Skip to main content

Sekreti i një dashurie

nga Gian Francesco Arzente

Jam i tmerruar nga fjalët që nuk mund të fshihen, që nuk mund të tërhiqen më,
fjalë që dinë kaq shumë gjëra më shumë se unë.
(Han Kang, L’ora di Greco, Adelphi, Milano 2023, p. 144)

Prej sa kohësh ekziston gjurma e shkruar, dashuria karakterizon të gjitha qeniet folëse. Arti, feja, filozofia dhe shkenca e kanë trajtuar këtë temë gjatë shekujve, temë e cila vë në diskutim mënyrën se si çdo individ, në strukturimin e tij si qenie folëse, ndjek evolucionin e ligjërimit shoqëror në të cilin gjendet.

Çfarë mund të kuptojmë me dashuri në epokën tonë të kapitalizmit të përparuar ku duket se “secili është i prirur për të menaxhuar veten, si një ndërmarrje, e cila duhet të jetë fleksibël dhe të përshtatet me kërkesat që paraqet ligjërimi dominues, me rrezikun e zhdukjes së saj nga tregu?”

– Që kur humba gruan që doja – më thotë Flavio – kam më shumë kohë për veten time, i jap më shumë kohë punës dhe biznesi rritet; udhëtoj më shumë, kam më shumë kohë për miqtë dhe sportin. Madje mund të them se nuk më mungon dashuria.

– Ah! Dashuria të godet përsëri!? – i përgjigjem.

– Po, pra – surprizohet Flavio – çdo gjë është në rregull, por unë ndihem i trishtuar: në palestër bëj të njëjtat gjëra që bëjnë të gjithë dhe në punë them po ato gjëra që thonë të gjithë.

Fryma e kohës është e pranishme në vetë strukturën e gjuhës dhe kur pacientët vijnë në studio të na takojnë për të përshkruar historitë e tyre të dashurisë, përdorin fjalë gjithnjë e më “të thata”, sikur të diktoheshin nga një kompjuter, në vend që të përdorin “fjalë të njoma” – apo ashtu siç më kujtoi një i analizuar disa ditë më parë – fjalë të pëshpëritura, fjalë dashurie.

Mjetet e dashurisë janë fjalët – më tha ai.

A duhet të presim atëherë fundin e dashurisë, nëse nuk kemi më fjalë për të konsumuar, për ta përshkruar atë?

Mos është ky edhe fundi i psikanalizës?

A do të harrohet dhe psikanaliza, e cila dihet që bazohet te pushteti i fjalës dhe të cilën ligjërimet e pushtetit nuk e kanë dashur kurrë?

Problemi i dashurisë nuk qëndron në faktin se ajo, një ditë, mbaron, kështu ka qenë në të gjitha kohërat, problemi është se mungesa e saj na distancon nga mënyra unike, që ka secili prej nesh, për t’ia dalë mbanë me të pamundurat e jetës, ato të pamundura që na bëjnë të veçantë dhe të papërsëritshëm. Dhe po, sepse ligjërimi i sotëm na shtyn të kërkojmë kënaqësi të rregulluara nga totalitarizmi i tregut dhe, nga një moment në tjetrin, mund ta gjejmë veten në trishtimin e të njëjtave kënaqësi që përmbushin dhe fqinjin tonë, pa i lejuar më vetes luksin për t’u kënaqur atë që është unike dhe simptomatike për secilin. Nga njëra anë, e gjejmë veten, të gjithë, konsumatorë dhe nga ana tjetër, të degraduar në objekte tregu.

Por a mund të dashurojmë dhe të ndihemi të dashuruar nëse e gjejmë veten të degraduar në objekte tregu?

Në të vërtetë, siç thotë Lakani, ne kemi “… lindur nga dy spore që nuk kishin asnjë arsye për t’u bashkuar përveç kësaj gjëje të çuditshme, që me dakortësinë e të gjithëve, quhet dashuri”, dashuri që “… mbështetet vetëm te kjo – duaje të afërmin tënd si veten tënde. Por në emër të kujt dëshirojmë ta duam veten?

Ju mund të pyesni: Nga çfarë tjetër mund të lindë ndjenja e dashurisë? E lusni që t’ju përgjigjet. Dhe ai ju thotë: Nga çdo gjë, nga fluturimi i një zogu nate, nga gjumi, nga ëndrra gjatë gjumit, nga afrimi i vdekjes, nga një fjalë, nga një krim, nga vetja, nga vetvetja, shpesh pa e ditur si”.[1]

… Në fakt njeriu e do imazhin e tij si gjënë më të afërt me të, domethënë do trupin e tij, edhe nëse nuk ka as idenë më të vogël për të. Ai beson se është uni i tij. “Beson se bëhet fjalë për të. Por në vend të tij është një vrimë – na thotë Lakani. Dhe pastaj, jashtë, është imazhi – i cili e mbulon këtë vrimë. Dhe me këtë imazh ai bën botën e tij (J. Lacan, Il fenomeno lacaniano 1974, në La psicoanalisi n. 24. Astrolabio, Roma 1998).  E megjithatë, kështu fillon gjithmonë, me dashurinë për trupin tënd. A nuk është e njëmendtë ta duash trupin tënd, të mbulosh vrimën tek ai?

Dhe fëmijët kështu fillojnë, bëjnë ca vija në një fletë vizatimi dhe më pas thonë: është një njeri. Një njeri që në fillim nuk i ngjan asgjëje. Në fillim fëmija i vë një emër. Ai bën një vijë dhe thotë: është një njeri, por nuk ngjan me një të tillë, pastaj në mënyrë progresive, me zotërimin e imazhit të trupit, me pasurimin e fjalorit, bën dhe dy vija të tjera që janë krahët, një rreth që është barku, ka pra një lloj vajtje-ardhje mes asaj që i vihet një emër dhe përfaqësimit të saj.

E megjithatë, në fillim nuk ka përfaqësim.

Në fillim ka fjalë që nuk kuptohen, ka shënjues që nuk nisen nga përfaqësimet, që nuk korrespondojnë me rendin e të shënjuarit, megjithatë ato tregojnë, gërryejnë mishin dhe krijojnë trupa.

Në fillim, si te Zanafilla, është Fjala, një fjalë që nuk ka përfaqësim, nuk ka Tjetër nëse nuk hyn në lojë Perëndia. Nga këtu vjen historia e brinjës që Perëndia i mori Adamit ndërkohë që ai flinte. Më pas Perëndia krijoi një grua që ia paraqet Adamit, burrit, dhe këtu shpërthen e para dashuri me shikim të parë e historisë (J.-A. Miller, Divine Details, Astrolabe, Rome 2021). Duhet të hyjë në lojë një Perëndi, Erosi për Frojdin, për të ndezur shkëndijën e dashurisë midis dy shënjuesve që nuk kanë asnjë marrëdhënie përveçse me veten.

Kjo përshkruan mjaft mirë atë që Frojdi, në vitin 1914, në tekstin e tij Hyrje në narcisizëm, e përkufizon si një zgjedhje narcisiste të objektit. Adami gjen tek Eva dikë identik me veten. Të dy vështrohen në heshtje dhe ky shkëmbim vështrimesh kthehet në një dashuri me shikim të parë, përcaktuar nga Perëndia e dashurisë (J.-A. Miller, Divine Details, Astrolabe, Rome 2021).

Kështu, nuk është e pazakontë për një nënë post-partum që të bjerë në dashuri me fëmijën e saj, i cili mbetet një objekt që e mbush atë, por që nuk zëvendëson raportin seksual, i cili nuk ekziston. Një dashuri që ka funksionin e zëvendësueses të këtij raporti seksual që nuk ekziston, sepse përndryshe do të ishte një kalim në akt, dhunë. Kalimi në akt është pika në të cilën subjekti bie në pozicionin e objektit dhe Lakani rimerr një shprehje nga rasti i vajzës së re homoseksuale, të Frojdit: ta lësh të bjerë, me të cilën ai krijon një lloj arketipi të kalimit në akt. Ashtu siç bie objekti nga skena, siç bie dikush në botë, në realitet. Duke ardhur në botë ne biem në të si objekte dhe pritja jonë nga ligjërimi i tjetrit na mban për të mos u larguar nga skena.

Me rekomandimin e M.-H. Brousse pashë një video në Youtube. Bëhej fjalë për një video komike, filmuar nga një i ri amerikan. Shkoni shikojeni, zgjat vetëm pesë minuta, titullohet Njihu me përdhunuesin tim. Një grua e re ishte përdhunuar. Një ditë, në rrugë, i bie një objekt që përkulet ta marrë dhe duke u ngritur shikon fytyrën e një burri, të cilin spektatorët nuk e shohin deri në skenën finale. Ajo i thotë: “Më duket se ju njoh” dhe në atë moment ajo e njeh: ai është njeriu që e kishte përdhunuar. Ishte një lloj dashurie me shikim të parë. Të dy e njohin njëri-tjetrin. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së filmit, burri mban në kokë një lloj kapuçi të kuq nga i cili dalin flokë bjondë, ka mustaqe, por këtë nuk mund ta shohësh, edhe pse ai është gjithmonë i pranishëm në ekran. Pozicioni subjektiv i protagonistit përballë një kalimi në akt jashtë ligjërimi, konsiston në riintegrimin e autorit të kalimit në akt. Ajo e prezanton atë me prindërit dhe me miqtë e saj: “ja përdhunuesi im”. Ajo e paraqet atë në të gjitha lidhjet e saj sociale, deri në lindjen e një historie dashurie. Sekuenca e fundit u rikthehet të gjitha kodeve kinematografike të ligjërimit të dashurisë hollivudiane, perëndimit të diellit, vrapimit dorë për dore në natyrë. Për herë të parë, pastaj, burri flet: “ti duhet të jesh ende e zemëruar me mua për atë që të kam bërë”. Në momentin që përdhunuesi ka hyrë në fushën e ligjërimit të dashurisë, ajo e vështron dhe i thotë: “po, sigurisht, unë u përpoqa të kuptoja pse dhe si e bëre këtë. Tani e kam përgjigjen, e bëre sepse jam shumë e bukur dhe ti u joshe nga unë.” Në këtë moment ai e vështron dhe i thotë: “Lamtumirë, tani mbaroi, po iki.” Ja pra se si ajo zëvendësoi pozicionin e viktimës së një traume seksuale, pozicionin e objektit, me zgjidhjen e një akti seksual që refuzohet, me dhe në dashuri, si një ligjërim. Siç mund ta shihni, kemi këtu një kundërshti mes aktit dhe ligjërimit.

Ndërhyrja e Zotit, e Erosit bën të mundur bashkimin e trupave, por midis burrit dhe gruas, midis këtyre dy qenieve folëse, nuk është vetëm Perëndia, por është dhe ligjërimi i dashurisë ku, siç e shohim në video, është në lojë përdorimi i lirë i metaforave dhe metonimive. Nuk është vetëm ëndja e trupit, por ka një kënaqësi tjetër që është ligjërimi i dashurisë, kënaqësia e ndërtimit të një zinxhiri nisur nga shënjues unikë për secilin, fjalë krejtësisht të palidhura me njëra-tjetrën.

Cili është sekreti që i bashkon këto fjalë dhe na jep kënaqësi?

J.-A. Miller na sugjeron ta kërkojmë këtë sekret në dashuritë e oborrit, ku zakonisht është në lojë një kalorës dhe një zonjë, e ndaluar për të. Këtu nuk është në lojë raporti seksual, por shkronjat e shkrimeve, një shkrim që zëvendëson mungesën e raportit, pra dashuria e oborrit, që duke e vendosur zonjën në pozicionin e idealit të ndaluar, garanton një raport të mundshëm.

Po ashtu është lidhja midis nënës dhe fëmijës, ku ndalimi i incestit garanton se ekziston një raport midis një objekti ideal si nëna dhe fëmija. Ajo që e bën të mundur këtë takim janë fjalët që janë rezultat i supozimit të një ndalimi që i bën ato të mundshme, të besueshme, prerëse më shumë se një bisturi. Fjalët, që një nënë i thotë fëmijës së saj, në një fazë të jetës në të cilën ai ka një marrëdhënie thjesht sonore me gjuhën. Ky efekt ëndjeje, i ligjërimit që vjen nga një ndalim të cilit ai i nënshtrohet, nuk lejon raportin seksual, por bën të mundur që fjalët të lidhen me njëra-tjetrën dhe të marrin kuptim. Një kuptim që e ka origjinën në humbjen e një copëze ëndjeje, e cila që nga ky moment do të jetë gjithmonë e humbur.

Sekreti i një dashurie duket se përvijohet si fatkeqësia e të gjitha qenieve folëse, qenie folëse për të cilat raporti seksual nuk ekziston, por ekziston një raport i mundshëm dashurie falë kastrimit. Agjenti i këtij kastrimi, para çdo ligji, është gjuha. Siç argumenton Lakani në kapitullin e parë të Seminarit XX, [2] gjuha nuk është qenia folëse, apo ata që ne i quajmë njerëz, sepse ata janë krejt të ndryshëm nga gjuha. Nga ana tjetër ne nuk kemi gjë tjetër veç fjalëve për të kuptuar atë që mbyllet në një trup, atë që ndihet për shembull kur trupat shtrëngohen.

Ju pyesni se si mund të lindë ndjenja e dashurisë.

Ajo përgjigjet: Ndoshta nga një frakturë e papritur në logjikën e universit.

Dhe thotë: Për shembull, nga një gabim. Dhe shton: “Kurrë nga vullneti.”[3]

Seminarin XX, Encore, Lakani në f. 138 të botimit italian, na thotë se gjëja më e rëndësishme që ligjërimi psikanalitik zbulon mbi dashurinë është se: “Çdo dashuri mbështetet nga një marrëdhënie e caktuar midis dy dijeve të pavetëdijshme. Dihet që transferenca motivohet nga subjekti i supozuar me dije, dhe kjo pasi bëhet fjalë ushtrimin e veçantë, specifik, të asaj që është një datum i përvojës. (Ju lutem ti referoheni tekstit të mesit të këtij viti mbi zgjedhjen e dashurisë). Në thelb kam folur për njohjen – duke u nisur nga shenjat gjithmonë të pikëzuara në mënyrë enigmatike – e mënyrës se si qenia është ndjesi kur flasim për subjekt të dijes së pavetëdijshme.”

Secili prej nesh ka një marrëdhënie me të pavetëdijshmen e tij dhe bie në dashuri me shenjat e tjetrit që bëhen familjare me shenjat e të pavetëdijshmes së tij.

Si ta kuptojmë këtë koncept?

Mbaj mend që një mik i dashur, psikanalist, më kishte treguar se ndërsa fliste me bashkëshorten, partneren-simptomë të tij, ajo i kishte thënë se për të ekzistonte një fjalë e rëndësishme: shoqëri. Gruaja e mikut tim ishte më e vogla nga tre fëmijët e prindërve të saj të cilët, në një farë mënyre e kishin piketuar si ajo që do t’i mbante në shoqëri gjatë pleqërisë. Por shoqëria ishte, po ashtu, një fjalë shumë e pranishme në historinë e burrit të saj, mikut tim psikanalist, pasi babai i tij punonte për “shoqërinë” e energjisë elektrike. “Kompania” ishte shumë e pranishme për të dy, por nga dy rrugë të ndryshme dhe unike për secilin. Zgjedhja e dashurisë – siç na thotë Lakani – është njohja e shenjave se si qenia është ndjesi e dijes së pavetëdijshme dhe tjetrin e dashurisë e njohim nisur nga se si tjetri është, po ashtu, ndjesi e një dijeje të pavetëdijshme; kemi pra një ndërnjohje të dy qenieve folëse që flasin dy lalangue, mbështetur nga sekreti i tyre i dashurisë. Një njohje që ndodh nëpërmjet fjalëve pëshpëritëse, që nuk di asgjë për dijen, por që na lidhin përtej qëllimeve tona. Ja kush është sekreti i një dashurie.

Dhe psikanaliza është një nga ato fusha të rralla ku sekreti i ëndjes së trupave folës ka ende një vend.

Përktheu Eva Filaj

[1] Ibid., f. 66.

[2] Jacques Lacan, Il seminario, libro XX, Ancora [1972-73], Torino Einaudi, 2011.

[3] Ibid., p.66.