Skip to main content

Argumenti I PIPOL 10
Të duash një fëmijë?
Dëshira për të krijuar familje dhe klinika e trashëgimisë.

Nga Dominique Holvoet

Që në vitin 1938 Jacques Lacan e konsideron familjen njerëzore si një institucion (1). Përpjekjet e sforcuara për ta katandisur atë thjesht në një akt biologjik, dëshmojnë për një çështje të humbur që synon mbrojtjen e rendit natyror të reales, veçanërisht në çështjet e riprodhimit dhe seksualitetit. Iluzioni i të ashtuquajturës familje natyrore u shkërmoq që kur shkenca ndërhyri tek natyra dhe realja u përvodh, duke shkaktuar një rrëmujë të madhe në strukturat tradicionale të përvojës njerëzore. Pikërisht atëherë kur mungesa e përgjigjeve për këto çështje po ndihej gjithmonë e më tepër, Jacques-Alain Miller, bën thirrje, në 2012, për një ripërtëritje të praktikës sonë analitike (2).

Ndërhyrjet e teknologjisë mbi qëniet e gjalla sollën «çarje gjithmonë dhe më të shpeshta dhe  befasuese në çështjet e riprodhimit, gjinisë dhe trashëgimisë» (3) duke na vënë «përballë një copëzimi të substancës biogjentike të prindërimit» (4). Dëshira për të patur një fëmijë, lidhet sot shpesh me kërkeësën për të siguruar, falë shkencës, një produkt të gatshëm të tregut, falë prurjeve të reja shkencore. Diagnoza pre-implantacionale e mjekësisë riprodhuese, i hap rrugën një çekuilibri demografik të paprecedent, sa i përket çështjeve të zgjedhjes së seksit të fëmijës, apo edhe përpjekjeve më të këqija të eugjenizmit. Biznesi i mjekësisë riprodhuese ka nevojë të rregullohet. Larmia e sistemeve farefisnore, të mirënjohura në antropologji, zëvendësohet nga larmia e «ligjeve që përcaktojnë se cilat fakte të natyrës mund të specifikojnë marrëdhëniet farefisnore» (5). Si psikanalistë, ne nuk mund ta hedhim poshtë këtë reale jashtë-natyre sepse «duke refuzuar ta presim këtë fakt në regjistrin simbolik do të bënte që të na rikthehej në regjistrin real, por në një mënyrë shumë më kërcënuese» (6).

Për Frojdin, dëshira e gruas për të patur një fëmijë lexohet tek gruaja si një kompensim fallik i asaj çfarë ajo nuk ka mundur të marrë prej babait të saj. Ekuivalenca simbolike fëmijë-fallus e vendos në këtë mënyrë pasardhësin në vendin e objektit të humbur të dëshirës. Ky është rasti më i shpeshtë në ndërhyrjet tona, shkruante Dr. Lacan-i në shënimet e tij (7), atëherë kur fëmija nuk arrin të përmbushë këtë lloj mungese nga ku spikat dëshira e prindit. Por devijimi që po pëson mjekësia riprodhuese falë teknologjisë nxjerr në dritë gjithmonë diçka më tepër nga çfarë natyra fshihte me ndroje, dmth «evidencën e rreme të lidhjeve natyrale dhe universalitetin e dëshirës për të patur fëmijë» (8). Psikanaliza lakaniane vë në dukje faktin se dëshira maskon një nevojë të veçantë të njeriut për ëndje, në këtë rast dëshirën për të patur fëmijë. Edhe pse ligjërimet e vjetruara vazhdojnë të pretendojnë që nuk duhen prekur çështjet e riprodhimit, seksualitetit apo familjes në emër të një babai-zot, këto tentativa për t’i vënë fre ëndjes, nuk do t’i rezistonin rikonfigurimit të dëshirës që vepron në këto format e reja të lidhjeve të padëgjuara. Sidoqoftë, «nëse psikanaliza nuk mund të jetë instrumenti i një konservatizmi shoqëror […], ajo nuk mund të pajtohet me gjithfarëlloj devijacionesh të dëshirës» (9). Psikanalisti mbështet nevojën e një dëshire të mishëruar që shfaqet në gjestet e veçanta të kujdesit prindëror – një term ky, që i përshtatet më tepër epokës në të cilën jetojmë, sesa mëmësisë – i artikuluar me një pozicion njerëzor që i vë fre ëndjes (10). Ky pozicion mishërohet sot më shumë te koncepti i familjes sesa në atë të babait-zot. Kemi të bëjmë me një familje reziduale, trajtë e tkurrur e të gjitha formave të familjes që kanë ekzistuar gjatë shekujve, që «i jep vlerë pjesës së pareduktueshme në një trashëgimi […] duke nënkuptuar marrëdhënien me një dëshirë që s’është anonime (11). Prej afro një shekulli Lacan-i sillte në vëmendje se kjo familje nukleare nuk varej nga format farefisnore, por nga ato të lidhjeve (12). Ne do të na duhet të eksplorojmë forma të reja lidhjesh për të zbuluar të pamundurën, që në çdo rast përbën themelin simptomatik. Ne do të na duhet, po ashtu, të eksplorojmë mënyrën se si janë ripërkufizuar sot emrat e babait dhe të nënës në botën e kontratave që nuk njohin kufi (13). «Përballë këtyre ndryshimeve tepër të shpejta në përdorimin e emrave, shpesh i referohemi psikanalizës dhe ligjërimit të saj mbi babain dhe nënën» (14), vë në dukje Éric Laurent. Lidhjet e familjes gjenden kështu të mpleksura në një relativizëm marramendës, pasi përkufizohen si një sistem juridik i shkëputur nga çdo traditë historike. Ky trend në rritje, që rreket të kalojë nëpërmjet ligjit, pasi dështoi të realizohet në regjistrin simbolik, na çon drejt një morie normash të shkëputura nga një operator që mishëron dëshirë. Ajo që do të na interesojë në një plan të parë është përdorimi i emrave të lidhjeve në familje, specifike për secilin sa i përket formimit tonë si qënie të seksualizuara. Neologjizmi i prindërimit dëshmon për këtë mutacion, « shënjuesi unik që vjen të zëvendësonjë termat baba dhe nënë, i përket epokës së njëshave që qëndrojnë më vete dhe të shpërndarë» (15).

Të paturit e një fëmije i ofron prindit « vetë objektin e ekzistencës së tij, që shfaqet në regjistrin real » (16) i cili bën thirrje për mbajtjen e një bisede të përhershme që do të siguronte shumimin e numrit të operatorëve që mund të mishërojnë një dëshirë që frenon ëndjen. 

Pikëpyetja e titullit tonë ngre çështjen e vullnetit që vihet në lojë kur bëhet fjalë për çështjet e riprodhimit. Theksi që vendosim mbi dëshirën për të patur familje tregon që kurrë nuk mund të bëjmë një fëmijë krejtësisht vetëm dhe se ardhja e tij në jetë e vendos fëmijën domosdoshmërisht në praktikën e gjuhës prej nga ai vjen. Pikërisht nisur nga ky moment i zhytjes në gjuhë, qenia folëse do të shtrojë, në mënyrë prapavepruese, çështjen e vendit prej nga erdhi dhe vendin që do të zërë në lidhjet ndërbreznore. 

Pavarësisht nëse vjen nga një donacion ovulash, nga krijimi apo ruajtja e gameteve, zigotave apo embrioneve, nëse vjen përpara një ndryshimi të seksit, nga një nënë surrogate, nga një donacion mitre, nga një përzgjedhje cilësore e embrioneve apo nga një marrëdhënie e thjeshtë seksuale, qenia që do të përftohet do të mbajë gjithmonë vulën e shenjës që e pa atë të lindtte si një trup që flet, si (një) enigmë e ardhjes së tij në këtë botë, si (një) mister i bashkimit të fjalës dhe trupit (17), si një « mungesë e reales që asnjë inxhinieri bioteknologjike nuk mund ta përmbushë » (18). Pikërisht këtë mister do të përpiqet të ndriçojë PIPOL 10, nëpërmjet fjalës së analizuar, e cila është e vetmja që bën të mundur përditësimin e komplekseve familjare në shekullin e XXI!

1 Lacan J., « Les Complexes familiaux », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 24.

2 Miller J.-A., « Le réel au XXIe siècle, présentation du thème du IXe Congrès de l’AMP », La Cause du désir, 82, 2012, p. 90.

3 Ansermet F, Prédire l’enfant, Paris, PUF, 2019, p. 10.

4 Palomera V., « Comment le droit reconfigure les paternités », Mental, 18, 2006, p. 125.

5 Palomera V., Op. cit., p. 126.

6 Miller J.-A., Audition de M. Jacques-Alain Miller au Sénat concernant l’ouverture du mariage aux couples de personnes du même sexe, présidée par Jean-Pierre Sueur, 12 mars 2013. Disponible sur senat.fr

7 Lacan J., « Note sur l’enfant », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p.373.

8 Laurent D., « Le désir d’enfant à l’heure de la science : incidences cliniques », Letterina, Bulletin de l’ACF Normandie, 63, 06/2014, p. 28.

9 Laurent D., Op. cit.

10 Lacan J., « Allocution sur les psychoses de l’enfant », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 364.

11 Lacan J, « Note sur l’enfant », op.cit.

12 Laurent E., « Le Nom-du-Père entre réalisme et nominalisme », La Cause freudienne, 60, Paris, Navarin éditeur, 2005, p. 138.

13 Miller J.-A.& Milner J-C, Voulez-vous être évalué ?, Paris, Grasset, 2004.

14 Laurent E., Op. cit., p. 132.

15 Brousse M.-H., « Un néologisme d’actualité : la parentalité », La Cause freudienne, 60, Paris, Navarin éditeur, 2005, p. 123.

16 Lacan J., « Note sur l’enfant », op.cit.

17 Miller J.-A., « L’inconscient et le corps parlant », La Cause du désir, 88, 10/2014, p. 109.

18 Miller J.-A., « L’avenir de Mycoplasma laboratorium », La Lettre Mensuelle, 04/2008, n°267, p. 11-15.