I.I. – Po mund të fillosh.
O.V. – Psikoanaliza që ështe një libër i shkruajtur nga filozofi Jacques Lacan, tregon për mendimet, flet për mendimet. Mendimet i klasifikon në dy grupe: në mendime të pavetëdijshme dhe në mendime të vetëdijshme dhe pikërisht ato mendime të pavetëdijshme ai i quan si të zakonshme, nuk i quan si sëmundje siç i quajnë psikiatrit. Pikërisht thotë që njeriu duhet të shprehet sido që të jenë mendimet, jo ti frenojë mendimet, mendimet që nuk i pëlqejnë një psikiatri apo një psikanalisti të zakonshëm. Thotë që njeriu duhet të flasë dhe për sa kohë njeriu flet ndihet me llafe të bukura nga psikoanalisti, lehtësohet dhe pikërisht një metodë shumë e mirë që të flasësh. Për sa kohë flet mendimi është i arsyeshëm, në qoftë se njeriu fillon të ndërpresë të folurën thotë, mendimi fle gjumë. Nuk është në funksion më është në gjumë, mendimet janë në gjumë, thotë Jacques Lacan.Ai thotë që njeriu lind me mendime, nuk lind pa mendime, lind që në barkun e nënës, që femija në fetus ka mendime. Nuk lind nga zeroja mendimi, mendimi trashëgohet.
I.I. – Këtë e ke perceptuar në libër?
O.V. – Po, nga libri edhe nga shkenca sepse kam studiuar për mjekësi. Njeriu nuk lind nga zeroja. Bota ka evoluar dhe si rezultat i kësaj dhe kultura e njerëzve është shtuar. Shtimi i popullit ka ardhur me shtimin e numrit të plehrave, të mbetjeve inerte, është shtuar sasia e mbeturinave. Si rezultat i kësaj njerëzit kanë filluar të merren me përpunimin e këtyre mbeturinave sepse nuk mund ti lejojnë ti mbytin mbeturinat detyrimisht industria, ka një industri tani, që është një industri e re që merret me përpunimin e plehrave të ndryshme inerte nga plastiket nga të gjitha. Çdo gjë është e paketuar që shitet në këtë epokë në këtë status të zhvillimit, buka, qumështi, çdo gjë vjen e paketuar me paketim. Prit, dua të them dhe diçka tjetër psikologe Ina. Përveç kësaj është shtuar dhe numri i kanalizimeve, ka kanalizime të ujërave të zeza dhe kanalizime të ujërave të bardha. Pa dashje mund të ndodhin që këto kanalizime të cikin njëra tjetrën, të përzihen njëra me tjetrën dhe mund të shtohet sëmundja e popullatës, por niveli i jetesës është rritur. Populli ha më mirë se ka ngrënë para shumë shekujsh, është shekull i zhvillimit ky, është shekull ku zhvillimi ka kulmin e tij dhe është rezistent, njeriu është rezistent ndaj mikrobeve, ai njeriu që nuk është rezistent do sëmuret, por shumica e njerëzve janë rezistent ndaj këtyre mikrobeve. Përveç kësaj, përveç kulturës, do thosha që truri njerëzor është i paarritshëm, nuk ka asnjë makineri që të arrijë zhvillimin që ka truri njerëzor i njeriut. As kompjuteri, as makinat e tipit të fundit që të ecin pa njeriun nuk bën vaki. Njeriu i drejton, njeriu është më i fuqishmi ndër të gjithë shpikjet që ka bërë truri njerëzor. Tani, do thuash nuk e kanë të barabartë të gjithë turin, aq sa studiojnë aq e kanë. Ata që merren me studime të ndryshme e kanë, plus kësaj shkenca, lidhja e trurit me natyrën, që truri i njeriut të bëhet kompleks një me natyrën duhet ta njohë natyrën. Në fillim njeriu kur lind e sodit natyrën, pastaj nëpërmjet shkencave të ndryshme si biologji, fizikë, kimi, histori të gjitha këto shkenca të ndryshme e plotësojmë dhe me kulturën që kemi.
I.I. – Ndjehu e lirshme të shprehësh gjithçka çfarë mendon.
O.V. – Njeriu ka arritur në njohjen më të përsorur të natyrës, është bërë përsosmëri me njohen me natyrën. Tani, çfarë të them tjetër, kaq kam kuptuar.
I.I. – Nëse rikthehemi tek libri, të cilën ti e ke lexuar të gjithë, a ka ndonjë paragraf prej tij që dëshiron ta ndash ose ta lexosh dhe të risjellësh sërish një mendim për atë pjesë. Ka diçka që të ka ngacmuar ty ?
O.V. – Nga libri ? Unë habitem me këtë që si mendimi fle ? Pyeta një shokun tim dhe i thashë për sa kohë ti nuk flet, mendimi yt fle. Ai tha nuk është e vërtetë, unë po mendoj për diçka tjetër. Kjo tregon që ti e ke fjetur atë që the dhe ke nisur të flasësh diçka tjetër. Ah, kam diçka! Materia, lënda që ka një vrimë në fund dhe për sa kohë që kjo materie të ketë një vrimë në fund ajo shteron, thotë libri. Përfytyroj unë një tenxhere që është me një vrimë në fund dhe uji rrjedh apo me një…. Tani them unë: mirë materia shteron për sa kohë është me një vrimë në fund por dhe mendimet për sa kohë janë, sa vrima ka fytyra, 7 vrima..
I.I. – Flet për shqisat apo jo?
O.V. – Po për shqisat. Për sa kohë këto shqisa shohin, mendojnë, flasin ato i shterojnë mendimet, i nxjerrin. Ose një tunel, është një tunel me një vrimë, për sa kohë i afrohesh kësaj vrime mbyllet vrima e tunelit, del një diçka e re pas tunelit. Del një fushë e mbjellë. Kjo më ka tërhequr kjo puna e kësaj, çdo gjë që ka një vrimë shteron, del diçka e re. Buron diçka e re nga shterimi i asaj që lë pas.
I.I. – Duket sikur është një proces që nuk përfundon asnjëherë?
O.V. – Po, është një proces që nuk përfundon asnjëherë, në kërkim.
I.I. – Kuptoj.
O.V. – Bota është në zhvillim, kjo është përshtypja. Atë u them dhe njerëzve të mi, nuk kanë rëndësi emrat sepse nuk dua tua nxjerr emrin. Bëhuni qytetare të denja për botën e zhvilluar.
I.I. – Çfarë do të thotë qytetare të denja?
O.V. – U them sa herë i telefonoj, zhvillohuni, zhvillohuni merrni maksimumin. Jo të lodheni, me shplodhje, me kufi çdo gjë, që të mos shkatërroheni. Të përfitoni dhe tu ngelen mbresa në kokë, jo çfarë thonë në letra notat. Ta keni poliglot kokën, le të jenë notat sepse jepni provim ato që dini, e hedh poshtë notën që keni në dëftesë. Sepse bota është në zhvillim, këtu e kam fjalën dhe rëndësi ka njeriu sa mban mend, jo sa ka lexuar. Mund të kesh lexuar miliona libra, unë them të gjithë njerëzit duhet të japin provime.
I.I. – Sa ka ndryshuar për ty realiteti sot në psikiatri ?
O.V. – Dikur më parë sjelljet ndaj pacientëve kanë qenë të ashpra. Mua më kërcënonin shpesh herë duke më thënë : Pusho, do të të fusim në “2 me 1”.
I.I. – Çfarë është 2 me 1 ?
O.V. – Ishte një metodë e vjetër për ta frenuar pacientin. Unë habitesha dhe frikësohesha sa herë dëgjoja që bërtisnin: pusho se do të bëjmë 2 me 1. Më vonë e kuptova që ishte haloperidol, kloropromazin dhe diazepam. Tri gjilpëra njëherësh. Të hidhnin si top. (Qesh).
I.I. – Aktualisht si e vlerëson situatën në shërbimin psikiatrik ? Ndihesh më e frikësuar ?
O.V. – Tani është ndryshe, pavarësisht se brezi i vjetër nuk heq dorë kollaj.
I.I. – Çfarë ndikimi ka pasur tek ty brezi i vjetër ? A ka ndryshim ky brez me mjekët që shërbejnë sot në spitalet psikiatrike ?
O.V: Brezi i ri është ndryshe. Ata dhurojnë më shumë dashuri. Më pyesin shpesh herë : Hë moj Orjeta si je ? Si dukesh ? Buzëqeshin, flasin. Ndërsa të vjetrit kishin shumë autoritet përpara të sëmurit.
I.I. – Si ndihesh ti përballë këtij autoriteti ?
O.V. – Nuk më pëlqen. Nuk më lejon të flas, druhem dhe nuk e shpreh atë që mendoj. Unë dua të flas, kam qenë oratore, kam krijuar poezi dhe kam lexuar shumë. Njeriu duhet të jetë i lirë të shprehë atë që mendon, pa u kërcënuar 2 me 1. Kur shpreh atë që mendon se je vërtet njeri i lirë.
I.I. – Të falenderoj për kohën e kushtuar dhe mendimet që ke shprehur në këtë intervistë.
Kjo bisedë publikohet pjesërisht e reduktuar me pëlqimin e banores dhe me rastin e ribotimit të librit ‘Mësimet e mia’ të Jacques Lacan në 10 tetor 2018, ditën botërore të shëndetit mendor në spitalin psikiatrik ‘Ali Mihali’ Vlorë.