Skip to main content

Jazz dhe psikanalizë

Nga Eva Filaj

Në nëntor të vitit 2016, isha në Paris për të marrë pjesë në edicionin e 46-të të Journées të École de la Cause freudienne (ECF), me temën « L’objet regard ». Një nga mbrëmjet, bashkë me një kolege, ndoqëm një koncert jazz. Jazz-i është një nga pasionet e mia të kahershme dhe koncerti, për të disatën herë, nuk më zhgënjeu. Përkundrazi.

Solisti që performonte në skenë, Dwight Trible, kishte një mënyrë shumë të veçantë interpretimi. Në një lojë të vazhdueshme me zërin, ai e çonte atë deri në kufijtë e një klithme, për ta ulur më pas ndjeshëm, deri në shuarje. Dukej sikur përmes kësaj loje përçonte diçka të koduar, që shkonte përtej muzikës.

E përkryer!

Isha përfundimisht nën sharmin e kësaj loje.

Në një moment të mbrëmjes, ndërsa admironim performancën e artistit në atë kafe-restorant parizien, i them me zë të ulët koleges sime: « Për mua, jazz-i dhe psikanaliza janë njëlloj, po aq pasionues. » Edhe pse e kisha krejtësisht të qartë vendin që zinte secila prej tyre në jetën time, u befasova nga asocimi që sapo kisha bërë.

Ditë më vonë, ndërsa i rikthehesha atij momenti dhe atij verbalizimi pëshpëritës gjatë koncertit në Paris, ngjashmëria midis psikanalizës dhe jazz-it, apo muzikës në përgjithësi, m’u duk akoma më e fortë. Të dyja, secila në mënyrën e vet, më dukeshin të përfshira në një përpjekje ambicioze për të bërë diçka me ëndjen (jouissance), për t’i dhënë asaj një formë. Ndërsa muzika bën me ëndjen jazz (ashtu siç arti në përgjithësi bën me ëndjen pikturë, kinema, arkitekturë), psikanaliza, duke kaluar nga e pavetëdijshmja dhe simptoma, përpiqet të deshifrojë diçka nga ajo që është nyjëtuar në simptomë, pa pretenduar se mund ta shterojë ëndjen përmes interpretimit.

Mendoj që ia vlen të ndalem një çast, megjithëse e di që do të ishte krejtësisht e pamjaftueshme dhe se do të duhej shumë më tepër se një çast për të qartësuar këtë koncept, te jouissance (apo ëndja, siç guxova ta përktheja). Jouissance është një fjalë që duket se i shpëton vetë përpjekjes për ta përkufizuar, dhe kjo jo vetëm në shqip. Ajo na çon drejt një dimensioni të reales që nuk mund të mbërthehet tërësisht nga shenjuesit. Jouissance është një koncept të cilin Jacques Lacan e përpunoi dhe e riformuloi përgjatë mësimdhënies së tij. Lacan e dallon ëndjen nga kënaqësia, duke treguar se ajo nuk kufizohet në atë që subjekti kërkon apo përjeton si të këndshme. Ai shprehet se: « Subjekti nuk kënaq thjesht një dëshirë, ai ëndet të dëshirojë dhe ky është një dimension thelbësor i ëndjes »[1].

Le t’i rikthehemi solistit të jazz-skenës dhe lojës së tij në skenë (dyshoj që ai riprodhon të njëjtën lojë jashtë skenës dhe, nëse një herë tjetër do të ndaleshim te skena, do të gjenim po kaq lidhje me psikanalizën). Ndërsa interpretonte (pak rëndësi kishte kënga që këndonte, loja ishte gjithmonë e njëjta), trupi i tij dukej i përfshirë në një ëndje gati të prekshme. Diçka nga ajo që përcillte gjatë interpretimit nuk dukej se synonte vërtet publikun e sallës; të krijohej përshtypja se i përkiste vetëm atij. Dritat e ngrohta të skenës e shkëputnin plotësisht nga salla e zhytur në errësirë, duke e bërë edhe më të fortë këtë përshtypje. Dhe zëri, që çante qetësinë e respektueshme me të cilën pritej, dukej se shkëputej nga fjalët që mbartte. Diçka në të i shpëtonte kuptimit, por jo dëgjimit.

Pikërisht kjo është rruga e muzikës, aq e veçantë në raport me gjuhën. Ndërsa gjuha vuan pamjaftueshmërinë e fjalëve për të thënë gjithçka, muzika nuk duket se e ka të njëjtën pengesë. Përkundrazi, ajo që fjalët nuk arrijnë të thonë, duket se e pasuron muzikën, duke i hapur mundësi të pafundme interpretimi.

Duke ardhur në këtë pikë, nuk kam se si të mos ndaloj në përkufizimin e Lacan-it për zërin si objekt pulsional (apo ky ishte qëllimi që në fillim??). Lacan i jep zërit një vend të veçantë në teorinë e tij të objektit a, veçanërisht në Seminarin X, Angështia. Kur flitet për objektin në psikanalizë, është e pamundur të mos i referohemi « objektit të humbur », një referencë themelore frojdiane. Te Freud-i gjejmë objektet e lidhura me organizimin pulsional, veçanërisht gjirin dhe feçet, si edhe ekuivalencat simbolike midis feçeve, penisit, fëmijës dhe parasë. Lacan, duke e rimarrë dhe riformuluar këtë trashëgimi, i jep një status të veçantë vështrimit dhe zërit si objekte a, ndërsa përgjatë mësimdhënies së tij e zgjeron më tej reflektimin mbi format dhe funksionet e objektit.

Sipas Lacan-it, për çdo subjekt folës ekziston një funksion i veçantë i objektit, që lidhet me atë që ai e quan objekt a. Ky objekt, që nuk duhet ngatërruar me objektin e zakonshëm të dëshirës, është para së gjithash objekt-shkak i dëshirës. Lacan-i e shënon këtë objekt me shkronjën a. Ky shënim algjebrik është, sipas tij, « si një fije, e destinuar të na lejojë të njohim identitetin e objektit nën format e ndryshme me të cilat ai na shfaqet »[2].

Vazhdon…

[1] Jacques Lacan, Le Séminaire, livre V, Les Formations de l’inconscient (1957–1958), tekst i hartuar nga Jacques-Alain Miller, Paris, Seuil, 1998, f. 313, seanca e 26 marsit 1958.

[2] Jacques Lacan, Le Séminaire, livre X, L’Angoisse (1962–1963), tekst i hartuar nga Jacques-Alain Miller, Paris, Seuil, 2004, f. 102, seanca e 16 janarit 1963.