Udhëtim në botën e … fjalëve
Eva Filaj
I vura këtë titull shkrimit tim duke u nisur nga një bisedë mbi fjalën, me kolegë të një grupi leximi psikanalize, ku Rr.Sh. ndau me ne idenë e tij mbi të pavetëdijshmen, e ngjashme me zbritjen rrokopujë të Lizës në botën e çudirave. Këtë titull, edhe sepse fjala ka një funksion vital për qëniet që ne jemi, të lidhura pas fjalëve, të mbështjella prej tyre, të banuara prej tyre. Sepse fjala ka një lidhje kapitale me psikanalizën. Kështu ka qënë gjithmonë, që në fillimet e saj, mjafton të kujtojmë rregullin themelor të një kure psikanalitike.
Psikanaliza është thellësisht e interesuar për fjalën, për raportin e saj me subjektin dhe veçanërisht me të pavetëdijshmen.
Jacques Lacan e konsideron të pavetëdijshmen si një gjuhë ku shenjuesi mbizotëron të shenjuarin. Fjala në vetvete nuk shpreh në asnjë mënyrë subjektin, ajo është thjesht një njësi zanore apo e shkruar që është atje, në çdo gjuhë të mundshme, për të përfaqësuar të shenjuarin. Gjuha e të pavetëdijshmes, që Lacan e quan “lalangue”, është ajo që tërheq fijet që subjekti, gjatë historisë së tij, ka endur rreth fjalës. Ajo ka të bëjë me “kuptimin” vetjak që çdo individ i mvesh fjalës universale.
Mu duk pra, tërësisht i përligjur, ky interesim i imi mbi fjalën, në një grup leximi të psikanalizës. Gjatë bisedës sonë, në këtë grup leximi, pyeta veten dhe të tjerët mbi raportin që secili prej nesh mban me fjalën. Përgjigjet që morra kishin të bënin, së pari me një vështirësi për tu thënë, për tu shpjeguar.. me fjalë, dhe së dyti vihej re se fjala, gjuha, kishte një lidhje të fortë me ndjenja, ndjesi, me afektet.
“I komplikuar raporti me fjalët, ka të bëjë me shqetësimin nëse fjala e thënë, mbërrin tek tjetri, e tillë, siç është thënë. Ndonjëherë gjuha bëhet persekutuese, krijon frikë, ankth, që lidhet pikërisht me formën me të cilën paraqitet për tjetrin, ajo që ne themi.”
Fjalët e cituara nga S.B. më bëjnë të mendoj rreth të vërtetës. Përpjekja për të tejçuar të vërtetën mendoj që na shqetëson të gjithëve, edhe pse më duket se po universalizoj me këtë që sapo thashë, gjithsesi, e vërteta thotë Lacan ekziston falë gjuhës, kësaj gjuhe të cilën e vëmë në diskutim kur bëhet fjalë ti ngarkojmë që të përcjellë tek tjetri atë që duam të themi. Mund ta supozoj të zbërthyeshëm, paradoksin në të cilin sapo mbërrita, nëse nuk harrojmë se kjo gjuhë përfaqëson të pavetëdijshmen dhe se kjo e fundit nuk mund të ekzistojë jashtë gjuhës.
“Kam shumë respekt për gjuhën, por ka gjëra që më shqetësojnë në lidhje me të, gjuha tymosëse, gjuha e gatshme dhe në fund përdorimi, shpërdorimi, abuzimi, me të”- thotë A.N.
Po pra, gjuha është e tillë, ajo prodhon ligjërime të ndryshme, që gjenden goxha larg fjalës së vetme, të thënë, pak a shumë në mënyrë të rastësishme. Këto ligjërime prodhojnë marrëdhënie sociale të ndryshme. Nëpërmjet formulave matematikore, Lacan shpreh kombinimin e katër elementëve: agjenti (ai që vepron/flet), tjetri (ai të cilit agjenti i drejtohet), e vërteta (dëshira e pavetëdijshme që fshihet nën të thënat e agjentit) dhe produkti (efekti i ligjërimit), për të shprehur katër ligjërime të ndryshme; ligjërimin e padronit, ligjërimin e histerikut, ligjërimin universitar dhe ligjërimin e analistit. Këto, sipas Lacan, janë ligjërime që kanë ekzistuar gjithmonë, janë ato që organizojnë çdo marrëdhënie të mundshme mes qënieve folëse (parlêtres) dhe tek të cilat brendashkruhet çdo subjekt, përveç atij psikotik, që megjithëse flet nuk arrin të brendashkruhet në ligjërim.
Rr.Sh. na kujtoi një parullë, nga ato të epokës së diktaturës, e shkruar në fasadën e një pallati në lagjen e tij e cila i kishte mbetur në mendje nga fëmijëria : “Me vetëmohim, kundër mirëqënies personale!”. Më duket interesante të ndalem një çast tek parullat, çfarë mund të bëjë gjuha e përdorur në parulla, çfarë transmetohet nëpërmjet tyre. E pra, ajo që synohet me parullat nuk është aspak transmetimi i një kuptimi, përkundrazi, ato tentojnë të fshijnë çdo lloj reflektimi tek subjekti, qëllimi i tyre është vënia në veprim, vënia në rresht, duke eleminuar edhe mundësinë më të vogël të një replike.
Sidomos asnjë replikë!
Duhet thënë që shqiptarët e dinë mirë këtë, edhe ata që nuk e dinin, diçka po fillojnë të kuptojnë së fundmi.
“Ajo që vërej më së shumti, janë njerëz që flasin, flasin, deri në një logorhea. Askush nuk dëgjon!”- këtë shton Rr.Sh. dhe A.N. plotëson: “Jo vetëm që jemi të zhytur në gjuhë, por po mbytemi në të”.
Mirë pra, le të flasim pak për këtë logorhea, për këto bla-bla dhe ndryshimin që ato kanë në raport me fjalën. Bla-bla-ja apo fjala boshe shërben shpesh si mjet, me qëllime të ndryshme, siç mund të cilësojmë përpjekjen e dikujt për të bërë përshtypje të mirë për shembull, apo përpjekjen për të shtyrë një bisedë çfarëdo me dikë.
Që fjala të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë gjithmonë e thënë nga vendi që na përket si subjekt, të mbështetet nga dëshira, duke hequr dorë nga përpjekja për të zënë të gjitha vendet e tjera apo vendin e të tjerëve. Ndërsa bla-bla-ja sjell ëndje, fjala sjell mungesë, mungesën themelore të qënies sonë që lidhet me pamundësinë, me kufijtë e gjuhës për të shprehur gjithçka. Kur vura këtë titull në krye të këtij shkrimi, imagjinova premtime ose premtova imagjinime, të aventurave, të zbritjeve në vende të tjera, në botë të tjera…, po pra, kjo është një mundësi e gjuhës, mundësi e pafundme e gjuhës, që bën të mundur afrimin me gjëra që nuk janë, por që në të njëjtën kohë na largon gjithmonë e më tepër nga ato që kemi pranë duke eleminuar mundësinë e një raporti imediat me këto gjëra, me Gjë-në. Ja pse nuk ka kënaqësi në gjuhë, sepse ka mungesë, ka hendek, hendek që gjithsecili mundohet ta mbushë me mënyrën e tij, me truke, me shpikje, me krijime, unike, që i përkasin veç atij.
Jacques Lacan, Mësimet e mia, Onufri 2012, f. 40-43.