Nuk ka raport seksual
Nga Christiane Alberti
Kjo mbrëmje, e njohur si mbrëmja e Shoqatës Botërore të Psikanalizës (SHBP), mbahet gjithmonë në momentin e mbledhjes së Këshillit të SHBP-së. Përmbajtja e saj ndryshon sipas aktualitetit, dhe këtë vit kemi zgjedhur të bëjmë hapjen e mbrëmjes të Kongresit të XV-të të SHBP-së. Kështu, drejtori I tij, Ricardo Seldes do të ketë mundësinë që të prezantojë se si përgatitet ky kongres, kujt i dedikohet, llojet e praktikave dhe, mbi të gjitha, disa argumente për të na hapur oreksin*.
Pjesmarrës do të jenë gjithashtu anëtarë të Këshillit të SHBP-së si dhe kolegë, pjesë e komisioneve që kanë filluar punën prej muajsh tashmë.
Titulli i këtij Kongresi “Nuk ka raport seksual” sjell menjëherë një konstatim: është hera e parë që termi «seksual» shfaqet në titullin e një kongresi të SHBP-së. Kështu që, na jepet mundësia të shqyrtojmë se çfarë e shkaktoi skandalin e zbulimit frojdian, por gjithashtu suksesin e tij nëse marrim parasysh se Freud-i ka kontribuar në shpërbërjen e moralit seksual të qytetërimit, duke vënë në pah rëndësinë e seksuales në ekonominë psikike, dhe duke nxjerrë në dritë seksualitetin infantil. Ai e zgjeroi kuptimin e tij, përtej çiftëzimit dhe konceptit të gjenitales, duke konsideruar, për shembull, se tek seksualiteti infantil (duke iu referuar pediatrit Lindner [1]), thithja është prototipi i pulsionit seksual: një kërkesë primare, kryesore për kënaqësinë, e pavarur nga nevoja jetësore, një gjendje e trupit e heshtur në marrëdhënie me veten. Siç e shkruan ai, në mënyrë radikale, në «Moralin seksual « të qytetëruar»…»: «pulsioni seksual vepron sipas qejfit të vet» [2].
Që nga koha e Freud-it, seksualiteti ka ndryshuar në mënyrë radikale. Seksualiteti është gjithnjë më i pranishëm, më i dukshëm, duke u shfaqur kudo në internet dhe në rrjetet sociale. Pak para vitit 1968, në Mësimet e mia, Lacan-i nënvizoi qartë këtë evidencë ku ndryshimi i vërtetë është ky: seksualiteti ka humbur diçka nga ëndja (jouissance) klandestine dhe transgresive për t’i lënë vendin një seksualiteti që ka «diçka më publike […]», «në qiell të hapur» [3]. Si rrjedhim, subjektet e shohin veten të zhveshur nga një pjesë e intimitetit dhe e sekretit për ta precipituar veten jashtë, në skenën publike. Dhe kjo është akoma më e pranishme sot, në kohën e zhvillimit të seksualitetit në hapësirat dixhitale.
Një studim i fundit dhe i mirëdokumentuar i INSERM-it (Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Kërkimeve Mjeksore) (mbi evolucionin e seksualitetit të francezëve nga 15 deri në 89 vjeç ka publikuar rezultate që meritojnë të nënvizohen [4].
Rezultatet fillimisht konfirmojnë tendenca që nuk janë të reja: si ndryshime të rëndësishme që lidhen me promovimin e normës së barazisë midis sekseve dhe seksualiteteve, si dhe tronditje të forta të strukturave familjare në një kontekst ku ligji kupton aksesin ndaj martesës dhe prindërimit.
Më interesantja është ajo që është shënuar si risi dhe cilësuar si «paradoksi bashkëkohor i seksualitetit» [5]. Ai karakterizohet nga një larmi më e madhe e aktivitetit seksual – rritja e numrit të partnerëve, zgjerimi i «repertoreve» seksuale (më pak penetrim dhe më shumë masturbim) – njëkohësisht me një frekuencë më të ulët të marrëdhënieve seksuale. Këto prirje vërehen gjithashtu edhe në vende të tjera si (Gjermani, Shtetet e Bashkuara, Finlandë, Japoni, Mbretëri e Bashkuar).
Në një farë mënyre, këto elemente nuk janë të ndryshëm nga ato që iu adresohen psikanalistëve. Kjo gjë vërehet veçanërisht te subjektet, që me rritjen e papërmbajtur të numrit të partnerëve, nën imperativin e një ëndjeje (jouissance) të përhershme dhe të menjëhershme, që nuk i dorëzohen fatit që u rezervon e pavetëdijshmja, por një konsumi nën varësinë e rreptë trupore ku, çdo ndarje anulohet; seksualiteti bashkohet kështu me regjimin e varësive, si forma të ndryshme të mbushjes së boshllëkut. Është përmes acting që subjekti mbrohet nga turpi.
Por kemi edhe raste kur seksualiteti vihet në distancë, nën formën e çiftit vëllazëror, dyshes në pasqyrë, në të cilin iluzioni i të qenit një është çuar në kulm, përmes shmangies ose mohimit të ndërlikimeve të dashurisë dhe dëshirës.
Në një kuptim, Lacan-i na ofron një lexim të këtij paradoksi përmes asaj që, në Seminarin XI, ai e quan «deseksualizim» [6]. Në një kontekst qytetërimi ku, të kesh është më e rëndësishme se të jesh, ku komandon objekti, vëzhguesit bashkëkohorë konsiderojnë se rendi erotik përshtatet me nevojat imperative të tregut, në një mënyrë, mund të themi, të çmishëruar dhe të shkarkuar nga afektet. Lacan-i na ofron një lexim tjetër, më pak të thjeshtë, duke hedhur dritë saktësisht mbi atë që ndodh kur objektet e realitetit marrin përparësi mbi shkakun intim të subjektit. Lidhur me objektin oral, ai tregon se zona e erotizuar vlen për kënaqësinë pulsionale, për aq sa zonat e tjera, të deseksualizuara, janë të përjashtuara. Por çfarë ndodh kur lëvizja është e kundërt, kur vetë objekti seksual, partneri, rrëshqet drejt shpatit të realitetit? Subjekti, thotë Lacan-i, hyn atëherë në një zonë rënieje të quajtur funksioni i realitetit. Realiteti merr përparësi ndaj reales pulsionale, mishi mbi trupin. A nuk është ky një çelës leximi për çmagjepsjen apo cinizmin bashkëkohor në lidhje me seksualen?
Pjesa tjetër e studimit vë në pah se sa peshë ka marrë çështja e cënimit seksual: është hedhur një hap drejt një kulture të kontratës, veçanërisht për të garantuar pëlqimin [7]. Këtu duhet rilexuar «Kant avec Sade» [8] për të kuptuar se një shoqëri e kontratës, jo vetëm që nuk pengon, por nxit cinizmin e ëndjes (jouissance) dhe «ligje të reja të mikpritjes», si për shembull mélangisme* .
Sot, rivaliteti imagjinar mes burrave dhe grave tenton të reduktohet në përleshje, në radikalitete pa nuanca. Përmes këtyre kërkesave, regjimi i barazisë absolute të subjekteve merr përparësi mbi diferencimin e ëndjes (jouissance) mashkullore dhe asaj femërore, mbi diferencimin e ëndjes (jouissance) në përgjithësi, përmes iluzionit të ndarjes identitare të saj. Aksioma e nënkuptuar është ajo e ndarjes së sekseve, duke e lënë secilin në vetminë e vet pulsionale. Bëhet fjalë për të hequr dorë nga Tjetri, gjithnjë i dyshuar për dhunë [9], për përdhunimin e qenies. Asimetria me Tjetrin e madh denoncohet si marrëdhënie dominimi, aty ku Lacan-i pohon se vetëm artefakti i Tjetrit e bën të mundur atë që i përket rendit të seksit, dhe raportit që bëhet me bashkimin e sekseve. [10].
Le të mos mashtrohemi: në këtë separatizëm nuk kemi lakuriqësi të mos-raportit, por një deseksualizim që përshkruan raportin seksual si duhet të jetë, që e bën atë të ekzistojë përmes një mohimi.
Kjo nënkupton rikthimin nga «nuk ka» te aforizmi «nuk ka raport seksual». Jacques-Alain Miller e komenton kështu në Conversation d’Arcachon: «Nuk ka» e Lacan-it është faqja e bardhë, nuk është e shkruar. Duhet të bëjmë dallimin midis mohimit të një pohimi të shkruar dhe mosshkrimit të këtij pohimi.» [11] J.-A. Miller ka propozuar një shkrim të këtij aforizmi, duke përfaqësuar mungesën e raportit seksual thjesht me simbolin e bashkësisë boshe, dhe duke shkruar sipër «sigma e simptomës». Në këtë «nuk ka», bëhet fjalë për një mungesë tjetër nga ajo e përjashtimit (forclusion). «Nuk ka raport seksual» nuk është një vrimë: është një «nuk ka» i pastër. Pra, duke qenë «i brendashkrueshëm, themelor, si raport» [12] raporti seksual nuk ekziston. Duhet pra, të shqyrtojmë vlerën e vërtetë të asaj që shkruhet.
Lacan-i e pohon qartë këtë në L’Étourdit: «Nuk ka raport seksual nuk nënkupton se nuk ka raport me seksin.» [13] Që nuk ka raport seksual të brendashkrueshëm është pikërisht ajo që kushtëzon ekzistencën e marrëdhënieve, – që ka diçka të rendit të seksit –, ato që zbulojnë lidhjet e pavetëdijshme; marrëdhënie që kalojnë përmes ëndjes (jouissance), trupit dhe gjuhës, përmes aftësisë së të pavetëdijshmes me lalangue, me fjalë të tjera përmes simptomës. Këto lidhje janë gjithmonë simptomatike. Sado që seksualiteti është në qiell të hapur, seksi bën gjithmonë simptomë. Nuk i shpëtojmë dot kësaj. Pikërisht këtu psikanaliza luan rolin e saj, sidomos në një kohë kur simptoma nuk njihet në ligjërata dhe zhvlerësohet nga vetë subjekti.
Kështu, duke ndjekur qasjen e një Lacan-i të lidhur kundër rrymës në lidhje me jetën bashkëkohore, këtij kongresi do ti duhet të shqyrtojë pasojat e kësaj «nuk ka» mbi mitet moderne të jetës seksuale dhe dashurore. Në kohën e Njëshave-krejt-të-vetëm, a është ende aktuale dëshira për të formuar një çift? Kur askush nuk beson më në programin « secili shoqen e vet », a mbetet dashuria një zëvendësim i privilegjuar i mos-raportit? Cilat janë format e tjera zëvendësuese që zbulon praktika klinike dhe përvoja?
Opaciteti i seksuales
« Seksomania pushtuese nuk është veçse reklamë » [14], thoshte Lacan-i në intervistën e tij për revistën Panorama. Është e qartë, ajo nuk do t’ia gjejë fundin misterit të seksualitetit. Në fakt, sado që të dixhitalizohet, siç e ka formuluar Éric Laurent, « programi i ëndjes (jouissance) nuk është virtual » [15].
Në seminarin Le Sinthome, është pikërisht termi « opacitet i seksuales » [16] ai që tërheq vëmendjen. Çdo mendim, çdo dije, na thotë Lacan, duhet të rishqyrtohet duke u nisur nga akti seksual, vetë gjuha është në raport me seksin. Në një bisedë të pabotuar të UFORCA-s (Unioni për Trajnim në Analizën Klinike) mbi Le Sinthome [17], J.-A. Miller ka ndriçuar opacitetin për të cilin bëhet fjalë. Ai nuk emërton këtu pamundësinë e të thënit për dëshirën seksuale. Ai shfaqet më tepër si një njollë në fushën pamore, seksualja e bën opake, të papërshkrueshme, fushën pamore, faqen e dukshme të « nuk ka ». Referenca këtu, saktëson ai, nuk është enigma (regjistri i shenjuesit), por imagjinarja e trupit si përbërje e qenies folëse (parlêtre). Kështu që pyetja që kërkon zgjidhje do të ishte: « Si mund të mendohet që tjetri folës të adhurojë trupin e tij, dhe jo timin? » [18]
Kjo perspektivë më duket pasionante, jo për të ndriçuar gjithë opacitetin, por për të pranuar që drita na vështron, për të mos vështruar shumë nga afër, në mënyrë që misteri i seksuales të mbetet.
Përktheu
Klodiana (Turhani) Bardhoshi
* Texte présenté le 3 février 2025 lors de la soirée de l’AMP inaugurant le travail en direction du congrès de l’AMP en 2026.
[1] Cf. Freud S., « La vie sexuelle humaine », Conférences d’introduction à la psychanalyse, Paris, Gallimard, 1999, p. 397.
[2] Freud S., « La morale sexuelle “civilisée” et la maladie nerveuse des temps modernes (1908) », La Vie sexuelle, Paris, PUF, 1969, p. 41.
[3] Lacan J., Mon enseignement, Paris, Seuil, 2005, p. 28.
[4] INSERM, Contextes des sexualités en France, 2024, disponible sur internet : https://presse.inserm.fr/wp-content/uploads/2024/11/rapp_CSF_web.pdf
[5] Ibid., p. 39.
[6 Lacan J., Le Séminaire, livre XI, Les Quatre Concepts fondamentaux de la psychanalyse, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 1973, p. 152.
[7] Cf. INSERM, Contextes des sexualités en France, op. cit., p. 40.
[8] Cf. Lacan J., « Kant avec Sade », Écrits, Paris, Seuil, 1966, p. 765-790.
[9] Comme l’indique l’augmentation statistique de la mise en question déclarée du choix hétérosexuel : pour mieux se prémunir des agressions. Cf. INSERM, Contextes des sexualités en France, op. cit., p. 40.
[10] Cf. Lacan J., Le Séminaire, livre XVIII, D’un discours qui ne serait pas du semblant, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2007, p. 131.
[11] Cf. Miller J.-A., La Conversation d’Arcachon. Cas rares. Les inclassables de la clinique, Paris, Agalma, 1997, p. 260.
[12] Lacan J., Le Séminaire, livre XVIII, D’un discours qui ne serait pas du semblant, op. cit.
[13] Lacan J., « L’étourdit », Autres écrits, Paris, Seuil, 2001, p. 464.
[14] Lacan J., « Entretien au magazine Panorama », La Cause du désir, n° 88, octobre 2014, p. 173.
[15] Laurent É., « Le programme de jouissance n’est pas virtuel », La Cause freudienne, n° 73, décembre 2009, p. 42-49.
[16] Lacan J., Le Séminaire, livre XXIII, Le Sinthome, texte établi par J.-A. Miller, Paris, Seuil, 2005, p. 64.
[17] Propos prononcés par Jacques-Alain Miller lors des Journées UFORCA des 21 & 22 mai 2011 qui avaient pour titre « Le parlement de Montpellier, Autour du Séminaire XXIII », inédit.
[18] Ibid.






