e tij. Tani e tutje, këta të fundit, mund të trashëgojnë vetëm një mëkat dhe nderimin e totemit për ti dhënë atij gjithë fuqinë e babait të vdekur. Frojdi e konsideroi këtë si origjinën e fesë dhe si figurën e një Zoti të përjetshëm, babait Zot[v].
Lakani iu referua këtij gabimi themelor të babait gjatë gjithë seminareve të tij, sepse vetëm falë tij babai mund ti vërë fre ëndjes dhe ta civilizojë atë për të lejuar shprehjen e dëshirës, me fjalë të tjera, për të trashëguar kastrimin. Me dekriptimin e strukturave elementare të farefisnisë, Claude Lévi-Strauss zyrtarizoi atë që Frojdi kishte zbuluar me Edipin si vektor të ligjit themelor dhe universal të ndalimit të inçestit.
Shfronësimin e babait, Lakani, e elaboroi në mënyra të ndryshme gjatë mësimeve të tij. Ai e reduktoi atë nga një mungesë fuqie që lidhej me imazhin, në një shënjues, atë të Emrit të babait. Nëse ky i fundit ishte fillimisht garantuesi i rendit simbolik, ai morri më pas statusin e fiksionit, të semblant-it që mbyll vrimën e simbolikes, për t’u shumuar më pas dhe shdërruar në një funksion të thjeshtë logjik, atë të përjashtimit.
Sëmundjet e babait
Çfarë mund të kërkojmë nga babai në epokën e ligjërimit të shkencës dhe të kapitalizmit, ndërkohë që ai gjendet i mbuluar nga objektet e konsumit që shterrojnë mungesën dhe zvarrisin kastrimin? Si mundet ai të na çudisë ende[vi]? Duke na trashëguar, do të thoshte Lakani, nëpërmjet një « thjesht të pathëne »[vii] mënyrën se si ai ia del me ëndjen në lidhjen e tij me partnerin. Ky version i babait, që i përgjigjet mungesës së raportit të shkruar midis sekseve, është gjithmonë simptomatik.
Kështu Edipi nuk garanton asnjë normalitet, përkundërazi ai prodhon neuroza. Këto neuroza janë sëmundjet e babait – fobi, histeri dhe neurozë obsesionale, me simptoma që përsëriten. Dhe nëse një baba e konsideron veten baba, për atë që vendos rregull mbi çdo gjë, pa dështuar askund; nëse dëshiron të barazohet me Emrin që i shërben një ideali universal dhe të çmishëruar, ai bie në mashtrim duke e përjashtuar « Emrin e Babait nga pozicioni i tij në shënjues »[viii], dhe ky është momenti kur ndodh përjashtimi i tij.
Pa mbërritur te simbolikja
Mungesa e civilizimit që karakterizon babain, kastrimi i tij, që ai e trashëgon si mungesë, është thelbësore. Por nëse ajo hidhet poshtë, refuzohet apo mohohet, atëherë pushteti i babait mund të rikthehet përmes dhunës, pa mbërritur te simbolikja. Sepse ekzistojnë edhe « mëkatet e patriarkatit »[ix]. Le të evokojmë shembullin e maskilizmit, ngacmimit, abuzimit seksual apo edhe atë të feminicidit. Ato kufizohen te babai i lidhur me fiksimin e ëndjes së tij, që kapërcen barrierën e ndrojtjes për të mbërritur te realja e padurueshme[x].
Në nivelin shoqëror, replikat ndaj shfronësimit të babait po bëhen gjithmonë e më të ashpra. Tendencat fetare po radikalizohen. Të drejtat e grave përçmohen në disa prej vendeve islame. Por edhe në shoqëritë tona perëndimore, kemi shembullin e grave të përdhunuara të cilave u mohohet aborti në emër të fesë, apo shembullin e shfuqizimit të kësaj të drejte të fituar prej gati pesëdhjetë vjetësh në vendin e « demokracisë më të madhe në botë ».
Disa udhëheqës populistë me qëndrime patriarkale besojnë në forcën e mbiunit, ndërsa e pozicionojnë veten jashtë ligji, duke rrezikuar demokracitë në themelet e tyre. Disa autokratë, nostalgjikë të perandorive të humbura, nuk ngurrojnë të tërheqin vende në luftë duke shkaktuar vdekje, eksod dhe shkretim.
Segregacion i përgjithësuar
Në 1968, Lakani parashikonte se « gjurma, cikatricja e avullimit të babait […] [prodhon] një segregacion të degëzuar, të përforcuar, që mbivendoset në të gjitha nivelet duke gjeneruar gjithmonë e më shumë barriera »[xi]. Lufta, sigurisht legjitime, ndaj padrejtësive që lidhen me racën, gjininë apo statusin shoqëror, karakterizohet nga një paradoks. Ndërsa synohet të jetë gjithëpërfshirëse, duket qartë se në të ekziston « një pikë kthese »[xii]. Ligjërimet në emër të së mirës marrin një kthesë të fortë dhe aspak tolerante, pa asnjë dialektikë të mundshme. Po krijohet një polici e vërtetë gjuhësore me anë të së cilës të gjithë kontrollojnë gjithë të tjerët dhe secili proteston me të madhe sapo thuhet diçka që konsiderohet e papërputhshme me normat e vendosura në mënyrë arbitrare nga grupe të vetëshpallura.
Avullimi i babait, kthimi i tij në pluhur, sipas një shprehjeje të J.-A. Miller, përtej shumimit të tij, prodhon aq shumë shënjues identitarë sa mundësojnë krijimin e komuniteteve të tëra që përpiqen t’u imponohen gjithë të tjerëve. Lufta kundër patriarkatit, që supozohet ti bashkojë njerëzit, provokon përkundrazi segregacion.
Çfarë mund të bëjë Psikanaliza?
Ndërkohë që ligjërimet ideologjike përplasen me njëra tjetrën, J.-A. Miller thekson se është e rëndësishme të mos harrohen vuajtjet që provokon dekadenca e rendit simbolik për secilin subjekt, një për një[xiii]. Dhe siç shprehet ai, nëse është e vështirë të ndeshesh me një dëshirë – si ajo e rendit trans-identitar p.sh., pasi në këtë nivel askush nuk ka as të drejtë dhe as gabim – psikanaliza mund të veprojë nëpërmjet klinikës. Çfarë do të thotë emri i patriarkatit, për secalin? Çfarë është ajo që bën vrimë, traumatizëm për një subjekt të caktuar? Si shkruan ai një program ëndjeje që është unik dhe extime në të njëjtën kohë? Si një subjekt sajon një simptomë, çfarë nyjëton ai që të mund ti përgjigjet reales?
Për të qenë në lartësinë e adresimit që i bëhet, psikanalisti, praktikuesi, pavarësisht nëse punon në kabinetin e tij apo në institucion, duhet të jetë një objekt « veçanërisht fleksibël, i disponueshëm dhe shumëfunksional […], apriori të mos dojë asgjë për të mirën e tjetrit, të jetë pa paragjykime në lidhje me përdorimin që mund t’i bëhet […]. Për këtë, ai duhet të ketë kultivuar përulësinë e tij deri në atë pikë sa të zërë, te çdo subjekt, vendin nga ku mund të veprojë »[xiv] Kjo do të jetë sfida e kongresit PIPOL 11, mbi Klinikën dhe Kritikën e Patriarkatit.
Guy Poblome
Drejtor, Kongresi PIPOL 11
EuroFederata e psikanalizës
[i] Lacan J., Le Séminaire, livre XVIII, D’un discours qui ne serait pas du semblant, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2006, p. 173.
[ii] Freud S., L’interprétation du rêve, traduction par Jean-Pierre Lefebvre, Paris, Seuil, 2010, p. 298.
[iii] Lacan J., « Les complexes familiaux », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 61.
[iv] Freud S., Totem et tabou, traduction par Dominique Tassel, Paris, Points, 2010.
[v] Cf. ibid., p. 269-270.
[vi] Lacan J., Le Séminaire, livre XIX, …ou pire, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2011, p. 208.
[vii] Lacan J., Le Séminaire, livre XXII, « R.S.I. », leçon du 21 janvier 1975, Ornicar ?, n°3, mai 1975, p. 108.
[viii] Lacan J., « D’une question préliminaire à tout traitement possible de la psychose », Écrits, Paris, Seuil, 1966, p. 579.
[ix] Miller J.-A., « Conversation d’actualité avec l’école espagnole du Champ freudien, 2 mai 2021 (I) », La Cause du désir, n°108, juillet 2021, p. 54.
[x] Cf. Miller J.A., « Nous n’en pouvons plus du père ! », La Règle du jeu, disponible sur internet.
[xi] Lacan J., « Note sur le père », La Cause du désir, n°89, mars 2015, p. 8.
[xii] Miller J.-A., « Conversation d’actualité… », op. cit., p. 54.
[xiii] Cf. ibid.
[xiv] Miller J.-A., « Les contre-indications au traitement psychanalytique », Mental, n°5, juillet 1998, p. 14.