Skip to main content

Një e vërtetë që nuk njihet

Gian Francesco Arzente

Sa herë që ndeshem, në pozicionin tim si analist, me vështirësitë e subjekteve që vijnë në zyrën time ose në institucionet e psikanalizës së aplikuar ku unë punoj, e kuptoj se nëse procesi terapeutik mund të marrë rrugë dhe të zhvillohet, pikënisje është gjithmonë aftësia për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre në një mënyrë jo-normative apo standarte, por më tepër krijuese.

Dhe më kujtohet se për një fëmijë në vështirësi serioze, takimi me një psikanalist mund të ndryshojë jetën, ashtu siç ndodhi edhe me mua.

Kjo m’u kujtua kohët e fundit, kur takova për herë të parë Giovanna-n, një vajzë 9-vjeçare e cila ndihet e dëshpëruar që kur babai i saj vendosi të mos e takonte më, në mjediset e mbrojtura, të ofruara nga edukatorët, pas ndarjes së detyruar të babait nga nëna e saj. Nëna e Giovanna-s, në fakt, kishte vendosur ta denonconte burrin e saj pas një tjetër grindjeje që kishte degraduar në dhume fizike. Që kur babai i Giovanna-s ndaloi së ndjekuri takimet me të në këto mjedise, Giovanna gradualisht ndaloi së studiuari, nuk donte të shkonte më në shkollë dhe të kalonte kohë me fëmijë të tjerë. E pyeta nëse e dinte se perse nëna e saj e kishte sjellë në zyrën time dhe ajo më thotë se nuk e dinte me siguri, por tregon se shpesh e gjen veten duke qarë, sidomos kur është vetëm dhe kur është me të tjerë grindet, grindet veçanërisht me nënën dhe motrën e saj më të madhe.

– Dhe pse mendon se të ndodh kjo?, e pyes.

– Kam qenë e trishtuar që kur babai im më tha se nuk mund ta duronte të më takonte vetëm një herë në muaj në hapësirën e caktuar për ne, kështu që më tha se nuk donte të më takonte më fare.

– Por unë menjëherë i thashë: “Por babi! Është më mirë të shihemi më pak sesa të mos shohemi fare!” Gjithsesi ai vendosi të mos më takonte më.

Në vështirësitë që sjell Giovanna në zyrën time mund të shihet se si ato janë të lidhura pikërisht me atë që Tjetri, babai i saj në këtë rast, ka refuzuar tek ajo. Tjetri atëror e hodhi poshtë gjetjen e saj origjinale, shpikjen e saj, “Të shihemi më pak është më mirë sesa të mos e shihemi fare”, dhe që atëherë ajo filloi të bënte më pak në shkollë, më pak në shtëpi, derisa dhe fjalët që kishte për të thënë mbetën, po ashtu, të pakta.

Kështu, pa u menduar shumë, i përgjigjem:

– Po, është më mirë pak sesa asgjë! Sa shpikje e bukur, Giovanna!

Në takimet tona në vazhdim, ajo sjell me vete një lodër të vogël prej pellushi:

– Nuk është e vërteta, origjinalja” më thotë ajo, “por më pëlqen, edhe pse kushton shumë pak. Nëna ime nuk ka mundësi të më bëjë dhurata të shtrenjta.

Po, është e vërtetë që për ne eshte e çmuar edhe ajo pak që për të tjerët mund të duket diçka e vogël, gati asgjë, siç mund të jetë një detaj i vogël, madje edhe një e metë e vogël, si për shembull nje njollë e vogël, që na dallon nga të tjerët, edhe në mënyrë negative, ndonjëherë.

Vazhdoj duke e pyetur se çfarë emri i kishte vënë lodrës së saj prej pelushi? Giovanna habitet nga interesi im për lodrën e saj dhe më thotë se edhe asaj i pelqen të degjojë sekretet që i tregon një shoqja e saj, ashtu siç po bëja unë me të dhe vazhdon duke më pyetur:

– Si mësove ta bësh këtë punë?

Iu përgjigja se edhe unë kisha takuar një psikanalist, ashtu si ajo tani mua, një psikanalist që kishte pranuar diçka timen, diçka për të cilën turpërohesha dhe nuk arrija ta vlerësoja, por më pas, arrita të kuptoj se ajo që mendoja se ishte gjë e keqe, ishte në të vërtetë diçka shumë e çmuar.

A nuk është ky parimi i Arkimedit mbi të cilin bazohet psikanaliza, një shenjues gjen një kontekst, një vend, një Tjetër, një Tjetër që me përgjigjen e tij, i jep atij shenjuesi një kuptim të ri, nga i cili mund të lindë diçka e re. Një e vërtetë e re. Një e vërtetë e pa treguar, që nuk njihet. Atë të vërtetë, pa të cilën, nuk do të isha këtu sonte duke mbajtur këtë konferencë, e aq më pak, ndoshta, të  bëja këtë punë që bëj.

Gjatë intervistës së parë paraprake me analisten time, analisten që zgjodha për të kryer analizën time personale, duke i folur për mënyrën se si ndihesha, i vetmuar dhe i braktisur padrejtësisht nga vajza që mendoja se e doja, papritur e gjeta veten gjithnjë e më fajtor. Duke u përpjekur ta shprehja me fjalë gjendjen time shpirtërore që po përjetoja gjatë asaj bisede, e krahasova veten me personazhet kryesore të dy romaneve, Bel Ami të Maupassant dhe E Kuqja dhe e Zeza e Stendhal, dhe me një përzierje midis turpit dhe krenarisë, fillova të shkruaja dhe redaktoja romanin e jetës sime. Pa e ditur, e gjeta veten duke luajtur rolin e dikujt që, në ndjekje të asaj që donte, thoshte më shumë gënjeshtra sesa të vërteta.

Mos isha mashtrues ndoshta? Nëse po, nuk meritoja tjeter veçse të braktisesha. Dhe pa e kuptuar, i thashë analistes se nuk mund të bëja tjetër veç ta gënjeja dhe atë, ashtu siç kisha bërë me të gjitha vajzat e tjera që kisha takuar deri atëherë. Edhe ajo do të më braktiste, ose unë vetë do të detyrohesha ta braktisja për shkak të gënjeshtrave të mia. Por çuditërisht, analistja mu përgjigj: “Mirë se vjen, e vërteta jote!”

Përgjigja qëlloi në shenjë. Qëlloi në shenjë sepse kisha gjetur një partnere Tjetër, e cila, ndryshe nga të mëparshmet, nuk kishte kërkuar të normalizonte sjelljen time të keqe, por, në vend të kësaj, kishte ndjekur një manovër që nuk më bënte të ndihesha pré e dëshirës së Tjetrit, as një objekt që Tjetri mund ta dispononte sipas dëshirës. E vërteta në diskutimin psikanalitik nuk verifikohet, nëse verifikim do të thotë vërtetimi i konformitetit të saj.

Njeriu që flet, pohon Lacan-i, është ai që “është i aftë të gënjejë”, për arsyen e thjeshtë se “ai është i ndarë, i ndryshëm  nga ajo që thotë”. Zbulimi i Frojdit, bashkë  me të pavetëdijshmen, është ai i subjektit folës si një “mashtrues”. Gënjeshtra, pra, nuk është thjesht një defekt, një anomali që gjendet tek individë të caktuar, të pandershëm apo të pakëshillueshëm, por një regjim i përgjithshëm, nga i cili askush nuk shpëton, gënjeshtra gjendet në strukturën e qenieve folëse, pasi subjekti nuk është identik me atë që thotë. Në fakt, ajo që ai thotë, e tradhton. Pse ajo që subjekti thotë është produkt i censurës, “misioni i së cilës është të mashtrojë përmes gënjeshtrave”? Shkurt, ajo që thuhet është një gënjeshtër. Është gënjeshtra e dikujt që supozohet se e di për çfarë flet, me vetëdije të plotë dhe që, në thelb, është zot në shtëpinë e tij. Kjo është e kundërta e subjektit të pavetëdijshëm, i cili, nga ana tjetër, nuk e di se çfarë thotë, as për çfarë flet.

Por psikanalizën e mësojmë, para së gjithash, mbi lëkurën tonë, shkruante Frojdi në artikullin e tij mbi “Problemi i analizës që ndiqet nga jo-mjekë”. Ajo është një përvojë afektive, motori i së cilës është një afekt që shpaloset si unik për secilin subjekt.

Lacan-i, në Seminarin e XVII-të, do të shprehej se […] ekziston vetëm një afekt, përkatësisht kapja e qenies folëse në një ligjërim, sepse ky ligjërim e përcakton atë si objekt.

Që nga momenti që një subjekt vjen në studion tonë për të diskutuar mbi atë që ai beson se është shkaku i shqetësimit së tij, duke iu referuar vazhdimisht me fjalë të tjera, vjen një moment kur ai nuk është më i sigurt se vendi i tij tek Tjetri është ai që ai besonte se ishte, dhe se ai është thjesht objekti i dëshirës së Tjetrit. Me kalimin e kohës, ndërsa flet, angështia e tij lehtësohet, dhe ndërsa nga njëra anë vazhdon të jete i sigurt për dëshirën e Tjetrit, për atë që Tjetri dëshiron prej tij, nga ana tjetër, shfaqet pasiguria, dyshimi se çfarë objekti është ai për Tjetrin.

Angështia më e madhe, thotë Lacan-i, është pikërisht angështia që ndërthurr këtë siguri të të qenit në vendin e objektit, me pasigurinë se për cilin objekt bëhet fjalë. Në lidhje me këtë, Lacan-i, në Seminarin e X-të, sjell shembullin e një insekti, që njihet si Mantis Religiosa. Imagjinoni, thotë ai, të përballeni me një Mantis gjigante që e ka për zakon të gllabëroijë partnerin e saj. Le të imagjinojmë, atëherë, se mund të gjendemi përballë kësaj Mantis gjigante që vjen drejt nesh: nëse jemi partneri i saj, do të kemi vetëm frikë, por jo angështi. Angështia lind kur mbajmë një maskë në fytyrë dhe nuk e dimë se çfarë maske mbajmë. Domethënë, ne jemi të shënjestruar si objekti i mantis-it, por nuk e dimë nëse mbajmë maskën që na bën partnerin e saj, apo jo, pra nuk e dimë se çfarë objekti jemi për të. Në këtë rast, jemi, njëkohësisht, para sigurisë se Mantis-i e gllabëron partnerin e saj dhe pikëpyetjes nëse mbajmë maskën e këtij të fundit.

Përgjigja për këtë pikëpyetje, se çfarë objekti jam unë për tjetrin, nuk mund të vijë nga Tjetri, sepse nuk ka shenjues të objektit të ëndjes. Shenjuesi përfaqëson subjektin për një shenjues tjetër, por nuk shpreh qenien.

Subjekti i shtron Tjetrit çështjen e qenies së tij, dhe Tjetri është ai që mund të përgjigjet. Tjetri mund të përgjigjet me shenjues, me atë që thotë: ti je ky ose do të jesh ai, duke e fiksuar subjektin në disa fjalë, por duke e lënë të paprekur subjektin. Pra, subjekti, në çdo rast, kërkon përgjigjen e pyetjes në atë që Tjetri nuk e thotë, në vrimat e ligjërimit.

Hansi i vogël, protagonisti i një rasti të shkruar nga Frojdi, të cilin e kemi trajtuar edhe më parë, zhvilloi një simptomë, një fobi, në momentin që ndihej i angështuar për faktin se nuk dinte më kush ishte për Tjetrin, pra çfarë vendi zinte te Tjetri. Ashtu siç i ndodhi Giovanna-s dhe mua. Hansi i vogël ishte 4 vjeç e gjysmë kur zhvilloi një fobi nga kuajt. Frojdi na tregon se fobia filloi pikërisht kur nëna e tij sapo kishte lindur një vajzë, domethënë kur një motër e vogël iu bashkua familjes. Në këtë kontekst, prindërit ishin gati të ndaheshin sepse gjërat nuk po shkonin mirë mes tyre. Gjatë kësaj periudhe, Hansi i vogël filloi të kishte ereksione të vogla dhe të merrej me bibilushin e tij, duke treguar shumë interes për organin e tij. Dhe në këtë kontekst shumë të gjallë, Hansi, ashtu si shumë fëmijë të kësaj moshe, filloi të ngrinte shumë pyetje. Pyetjet insistuese drejtuar prindërve të tij silleshin rreth enigmës së lindjes: nga vijnë fëmijët, ku ishim para se të vinim në jetë, e kujt është motra e vogël? Këto pyetje ngrejnë çështjen e riprodhimit dhe marrëdhënies midis gjinive, që për Hansin mishëroheshin nga prindërit e tij, dhe ekzistencën e një qenieje të re të gjallë, motrën. Hansi e vë në pikëpyetje këtë dhe njëkohësisht kuptimin e atij organi që ai zotëron dhe të cilin motrës së tij të vogël, që tërheq gjithë vëmendjen e familjes në ato momente, i mungon. Shtrohet, pra, për të, një çështje bazike për zhvillimin e çdo fëmije dhe çdo qenieje folëse: cila është marrëdhënia midis seksit dhe jetës? Është interesante të theksohet se fobia e Hansit zhduket falë asaj çka ai i tregon të atit, i cili, nga ana e tij, ia tregon Frojdit. “Ti do të shkosh të jetosh me gjyshen, dhe unë do të martohem me nënën,” i thotë ai babait të tij, duke gjetur një zgjidhje për pyetjen se çfarë roli, çfarë vendi duhet të mbajë në lidhje me seksin e kundërt. Zgjidhja është ajo mitike e Edipit: ai e kthen babanë përsëri tek nëna e tij, dhe unë, thotë ai, do të qëndroj me timen. E rëndësishme, përtej kësaj zgjidhjeje romantizuese, është që vërehet se ndërtimi i këtij artikulimi është i lidhur me zhdukjen e fobisë së tij nga kuajt. Fobia zhduket në një kontekst në të cilin Hansi nuk flet edhe aq shumë për frikën e tij, por ka mundësinë të artikulojë në mënyrë të qartë pyetjet e tij rreth jetës dhe seksit. Fobia zhduket kur ai shpik një shpërndarje të re të vendeve në atë familje, në të cilën, ai ishte ndjerë i përjashtuar. Siç thashë më parë, fobia aktualizon çështjen latente të seksit dhe jetës. Në rastin e Hansit të vogël, fobia i përgjigjet çështjes së ekzistencës dhe seksit, ndërsa angështia i përgjigjet pasigurisë së ndjerë për vendin e tij te Tjetri familjar.

Çdo gjë që thuhet për një subjekt para lindjes së tij ka një efekt mbi ëndjen e tij. Frojdi e quajti këtë efekt Id.

Duke rimarrë të njëjtën vijë klinike, Lacan-i na tregon se Id-i është një efekt i shenjuesit dhe e krahason atë me një kuti postare ku depozitohen letrat. Ideja e Lacan-it është që ne mund të shkojmë dhe t’i mbledhim këto letra nga kutia postare dhe t’i lexojmë ato, por efekti i letrave vazhdon të ekzistojë edhe nëse nuk i lexojmë ato. Me leximin e tyre çelet mundësia për të ditur se “është si objekti a i dëshirës, si ajo që ai ishte për Tjetrin në ereksionin e tij si i gjallë, si wanted apo unwanted i ardhjes së tij në botë, që subjekti thirret të rilindë për të ditur nëse do atë që dëshiron…”.

Përse e lejoja tjetrin të më shihte të njollosur me gënjeshtra? Çfarë të vërtete doja të arrija?

Njolla i lejon Lacan-it të prezantojë, së pari në fushën e psikanalizës, vështrimin si një objekt pulsional. Ai gjithashtu e nxjerr atë në dritë falë punimeve të Frojdit mbi vojerizmin dhe ekzibicionizmin. Po ju sjell disa fragmente nga Seminari XI ku Lacan-i punon mbi këtë temë: “Një funksion që duhet veçuar – atë që, le ta themi fjalën, fjala njollë […] na sinjalizon para-ekzistencën e diçkaje që është dhënë-për-t’u-parë”, “[…] ne jemi qeniet e vështruara në spektaklin e botës”, “[…] ky aspekt omnivoyeur mund të vërehet në kënaqësinë e një gruaje që e di që po vështrohet, me kusht që mos ia themi. Bota është omnivoyeur, por nuk është ekzibicioniste – nuk provokon vështrimin tonë. Kur fillon ta provokojë atë, atëherë fillon edhe ndjenja e të huajzimit”.

Vështrimin, Lacan-i, e rizbulon në veprën e Sartre-it, ku ai konceptohet si diçka që na surprizon. “Nëse i referoheni tekstit të tij, do të shihni se, larg të folurit për hyrjen në skenë të këtij vështrimi si diçka që ka të bëjë me organin e të parit, ai i referohet një fëshfërime gjethesh që dëgjon papritur kur ka dalë për gjah, apo një hapi në korridor, dhe në cilin moment? – pikërisht në momentin kur ai vetë është duke përgjuar nga vrima e çelësit. Një vështrim e kap atë në befasi, në funksionin e tij vojerik, e shqetëson, e shokon dhe e redukton në një ndjenjë turpi. Vështrimi në fjalë është pikërisht prania e tTjetrit si i tillë”.

Lacan-i tregon një fabul nga biografia e tij. Në djalërinë e tij, një ditë ai ishte në një varkë me disa peshkatarë bretonë. Në një moment të caktuar, një konservë sardelesh bosh shfaqet, duke lundruar mbi valë. Një mik i tij kthehet dhe i thotë: “E sheh atë konservë të vogël? E sheh? Epo, ajo nuk të sheh ty!”. Në një farë mënyre, konserva e vogël nuk e sheh atë, por e vështron. Po pse? “[…] sepse unë, në atë moment – siç e kam përshkruar veten, mes atyre njerëzve që lodheshin për të fituar bukën e gojës, duke u ndeshur me natyrën e egër – isha duke dhënë një shfaqje në një mënyrë mjaft të papërshkrueshme. Isha, të paktën, njolla në pikturë”. Si intelektual i ri, Lacan-i e gjen veten të tepërt në pikturën e peshkatarëve bretonë. Në frëngjisht, “faire tache” është një shprehje që përdoret për të nënkuptuar “të lësh një përshtypje të keqe”, “të jesh jashtë vendit” ose “të jesh bezdisës/i papërshtatshëm”. Ne ndiejmë vështrimet drejtuar mbi ne, edhe kur nuk janë. Është pak a shumë si ajo që na ndodh kur arrijmë me vonesë në një vend ku po punohet, ose kur duhet të kalojmë në një sallë të mbushur me njerëz në kinema ose teatër, e kështu me radhë. “Në fushën skopike, vështrimi është përtej – unë vështrohem, pra jam pikturë.”

Imazhi i trupit më pas merr një cilësi të çuditshme (që nuk na përket), sikur papritmas ai na shfaqet i reflektuar në një pasqyrë që rastësisht e hasim gjatë rrugës sonë. Trupi bëhet i rëndë, i vështirë. Papritmas, ne e perceptojmë atë si një hapësirë të zënë. Lind sikleti dhe angështia; është sikur diçka e jona të dalë e zhveshur. Një trup i huaj, i rëndë, një objekt vështrimesh.

Falë punës mbi këtë konferencë hasa nofkën me të cilën Andy Warhol tregon se e thërrisnin: njollë. Për shkak të një sëmundjeje që kishte kaluar gjatë fëmijërisë, ai kishte shenja në lëkurën e fytyrës, njolla. Lëkura, tregon vetë artisti, ishte problemi i tij. Ai ndihej i shëmtuar dhe i refuzuar. Puna e tij në portrete, e bukur dhe e pastër, ishte padyshim një trajtim i kësaj pike të reales. Fiksioni i tij, gënjeshtra, e thoshte mirë të vërtetën e tij. Ato njolla në trup, që e linin të heshtur në turpin e tij, nga të cilat do të donte të çlirohej me një gënjeshtër, u bënë në vazhdim mundësia e tij autentike për t’u shprehur në vetën e parë.

Kështu, gënjeshtra përndjek çdo un, një un i destinuar për t’u zhvarrosur që të tretet më mirë dhe për t’i bërë vend të vërtetës së paevitueshme të një ëndjeje, modaliteti unik i së cilës përbën nënshkrimin e saj.

Një e vërtetë që nuk njihet.
Një e vërtetë e pathënë.

Faleminderit.

Përktheu Rrozar Shiroka