Nga misteri tek sekreti i seksuales
Nga Ricardo Seldes
Prezantimi i Kongresit të ardhshëm të Shoqatës Botërore të Psikanalizës (SHBP), titulli i të cilit është një aforizëm, na vendos përballë një sfide, për shkak të rezultateve të shkëlqyera të dy kongreseve të mëparshme. Kjo frazë e shkurtër nuk është saktësisht një Haiku, por më tepër një përmbledhje e dijes, e krijuar dhe e artikuluar në vazhdimësi nga Lacan-i. Scilicet, që do të publikohet së shpejti do të sjellë njëzet shembuj të tillë.*
Kjo mund të na japë mundësinë për të hetuar origjinën e këtij aforizmi, si në rrjedhën e mësimeve të Lacan-it, ashtu edhe në strukturat frojdiane. Kjo do të na lejojë të shqyrtojmë mënyrën se si Lacan-i ka afirmuar, më pas mohuar dhe përhapur zhvillimet e Freud-it, si dhe elaborimet e tij vetjake, për të mbërritur në një thënie të saktë, por gjithmonë në lëvizje dhe diskutim të vazhdueshëm.
Një mister i përgjithshëm
Nuk ka raport seksual është shprehja e formulueshme e një misteri që prek jetën e të gjithë subjekteve folëse, duke filluar nga konceptimi, ekzistenca dhe pse jo, vdekja e tyre. Kongresi i ardhshëm i SHBP-së, në 2026, na fton të sigurojmë elementë që na ndihmojnë për të kujtuar këtë aforizëm, jo për ta përsëritur si një mantrë, por për ta shqyrtuar, për të identifikuar koordinatat e tij dhe për ta transformuar në një work in progress, në mënyrë që përdorimi i tij sot, në praktikën tonë klinike, të mund të provohet ose të hidhet poshtë. Ne e dimë se kur i referohemi të tashmes, ai na përball gjithmonë me një paradoks, ndoshta të të njëjtit stil me atë të Zenon-it. Ndërsa përpiqemi ta kuptojmë përmes ndarjeve logjike, për të arritur në momente konkluzionesh, ne e gjejmë veten të ndikuar dhe të tërhequr nga peripecitë e ligjërimit të Mjeshtrit, pavarësisht epokës për të cilën flitet. Kur themi « të tërhequr », kjo mund të tingëllojë në terma kinematografikë, veçanërisht sot, kur serialet në platforma streaming të zhanrit katastrofë kanë arritur majat. Ato i angazhojnë subjektet në tema besimi apo mosbesimi në lidhje me ndryshimet klimatike me të cilat përballet planeti ynë, habitati ynë.
Ligjërimi analitik sot
Për Lacan-in, bota njëkohësisht e bukur dhe e ndyrë, pjesë e së cilës jemi, buron nga e pavetëdijshmja, të cilën ne e bëjmë të ekzistojë në praktikën analitike. Thënia e Freud-it rrjedh nga logjika që buron nga ajo që thotë e pavetëdijshmja. « Dhe vetëm sepse Freud-i e zbuloi mund të themi se ajo ex-siston. »[1] Lacan-i në tekstin e tij L’étourdit, e paraqiti atë si stabitat-in e qenieve folëse, duke shtruar pyetjen, citoj : « A është mungesa e këtij raporti ajo që i degdis ata në stabitat? »[2] A është në ligjërimin analitik dhe përvojën e tij, ku « rikthimi i kësaj të thëne është i nevojshëm për të themeluar atë ligjërim që përbën ligjërimin e analizës (për çka edhe unë jap kontributin tim), duke u nisur nga përvoja që dëshmon se ajo ekziston »[3], « që ky raport është i ndaluar të banohet ? »[4]: Realja e të pavetëdijshmes do të ishte atëherë trupi që flet.
Në të njëjtin tekst, Lacan-i përmend lakminë që kompenson inekzistencën e raportit seksual, për të treguar se ligjërimi analitik synon të japë llogari për këtë të ashtuquajtur lakmi. Nëpërmjet gjuhës (lalangue), habitati i gjuhës i ofron secilit burimet apo pengesat për të vuajtur ose për t’u ëndur me seksualitetet, për t’i dëshiruar apo për t’i refuzuar, për të ëndërruar me to apo për t’u futur nëpër qorrsokake vdekatare. Seksualiteti dhe vdekja janë dy të pamundura frojdiane, zgjidhja e të cilave kërkon zotërimin e pulsioneve.
Çfarë na premton klinika e çerekut të parë të shekullit XXI-të, e ristrukturuar nga pasojat e ndërthurrjes së ligjërimit shkencor dhe ligjërimit kapitalist? Këto ligjërime kanë ndryshuar traditat, zakonet, rutinat, deri në atë pikë sa kanë prodhuar vrima të thella në simbolike, në shumë pak kohë. Këto vrima mbushen me objekte-organe. Rreth tyre mund të identifikohet një çarje e lidhjeve, e çifteve dhe e familjeve, dhe një rënie e vlerës së fjalës, e cila bëhet më pak e rëndësishme se çdo aplikacion dixhital.
Kohët e fundit ne kemi punuar mbi aforizmin Të gjithë janë të çmendur (Tout le monde est fou), pra delirantë, gjë që i bën thirrje njohurive të të gjithë folësve në lidhje me të njëjtën mungesë, kur flitet për seksualitetin. Kështu kemi dy aforizma që, së bashku, përqendrojnë një dije që prodhohet gjatë përvojës psikanalitike, duke dëshmuar një çrregullim në realen e kohës që jetojmë. Një rend i ri është formuar, me përmbajtje hekuri dhe plastike, besimin tek i cili duhet ta vëmë në pikëpyetje.
Kjo n’y a pas (një përzierje e « nuk ka » dhe e një mohimi) e Lacan-it nuk i pengon aspak subjektet të afrojnë trupat e tyre me trupat e të tjerëve për të bërë dashuri, duke u mbështetur te fantazma, te mënyra e veçantë e secilit. Bëhet fjalë për partnerë, për njerëz që vendosen nga njëra anë apo nga ana tjetër e formulave të seksuacionit, të cilat mbeten të vlefshme, përfshirë edhe për ata që e shpallin veten jashtë seksi, kundër-seksi, anti-seksi, dhe delirojnë, në mënyra të ndryshme, duke u emëruar jashtë normave. Seksualiteti shkakton probleme dhe propozon zgjidhje.
Të gjithë « të gjymtuar nga seksualiteti »
Ne po përpiqemi të argumentojmë mbi aforizmin dhe po i qasemi atij në mënyra të ndryshme dhe mund të mbështetemi mbi copëza thëniesh, të aludojmë mbi raste apo të sjellim referenca nga periudha të ndryshme të civilizimit, kur ai ka qenë në lojë në mënyrë më të dukshme. Le t’u kthehemi tani pyetjeve që tentojnë të sjellin përgjigje të pjesëshme mbi atë që e quajmë e pamundura apo realja e seksit.
Në një nga punimet e tij të para, Freud-i interesohet për etiologjinë e psikonevrozave dhe, në mënyrë të qëllimshme, e vendos origjinën e simptomave të tyre mbi shkaqe seksuale. Ai e përkufizonte nevrasteninë në atë kohë si diçka aktuale, pa ia referuar natyrës infantile, siç bënte me neurozën. Pa përjashtuar rastet mikse, ai i dallonte neurozat aktuale duke vënë në dukje teprinë e kënaqësisë autoerotike, ndërsa etiologjinë e neurozave të tjera e lidhte me përsëritjen e mbajtjes ose me kënaqësinë e paplotë të ëndjes seksuale. Le të rikujtojmë se sipas tezës kryesore të tij, angështia, në përgjithësi, ishte një libido e devijuar nga përdorimi i saj[5]. Në kërkimet e tij mbi një teraputikë të mundshme, ai pohonte se mbështetej në një arkiv të gjerë rastesh, dhe i shkruante Wilhelm Fliess për këtë tepri në rastet e nevrastenive. Ai kishte mbërritur në konkluzionin se nuk bëhej fjalë për « viktima të civilizimit apo faktorëve të trashëgimisë, por – sit venia verbo – [për] të gjymtuar nga seksualiteti »[6]. Freud-i përdor shprehjen Sexualitätskrüppeln, ku krüppeln nënkupton të paaftë, handikapë. Fjala rrjedh, pa shumë, nga një gjermanishte veriore mesjetare, kröpel, « i përkulur », nga rrënja proto-gjermane e rindërtuar krupilaz, që nënkupton « prirjen për t’u hequr zvarrë ». Fjala mund të përdoret gjithashtu për të përshkruar persona që kanë një zakon të padëshiruar, nga i cili nuk mund të heqin dorë, gjë që nënkupton një ëndje të tepruar, që nuk rresht dhe që kufizon marrëdhënien me Tjetrin. Është interesant fakti se ky artikull, i vitit 1898, i solli një lloj parehatie dhe vetë autorit, pasi siç ai e kishte parashikuar, shkaktoi një skandal të madh, duke qenë se fliste hapur për masturbimin dhe për pakënaqësinë që i shkaktojnë vetes këta burra, gra apo çifte. Simptomat e ndryshme të këtyre disfunksioneve i transformonin ata në Sexualitätskrüppeln. Një punë që Freud-i e cilësonte, gjithmonë sipas letrave që i shkruante Fliess-it, Gartenlaube(tendë kopështi), titulli i një reviste për shtëpinë, e famshme për tregimet sentimentale, por krejtësisht e huaj për stilin e publikimeve të tij, i cili trajtonte hapur dhe pa turp një temë që ai vetë mendonte se mund të shkaktonte skandal, dhe jo vetëm për shkencën e asaj kohe.
Sexualitätskrüppeln, të gjymtuar nga seksualiteti, dhe Gartenlaube, tendë kopështi, janë shenjuesit që do t’u paraprinin punimeve të mëvonshme të Freud-it: « Mbi mekanizmin psikik të harresës », ku ai trajton rastin Signorelli, dhe « Mbi kujtimet-ekran ». Seksualitet dhe vdekje. Herr-i është « në kufirin e asaj që mund të thuhet »[7] kur bëhet fjalë për vetëvrasjen e një pacienti për shkak të paaftësisë së tij seksuale. Herr-i është absolut, vdekje « që nuk mund […] ta vështrojmë në sy »[8].
Dija dhe besimet
A mund të fitohet një dije mbi raportin seksual në përvojën analitike? Me Lacan-in, ne kemi mësuar se ekziston një supozim: mund të formohet një dije mbi të vërtetën[9]. Kur e vërteta merr formë juridike, t’i kërkosh dikujt që të të tregojë gjithë të vërtetën mbi atë që di, duket se bëhet fjalë për diçka të pamundur, përveç faktit që mund të kapim diçka nga thëniezimi që është në lojë. Kjo dëshmon vullnetin për të gjykuar atë që ka të bëjë me ëndjen, sepse pikërisht ajo nuk është e rrëfyeshme. Aforizmi Nuk ka raport seksual na përball me evidencën se ëndja mund vetëm të pyetet, të përmendet, të përndiqet apo të përpunohet nga semblant-ët, gjë që përfshin qenien, besimin e të qenit, por edhe dashurinë me çështjet e saj pa fund. Çështja jonë zhvendoset : për të mbërritur tek e vërteta, ka vetëm rrugë të përdredhura.
Kur thua Nuk ka raport seksual, a është kjo thjesht një e vërtetë? Dhe fakti që nuk mund të shkruhet, përbën aksiomën nga e cila nisemi apo pikën e mbërritjes, për çdo të analizuar që vendos të angazhohet në ligjërimin analitik? Ne pranojmë se dija ka një vlerë dhe një çmim, sepse për secilin kjo nënkupton që rrezikon lekurën e tij, dhe është më pak e vështirë ta fitojë këtë dije sesa të gëzojë ushtrimin e saj. Praktika e përhapur e incestit, që sot përgjithësohet me abuzimin seksual të fëmijëve, mund të hedhë pak dritë mbi pasojat tek subjektet e prekura nga kjo praktikë e urryer.
Për Freud-in, e pavetëdijshmja është një dije që nuk dihet, por mund të deshifrohet, të lexohet dhe përdorimi i saj më i madh është të bëjë të flasësh. Ndoshta kjo karakterizon të pavetëdijshmen te gratë, të cilat të bëjnë të flasësh dhe arrijnë ëndjen përmes kësaj. Siç na kujton Silvia Tendlarz, nëse zgjedhim si simptomë një grua që na flet, i besojmë asaj, nga ky moment simptoma flet dhe mund të dëgjohet[10].
Lacan-i thotë se jeta riprodhon, dhe për habinë tonë, ai saktëson se « përgjigjja bëhet pyetje vetëm aty ku nuk ka raport për të mbështetur riprodhimin e jetës »[11]. Është e qartë se fakti i ngritjes së pyetjeve është një mënyrë për të arritur atë që qenia folëse « nuk ka ». Vetë e pavetëdijshmja shfaqet si një mënyrë për të koduar mos-përgjigjen dhe, siç e tregon përralla e Kësulkuqes përgjigjja do të ishte: « Për të të bërë të flasësh », një mënyrë për të kërkuar banketin vdekjeprurës, për të të ngrënë më mirë, për të të vrarë më mirë. Lacan-i kërkon të arrijë te dy gjysma që nuk përhumben shumë në aktin seksual, edhe pse mund të takohen me njëra-tjetrën, gjë që nuk është gjithmonë e mundur, duke pasur parasysh vështirësinë e aksesit të trupit të një gruaje.
Nëse trupi i qenieve folëse është subjekt i ndarjes nga organet e tij, kjo bëhet për t’u gjetur një funksion, vëren Lacan-i[12]. Kjo na afron pak a shumë me psikozën, por gjithashtu, sepse organi mashkullor bëhet shenjues, bëhet fallus, për t’i shërbyer funksionit që i delegon ligjërimi. Nuk ka fallus pa një ligjërim që e mbështet atë. Kjo do t’i japë atij dy karakteristika, atë të apendiksit, falë pamjes së tij si një shtresë e lëvizshme që theksohet edhe më tej me erektilitetin e tij, dhe atë të grepit, që peshkon gjithë lakmitë. Këtu gjejmë tiparin pulsional që tamponon mungesën e raportit seksual. Ky organ, që është bërë shenjues, gërryen vendin nga ku merr efekt për qenien folëse. Lacan-i përfundon duke thënë se të jesh ose të kesh fallusin është funksioni që zëvendëson raportin seksual[13], prej nga ku ai do të zhvillojë me vonë formulat e seksuacionit.
Këtu lind çështja e mbrojtjes ndaj reales dhe e kufirit të asaj që mund të thuhet. Çfarë besimesh, çfarë formash do të kenë në të ardhmen pyetjet rreth konceptimit, kur, falë avancimit të teknikave të riprodhimit, synimi për të realizuar dëshirën për të pasur një fëmijë arrihet me mënyra të ndryshme dhe inovative? Praktika analitike na lejon t’u afrohemi rasteve përmes së cilave mund të verifikojmë ekzistencën e miteve të sotme mbi ardhjen në jetë të një fëmije. Ne e njohim rëndësinë që i jep Lacan-i faktit nëse një fëmijë është dëshiruar apo jo, nga ata që quhen nënë ose baba. Cili është ndikimi tek fëmijët i përdorimit masiv dhe të përhershëm të pajisjeve, që i vendosin direkt në kontakt me dijen universale, fake apo jo? Çfarë efekti ka për adoleshentët, dhe të tjerët, ëndja direkte nga skenat brutale pornografike, lehtësisht të aksesueshme në smartphone-ët e tyre, kaq tmerrësisht afër, shokë të një vetmie në rritje? Sa larg dhe naive duken kërkimet në libra, imazhe dhe fjalorë, për terma të fortë që mund të na afrojnë me sekretet imagjinare të lejlekëve që vijnë nga Parisi. Në gjuhë, diçka nga e vërteta shpëton gjithmonë, edhe me popullarizimin e një përralle si ajo e Hans Christian Andersen.
Çfarë lloj dijeje është besimi, që na bën të kërkojmë marrëdhënien e tij me bindjen, mosbesimin, dyshimin dhe sigurinë? Le t’i referohemi vëllimit të koleksionit Ornicar? me titull « Të besosh », ku Déborah Gutermann-Jacquet na kujton se për Lacan-in besimi zëvendëson mungesën e raportit seksual dhe, për pasojë, fsheh vdekjen, punon për përjetësinë[14]. Në të njëjtin botim, François Leguil tregon se siguria që përcjell shkenca nuk kërkon angazhimin e besimit tonë, prandaj, ajo dallon nga bindja te psikozat[15]. Në Seminarin Psikozat, Lacan-i i referohet një besimi universal te Babagjyshi i Vitit të Ri, që nënkupton se e nesërmja do të jetë më mirë se e sotmja. Kur ai rekomandon interpretimin nga babai te më e keqja (du père au pire), nuk bëhet më fjalë për besimin, por për bastin e një operatori që nuk mbështetet mbi sugjestionim, por mbi objektivin e bindjes, mbi lokalizimin nga vetë subjekti i vendosmërisë reale të ndarjes së tij, sepse është një bindje që lidhet me një të pamundur për t’u thënë, e gdhendur në trupin tonë.
Simptoma si partner
Po konsideroj atëherë se pika vendimtare e klinikës sonë, që mbështetet mbi pasojat e aforizmit Nuk ka raport seksual, është ajo e Jacques-Alain Miller, dhe që nga perspektiva ime personale, është një gjetje e jashtëzakonshme. Është lexim i tij i sintagmës partner-simptomë dhe mundësitë e mëdha të përdorimit të saj. Pasoja e parë e saj është pyetja se çfarë nënkupton sot të jesh lakanian. Dhe J-A Miller jep një përgjigje të thjeshtë, në kompleksitetin e saj: është të përballesh çdo herë me problemin e artikulimit të libidos dhe simbolikes[16]. Lakanianët, thotë ai, merren shumë me këtë, me pyetjen se si kalohet nga shenjuesi tek ëndja. Pikërisht këtu ne mund ta konsiderojmë simptomën si atë që i shërben ëndjes së trupit të gjallë.
Duke u nisur nga kundërshtia e tyre, nuk ka raport midis kuptimit dhe reales, me përjashtim të një infraksioni, atij të simptomës. Dhe që nga koha kur Freud-i zbuloi se bëhet fjalë për një zëvendësim të kënaqësisë pulsionale, mund të pranojmë se simptoma vjen në vend të objektit që lidhet me pulsionin, i cili gjithmonë është autoerotik, edhe nëse pulsioni i kërkon objektet e tij në fushën e Tjetrit. Kësaj kënaqësie duhet t’i ruhemi, thotë Freud-i, sepse ajo rrezikon parimin e homeostazës. Nëse mungesa e raportit seksual është ajo që shkakton nevojën për ligjërim, nëse bëhet fjalë për një tamponim shenjues, çfarë lloj marrëdhënieje duhet të jetë ajo mes analistit dhe të analizuarit, për të na lejuar t’i afrohemi reales që vulos të pamëshirshmen, të pashprehshmen, me atë që gjejmë si simptomatike në këtë marrëdhënie të ndërtuar mbi dashurinë dhe dijen e supozuar? Është një marrëdhënie e ndërtuar përmes fjalëve dhe heshtjeve, që e lë seksualen jashtë, edhe nëse flasim thjesht për komplikimet logjike dhe reale të mungesës së këtij raporti.
Dashuria kurtuaze si artific misterioz
Ajo na drejton te thënia e Lacan-it mbi realen, që e kemi përmendur tashmë, dhe tek ajo që është sedimentuar gjatë shekujve. Këto shenja janë formuar përmes lalangue, gjuhës së veçantë të subjekteve. Do të trajtojmë këtu një referencë të rëndësishme të Lacan-it.
Dashuria kurtuaze është një shpikje letrare, poetike dhe muzikore, tipike e trobadorëve të oborreve oksitane të shekullit XI-të. Ajo solli ndryshime të rëndësishme në shoqërinë e shekujve që pasuan. Kjo letërsi, që në oksitanisht quhet Fin’amor, dashuri e përsosur, iu dedikua fillimisht publikut të Oborrit, për t’u bërë, më pas, pjesë e jetës së të gjithëve. Ajo trajtonte si kurtuazinë fine dhe rafinimin tipik të shoqërisë aristokrate, ashtu dhe të kundërtën e saj, mënyrën e vrazhdë të përdorimit të shenjuesve që lidhen me dashurinë, si diçka e ndaluar dhe e fshehur, e idealizuar, poshtëruese dhe lartësuese, e tepruar dhe poetike, erotike dhe e privuar nga trupi. Kjo dashuri i kërkon burrit të luajë rolin e një dashnori të përlur, ndërsa gruan e ngre në kategorinë e qenies dominuese dhe të mëshirshme.
Pasojat e saj zgjatën për qindra vjet. Ato synuan kryesisht ta çlironin dashurinë nga përmbajtja e saj seksuale, precedent përmes së cilës raporti seksual ndalon së qeni i pamundur për t’u shkruar. A contrario sensu, duke u nisur nga pohimi se ëndja është një pengesë e pakapërcyeshme, që e bën të pamundur shkrimin e raportit seksual, ajo dëshmon se dashuria kurtuaze është një artific për t’u përballur me këtë ëndje. Një artific misterioz.
Lacan-i ka thënë se dashuria kurtuaze është « thjesht » dashuri, e llojit të një lidhjeje shpirtërore, edhe pse jo aq e pastër dhe e kulluar. Ai studioi tekstet e trobadorëve dhe tregoi se dashuria kurtuaze lindi në një epokë kur njerëzit « bënin dashuri fort dhe shpesh, […] pa shumë mistere dhe pa i përtypur shumë fjalët »[17]. Kjo dashuri është po aq heretike sa trobadorët që i thurrën lavde në epokën katare. Gjejmë te ajo një pozicion që respekton dukjen (semblants), pasi manierat e civilizuara janë pikërisht dukje rreth asaj që nuk shkon: nuk ka të tjera maniera të tilla përveç atyre që rrethojnë vrimën, shenjën e reales. Ky pozicion nuk nënkupton sakrificën e thellë si provë dashurie për diçka që as nuk kërkohet. Megjithëse delikate dhe fine, ajo prodhon efekte reale. Ajo ndan kështu me realen diçka nga tekstura e saj, siç e tregon erotomania.
Sekreti i seksuales
Ashtu siç ekzistojnë fjalët e ndaluara, ato që plagosin, vrasin, ofendojnë, apo që shfaqen si parazitë në të folurin e përditshëm, në formën e të thënave të rastësishme që lënë një shenjë ëndjeje, ekzistojnë gjithashtu fjalët intime, ndoshta më të fshehtat, që ledhatojnë, që joshin, që i nevojiten dikujt për të marrë maksimumin e kënaqësisë seksuale, ose që e pengojnë për ta arritur atë.
Po në kohën që jetojmë, ku « gjithçka zbulohet », çfarë mbetet sekret? Çfarë shpikjesh mbështesin praktikën e seksit, në mënyrë që të mund të themi se bëhet fjalë për një sekret që vlen si për ata që e realizojnë, si dhe për ata që nuk e realizojnë? Çfarë do të shtonim sot në praktikën klinike me subjektet neurotike, të cilët, siç kujtonte Dalila Arpin në mbylljen e kongresit të fundit, shmangin takimin me Tjetrin seksual? Ne e njohim vështirësinë e një fobiku për t’u ekspozuar ndaj Tjetrit, po ashtu kënaqësinë histerike për t’u treguar shoqeve aventurat në vend që t’i përjetojë ato, pa përmendur konfuzionin e obsesivit, që shqetësohet nga dyshime pafund… Në thelb, thotë Lacan-i, e vetmja dhomë gjumi ku futemi, por ku nuk ndodh asgjë, ku « akti seksual shfaqet si i përjashtuar »[18], është kabineti i analistit.
Jean-Pierre Deffieux, në të njëjtën tryezë të mbylljes së kongresit, vuri re se sot, fallusi zëvendësohet gjithnjë e më shpesh nga objekte të teprisë së ëndjes që nuk sjellin shkarkim. J.-A. Miller e trajtoi këtë çështje në “E pavetëdijshmja dhe trupi që flet”, me përhapjen e pornografisë, e cila nxjerr gjithmonë e më shumë në pah ëndjen e objektit, sesa kënaqësinë fallike. Shumëllojshmëria e objekteve të teprisë së ëndjes lejon shmangien e shqetësimit real të organit dhe krijon besimin te raporti seksual. Pornografia e ekspozon në mënyrë të zakonshme dhe të tepruar atë që më parë ishte mbuluar nga dinjiteti barok, pavarësisht ekspozimeve të trupave në ëndje[19].
Duke ndjekur gjurmët e trobadorëve, mund të gjejmë disa çelësa në tekstet me thëniet e tyre. Sekreti është një prej tyre. Magjia do të ishte tjetra. Pse sekreti? Sekreti është një dije që nuk ekspozohet, është një dije e mbuluar. Te seksualiteti ka diçka të fshehtë për secilin, dhe mos-raporti seksual është një sekret, si për ata që e praktikojnë, ashtu edhe për të tjerët. Jorge Luis Borges e thotë këtë më mirë se ne te « Sekti i Feniksit »[20], ndërsa Lacan-i i referohet klinikës së tij: « Dhe një nga qëllimet e heshtjes që përbën rregullin e dëgjimit tim është pikërisht të hesht dashurinë. Nuk do të tradhtoja kështu sekretet e tyre të zakonshme dhe të papërsëritshme. »[21]
J.-A. Miller e risolli këtë tekst të shkurtër të Borges[22] për të treguar vrimën që ekziston në atë që e quajmë dije universale. Bëhet fjalë për një përrallë të mençur, me shume referenca nga antikiteti, mbi një sekt që rrotullohet rreth një dijeje konspirative, kryesisht të mbuluar, një sekreti që e ndan njerëzimin në dy klasa, ata që e dinë dhe ata që nuk e dinë. Siç ndodh shpesh, sekreti, për disa, është gjithashtu sekret për vetveten, thotë J.-A. Miller. Teksti flet për koitin dhe arrin të krijojë një enigmë, një dije për t’u deshifruar, diçka që në një farë mase ngjan me një seancë analitike.
Mund të thuhet se në këtë tekst, akti natyror, vepra e mishit, e mbuluar si një sekt, del në pah në formën e dukjes (semblant). « Është vetë gjendja njerëzore që duket e çuditshme, enigmatike, dhe veçanërisht në nivelin e koitit. Si mund të ndodhë që t’i dorëzohemi diçkaje kaq të pabesueshme si ajo që quhet të bësh dashuri? »[23] Feniksi nuk është gjë tjetër veç fallusit, akti seksual është përgjegjës për zhdukjen e tij, dhe fallusi rilind nga hiri i tij.
Në një nga konferencat e tij në Sainte-Anne, në vitin e Seminarit të XIX-të, Lacan-i ngriti pyetje mbi gjendjen aktuale të mendimit, pa u interesuar nëse ka qenë gjithmonë e njëjta. Ai tregoi diçka që i dukej e rëndësishme për të ardhmen e asaj që, në çdo epokë, konsiderohet normale. Në shkurt 2024, duke i paraprirë kongresit të ardhshëm, Philippe Hellebois kujtonte se në 1972 Lacan-i kishte treguar se Gide dëshironte që homoseksualiteti të ishte normal. Dhe Lacan-i kishte shtuar : « Në këtë drejtim ka turmë »[24], duke iu referuar grupeve të presionit që luftonin për të drejtat e tyre.
Por çfarë ndodh pesëdhjetë vite më vonë? Normaliteti ndryshon sipas ritmit të përparimeve në teknologji. Nga njëra anë janë ata që kërkojnë me të drejtë pranimin nga komuniteti i mënyrave të tyre të ëndjes, sikur ëndja të ishte e përgjithësueshme dhe jo individuale. Nga ana tjetër janë ata që jo vetëm u rezistojnë formave të reja të përballjes me mos-ekzistencën e raportit seksual, por që po ashtu i përndjekin dhe përpiqen t’i ndëshkojnë ato, duke hedhur poshtë të pavetëdijshmen dhe « nuk ka ». Realiteti i lidhjes sociale është mos-eksistenca e raportit seksual.
Unë jam ajo që them mund të marrë forma të normalizuara ose të bjerë në ekstreme të pakuptueshme. Kërkesa e pandarë për të drejtat mund të ishte një mundësi për të hetuar pasojat e « nuk ka », gjë që e bën të pamundur rreshtimin e subjekteve nën këtë apo atë emër. Siç e ka theksuar Éric Laurent, përdorimi i përgjithësuar i dukjes (semblants) na detyron ta rishikojmë çështjen nga pikëpamja e pulsionit që është në lojë, për të « hetuar të pamundurën në sistem »[25]. Me fjalë të tjera, duhet të hetojmë euforinë e inovacionit në fushën e semblants, pasi ajo sjell një ringjallje të estalishment-it fondamentalist të traditave, të cilat, sipas mendimit tonë, po bëhen gjithnjë e më mizore dhe ngjitëse.
Për ta përmbyllur
Le të kthehemi tek pika jonë e nisjes për të ngritur pyetjen mbi ndryshimin midis ëndjes fallike, e cila nuk ka lidhje me Tjetrin si të tillë, dhe ëndjes simptomatike, e cila mbështet këtë lidhje. Kjo do të thotë se ëndja pulsionale nuk krijon raport, dhe se: « nëse Tjetri ekziston, në nivelin e ëndjes, ai ripërtërihet vetëm në nivelin e simptomës dhe madje, ai ripërtërihet vetëm si simptomë »[26]. Natyrisht, është e rëndësishme të theksohet se Tjetri, për të cilin flasim këtu, nuk është ai i mësimeve të para të Lacan-it, që nënkuptonte përjashtimin e ëndjes.
Kjo perspektivë na lejon të shqyrtojmë zhvillimin e « ekuivokeve mbi Tjetrin » për të arritur te pyetja: Pse shkojmë të flasim me një analist? Çfarë ëndjeje përftojmë nga ky çift-simptomë? Cilat janë karakteristikat e tij fillestare dhe çfarë na mëson ndriçimi dhe transmetimi i analizave të verifikuara përmes passe mbi modalitetet unike në fund të tyre?
Ne mund të tregojmë një punë mbi modalitetet e formimit të çifteve, sipas propozimit të J.-A. Miller-it, duke i menduar ato në dashuri dhe dëshirë, në imagjinare, në simbolike, në reale, duke u përpjekur të gjejmë koordinatat e çiftit të ëndjes.
Për ta përmbledhur, aksesi te Tjetri është i mundur përmes ëndjes, e cila takon objektin a dhe zbulon kështu ëndjen e trupit tënd. Ky akses mund të realizohet edhe përmes dashurisë, që e lë trupin mënjanë dhe kapet pas fjalëve. «[T]ë dy këto aksese janë të vërtetë për të dy gjinitë – por e para është kryesisht për mashkullin, aksesi mashkullor te Tjetri, aksesi përmes kënaqësisë, ndërsa, nga ana e femrës, aksesi te Tjetri bëhet më shumë përmes dashurisë»[27]. Dhe kjo e fundit mbetet në nivelin e një ëndjeje të përhapur, pa kufij.
Përgatitja e një Kongresi të psikanalizës na hap dyert, ashtu si hyrja në analizë. Ne hyjmë atje duke vënë në dukje shenjuesit tanë, burimet e dijes që kemi grumbulluar përgjatë gjithë këtyre viteve të orientimit lakanian, për të shqyrtuar Freud-in, Lacan-in, dhe gjetjet e kolegëve tanë në praktikën e tyre. Nuk duhet të kemi frikë nga risitë që shndritin papritmas në komunikimet tona. Kjo kërkon përballimin e paragjykimeve, në mënyrë që pas më shumë se një viti kërkimesh dhe diskutimesh klinike, këto shkëndija të prodhojnë një avancim në teori, teori që vihet në diskutim dhe kritikë të vazhdueshme.
Le t’i urojmë këtij grupi pune të sapolindur dhe të përkohshëm punë të vendosur dhe të gëzuar. Ju urojmë po ashtu të gjithëve ju, të gjeni mënyrën për të rrëfyer zhvillimet tuaja, pengesat dhe gjetjet, për të nxitur më shumë dëshirë për këtë epidemi të mrekullueshme që e quajmë praktikë analitike.
Përktheu Eva Filaj
[1] Lacan J., « L’étourdit », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 454.
[2] Ibid., p. 455.
[3] Ibid., p. 454.
[4] Ibid., p. 455.
[5] Freud S., « La sexualité dans l’étiologie des névroses », Résultats, idées, problèmes t. I, Paris, PUF, 1991, p. 81.
[6] Ibid., p. 86.
[7] Lacan., J., Le Séminaire, livre V, Les Formations de l’inconscient, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1998, p. 38.
[8] Ibid.
[9] Lacan J., Le Séminaire, livre XX, Encore, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1975, p. 84.
[10] Cf. Tendlarz Silvia, El inconsciente enamorado, Buenos Aires, Ediciones Grama, 2024, p. 132.
[11] Lacan J., « L’étourdit », op. cit., p. 456.
[12] Ibid.
[13] Ibid., p. 458.
[14] Gutermann-Jacquet D., « Luminaire », Ornicar ?, n° 57, octobre 2023, p. 8.
[15] Leguil F., « Anatomie d’un paradoxe », Ornicar ?, n° 57, op. cit., p. 119.
[16] Cf. Miller J.-A., « Qu’est-ce qu’être lacanien », Quarto, n° 74, septembre 2001.
[17] Lacan J., Le Séminaire, livre VII, L’Éthique de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1986, p. 163.
[18] Lacan J., Le Séminaire, livre XIV, La Logique du fantasme, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil & Le Champ freudien, 2023, p. 423.
[19] Miller J.-A., « L’inconscient et le corps parlant », La Cause du désir, n° 88, octobre 2014, p. 105-106.
[20] Cf. Borges J. L., « La secte du Phénix », Fictions, Paris, Gallimard, 2018, p. 181-185.
[21] Lacan J., « Discours aux catholiques », Le Triomphe de la religion, Paris, Seuil, 2005, p. 17.
[22] Miller J.-A., « Le coït énigmatisé. Une lecture de “La secte du Phénix” de Borges », Quarto n° 70, avril 2000, p. 8-14.
[23] Ibid., p. 11.
[24] Lacan J., Le Séminaire, livre XIX, … ou pire, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2011, p. 71.
[25] Intervention d’Éric Laurent in Miller J.-A., « L’orientation lacanienne. Pièces détachées », enseignement prononcé dans le cadre du département de psychanalyse de l’université Paris 8, cours du 25 mai 2005, inédit.
[26] Miller J.-A., « L’orientation lacanienne. Le partenaire symptôme », enseignement prononcé dans le cadre du département de psychanalyse de l’université Paris 8, cours du 18 mars 1998, inédit.
[27] Ibid.






