Skip to main content

Alexandre Stevens

Përsëritja është një nga katër konceptet themelore të psikanalizës, sipas trajtimit që iu bën atyre Lakani në Seminarin e tij të XI-të ku, me përsëritjen, ai na paraqet një formë të re të reales. Duke bërë këtë, ai shquan përsëritjen nga transferenca, të cilën, post-frojdianët, e kishin reduktuar thjesht në përsëritjen e figurave të të shkuarës.

Për sa i përket fiksimit, ai është një term frojdian pak a shumë diskret në mënyrën sesi Frojdi e përdor atë, duke mos i dhënë ndonjë vend të rëndësishëm në metapsikologjinë e tij. Ishte Jacques-Alain Miller, një lexues i vëmendshëm i Frojdit, i cili i dha këtij termi një tjetër pertinencë, duke u bazuar në mësimet e fundit të Lakanit: “ëndja (…) është një ngjarje e trupit, (…) ajo i përket rendit të traumës (…) ajo është objekti i një fiksimi.” 1 Nuk ishte hera e parë që Jacques-Alain Miller mbështetej tek Frojdi, për të na dhënë një qasje tjetër të leximit të atij që njihet si Lakani i fundit. Ai kishte propozuar tashmë, një lexim ndryshe të tekstit të Frojdit “Frenim, Simptomë dhe Angështi”. 2

Fixierung

Duke iu referuar indeksit të Gesammelte Werke, gjeta që fiksimi është një term i cili shfaqet në tekstet e Frojdit, gati për herë të parë, në 1905, tek “Tre ese mbi teorinë seksuale”. Në zhvillimin e jetës seksuale, Frojdi identifikon të parët faktorë çrregullues të saj – çrregullim që ndodh në nivele të ndryshme për çdo individ. Tek Frojdi, këta faktorë të parë, themeltarë, nuk ishin ende shumë të qartë, por ata përmbanin atë që ai e quan “aderencë” ndaj përshtypjeve të jetës seksuale. Këtë “aderencë” ai e përkufizonte si “aftësi fiksimi”. 3 Ngjarje të mëvonshme në jetën e subjektit, gjatë të cilave ndodh “aktivizimi aksidental i seksualitetit infantil”, bëjnë që ky material të fiksohet në formën e një çrregullimi të qëndrueshëm.” 4

Ky është fiksimi, struktura elementare e të cilit është tashmë e pranishme: kemi faktorët e parë që rizgjohen nga trauma rastësore , e cila prodhon fiksimin në një simptomë, karakteri i qëndrueshëm i së cilës na lejon të kuptojmë se kemi të bëjmë me një përsëritje. “Çdo hap në këtë rrugë të gjatë të zhvillimit [të jetës seksuale] mund të shndërrohet në një pikë fiksimi.” 5 Ajo që do të bëhej e qartë, më vonë, ka të bëjë me dimensionin pulsional të ketyre faktorëve të parë.

Në 1909, në tekstin “Mbi psikanalizën”, që është pjesë e konferencave të tij amerikane, Frojdi do të tregohej më i saktë. Ai i përshkruante simptomat histerike si “mbetje dhe simbole riaktivizuese” të eksperiencave traumatike që dëshmojnë për një fiksim mbi traumat 6 . Ky fiksim nuk përfshin vetëm shënjuesit dhe simbolet e traumës, por edhe ngarkesën e saj të axhitimit, pra atë që ai e quante “mbetje” pulsionale.

Kjo do të bëhet akoma më e qartë në Konferencën e 18-të të “Hyrje në psikanalizë”, ku bëhet fjalë pikërisht për fiksimin 7 . Ky tekst i 1917 vinte fill pas luftës dhe këtu lidhja bëhej me neurozat traumatike. Në rastet e këtyre neurozave, fiksimi i libidos ndodh gjithmonë në një moment traumatik, i cili,ndonjëherë, i përket një të kaluare të hershme. Pasi është frenuar, pulsioni ndalon dhe fiksohet në një nga momentet e zhvillimit.

Së fundmi, në “Analizë me përfundim dhe analizë pa përfundim”, në 1937, duke folur për zhvillimin e libidos, Frojdi shprehej: “edhe në zhvillimin normal, transformimi nuk ndodh asnjëherë plotësisht, duke bërë që mbetjet e fiksimeve libidinale të hershme të rezistojnë deri në konfigurimin përfundimtar.” 8 Tek Frojdi, fiksimi është gjithmonë i lidhur me një trajtë libidinale të veçantë, e cila ka qenë traumatike dhe si e tillë ka shkaktuar shpërthimin e reales. Gjithsesi, lidhur me qëllimin e eksperiencës analitike ai ndalet tek kastrimi, pa shkuar më tej dhe pa i kushtuar vëmendje kësaj pike fiksimi. Ishte Lakani ai që shkoi më tej me analizën, deri atje sa e zhveshi krejtësisht këtë pikë gjatë procesit të Kalimit. Ajo çfarë dëshmojnë Analistët e Shkollës ka të bëjë me faktin se Njëshi i ëndjes është, në të vërtetë, fiksimi që Frojdi kishte zbuluar, por pa e trajtuar atë vërtet. Mund ta gjejmë këtë term aty-këtu në veprën e tij, por duhet mbajtur parasysh se ai nuk i dha kurrë atij, ndonjë rëndësi të veçantë.

Ishte Jacques-Alain Miller ai që do ta lidhte këtë fiksim me Njëshin e ëndjes tek Lakani i fundit, atëherë kur ëndja nuk përfshihet më në dialektikën e dëshirës, por shndërrohet në një goditje të pastër rastësore. Ju mund të gjeni trajtimin që ai i bën kësaj çështjeje në mësimin e tij të katërt dhe të nëntë tek “Qënia dhe Njëshi”. 9 “Ajo që Frojdi zbuloi është ajo që ne e formulojmë si bashkimin e Njëshit me ëndjen, një bashkim që e pengon libidon të transformohet, të zhvendoset. Kjo pikë fiksimi duhet kuptuar si rikthim në të njëjtin vend të këtij Njëshi të ëndjes, arsye për të cilën ne e cilësojmë atë si pjesë të reales.” 10

Përsëritja

Përsëritja, përkundërazi, zë një vend të rëndësishëm në veprën e Frojdit. Ai i kushton asaj një nga tekstet e tij, “Rikujtim, Përsëritje, Procesim”. 11 Në këtë tekst përsëritja lidhet me tranferencën dhe bën rezistencë ndaj kurës, madje mund të rëndojë simptomat. Ngacmimet pulsionale mbeten të fshehura. Kjo është përmbysja që bëri Lakani tek “Katër konceptet themelore të psikanalizës”, kur ai e ndau përsëritjen nga tranferenca për ta çiftuar atë me pulsionin.

Dhe tek “Përtej parimit të kënaqësisë” Frojdi pranonte që është kompulsioni i përsëritjes ai që na vë në gjurmët e pulsionit të vdekjes, bazuar në përsëritjen e elementit traumatik 12 .

Gjithsesi, si për Frojdin, ashtu edhe për Lakanin para Seminarit të XI-të, përsëritja mbetet kryesisht një element simbolik. Shembulli më i mirë i kësaj, tek mësimët e Lakanit, gjendet tek Seminari “Letra e vjedhur”, ku sintaksa vë në dukje përsëritjen shënjuese me trajtën e saj automatike. “Ky automatizëm paraqet, në kuptimin e ngushtë, vlerën e kujtesës frojdiane, (…) Mund të thuhet se në fillesat e mësimeve të tij, Lakani, e trajton të pavetëdijshmen vetëm si një frazë të përsëritur që iu bintet ligjeve të determinizmit simbolik.” 13 Dhe ne mund të shtojmë se ky rrjet me alfa, beta, gama, vë në pah përsëritjen si elaborim të dijes, S2. 14

“Ka diçka të ndershme tek përsëritja, që është e njohur mirë.” 15 Nuk ka ndonjë surprizë. Ndërsa, në Seminarin XI-të, Lakani sjell një lloj tjetër përsëritjeje. Nëpërmjet çiftit aristotelian të tuché et automaton, ai na sjell një tip të ri përsëritjeje. Automaton është përsëritja shënjuese që i bindet rendit simbolik, ndërsa tuché është shpërthimi i një realeje, një takim rastësor që nuk i bindet rendit simbolik. Është takimi i munguar ai, i cili nuk nënshkruhet në përsëritjen shënjuese. Është ai, i cili i jep vendin e tij objektit a të vogël, duke na dhënë një tjetër kuptim për realen: shpërthimi i copëzave të reales, si copëza ëndjeje. Tuché është një “takim me realen” 16 që “përvidhet”, që qëndron “përtej autonamaton”, është shpërthimi i një takimi të parë “mbrapa fantazisë”. Është, pra, përsëritja e një traumatizmi. Është kjo reale që përbën parimin e kësaj përsëritjeje që ndodh si rastësisht 17 . “Pikërisht këtu, në këtë ‘si rastësisht’, kemi sinjalin e parë të asaj që, në mësimet e tij të fundit, Lakani do ta paraqiste si “realja pa ligj’. Është “realja si e paasimilueshme” 18 .

Sinthome

Më tej, Lakani do ta lidhte gjithmonë e më tepër përsëritjen me pulsionin, derisa në Seminarin e tij të XVII- të, Ana tjetër e psikanalizës, ai “do të shprehej se përsëritja nuk mund të mendohet, nuk ka vlerë, përveçse nëse e konsiderojmë duke u bazuar tek ëndja” 19 . Dhe Miller vazhdon duke saktësuar se: “Ajo që Lakani quan dije në Seminarin XVII-të, është zbërthimi i fabulës frojdiane të përsëritjes. Ajo që ai quan dije është përsëritja, për aq sa ajo shihet në marrëdhënie me ëndjen.” 20 Përsëritja është kështu e lidhur me mbi- ëndjen (plus-de-jouir), e cila i shpëton veprimit të shënjuesit.

Por në mësimet e fundit të Lakanit, përsëritja do të gjejë një tjetër formulë, madje edhe më radikale, pasi ajo shndërrohet në sinthome. Kemi Njëshin e shënjuesit, krejt të vetëm, jashtë simbolike, që godet trupin dhe lë atje një shenjë të ëndjes. Sinthome do të jetë pra, përsëritja, përjetësimi i kësaj shenje të ëndjes.
Dhe pikërisht në këtë pikë ne ritakojmë fiksimin frojdian. Mund të themi që sinthome është përsëritja e një fiksimi, madje përsëritje + fiksim.

Është kjo sinthome, e shkruar me th, e cila është forma e fundit e përsëritjes dhe të cilën ne mund ta lexojmë tashmë. Nuk bëhet më fjalë të zbulojmë ndonjë domethënie, por të lexojmë letrën e ngjarjes së ëndjes, e cila përsëritet në ngjarjen e trupit.

Për këtë përjetësim, si përsëritje e një lloji të ri, që nuk është gati të interpretohet, por që artikulohet me ëndjen, Jacques-Alain Miller na jep një shembull paradigmatik. E citoj në tekstin e tij Të lexosh një simptomë: “ Është ajo që zbulojmë tek varësitë, në “një gotë më shumë” (…) Varësia është rrënja e simptomës, e cila përbëhet nga rimarrja pa pushim e të njëjtit Njësh. Duke qënë i njëjti, nuk mund ta mbledhim. Nuk dëgjojmë asnjëherë “piva tre gota, prandaj mjaft”. Ajo që pihet është gjithmonë e njëjta gotë, edhe një herë. Kjo është rrënja e simptomës. Në këtë kuptim Lakani ka thënë që simptoma është një et cetera, rikthimi i të njëjtës ngjarje.” 21

Siç e shihni, tema e kongresit tonë të ardhshëm, është, në njëfarë kuptimi, vazhdimi logjik i kësaj.

Përktheu Eva Filaj

 

1 Jacques-Alain Miller, L’être et l’Un, cours 4 du 9.2.2011.
2 Jacques-Alain Miller, Le Partenaire symptôme, cours du 3 et du 10.12.1997.
3 Sigmund Freud, Trois essais sur la théorie sexuelle, p 194-195, éd nrf-Gallimard, 1987. Adhérence en français et ‘pertinacity’ en
anglais, sont la traduction du mot allemand, Haftbarkeit, G.W. V, p. 144.
4 Ibid, p. 196.
5 Ibid, p. 185.
6 Sigmund Freud, Sur la psychanalyse, p 41-43, éd nrf-Gallimard, 1991.
7 Sigmund Freud, Introduction à la psychanalyse, p 255 et svtes, éd pbp, 1978.
8 Sigmund Freud, L’analyse avec fin et l’analyse sans fin, Résultats, idées, problèmes II, p. 244, PUF 1985
9 Jacques-Alain Miller, L’Être et l’Un, cours 4 du 9.2.2011 et 9 du 30.3.2011.
10 Jacques-Alain Miller, L’Être et l’Un, cours 9 du 30.3.2011.
11 Sigmund Freud, Remémoration, Répétition, Perlaboration, (texte de 1914) in La Technique Psychanalytique, p. 105 et svt, PUF
1977.
12 Sigmund Freud, Essais de psychanalyse, p. 104, pbp 1981.
13 Jacques-Alain Miller, Transfert, répétition et réel sexuel, Quarto 121 (2019), p. 14 (cours 15.3.1995).
14 Jacques-Alain Miller, Transfert, répétition et réel sexuel, Quarto 121 (2019), p. 14 (cours 15.3.1995).
15 Jacques-Alain Miller, La fuite du sens, cours du 20.3.1996.
16 Jacques Lacan, Sem XI, Les quatre concepts fondamentaux de la psychanalyse (Texte établi par Jacques-Alain Miller), 1973, Paris :
Seuil, p 53.
17 Ibid, p. 54.
18 Jacques-Alain Miller, L’être et l’Un, cours 3 du 2.2.2011.
19 Jacques-Alain Miller, Transfert, répétition et réel sexuel, Quarto 121 (2019), p. 17 (cours 15.3.1995).
20 Ibid.
21 Jacques-Alain Miller, Lire un symptôme.
https://www.wapol.org/es/articulos/TemplateImpresion.asp?intPublicacion=13&intEdicion=2&intIdiomaPublicacion=1&intArticulo
=2305&intIdiomaArticulo=5